Arqipeshkvi Peña Parra: Gjykata kishtare «Rota Romake» në shërbim të së vërtetës, me butësi dhe për të mirën e të gjithëve
R.Sh. Vatikan
Është thelbësore që Gjykata kishtare e Rotës Romake t'i shërbejë së vërtetës kudo dhe ta bëjë këtë «me të njëjtën butësi si Krishti, me dashuri dhe për të mirën e të gjithëve». Me një dashuri «që na bën të vëmendshëm ndaj halleve të njerëzve» dhe një afërsi «që shoqëron ata që përjetojnë kohë të vështira». Arqipeshkvi Edgar Peña Parra, zëvendësi i Sekretariatit të Shtetit të Vatikanit i përmendi këto tema në homelinë e tij në Meshën sot paradite që përuroi Vitin Gjyqësor të Gjykatës të Rotës Romake, kremtimin e së cilës ai e kryesoi në Kapelën Pauline të Pallatit Apostolik.
Një shërbim dashurie dhe maturie
Para audiencës me Papën Leo XIV, arqipeshkvi venezuelan Peña Parra i nxiti auditorët prelatë, zyrtarët dhe bashkëpunëtorët e Gjykatës që të dëshmojnë gjithmonë «bamirësi dhe maturi» në shërbimin e tyre, gjë që shpesh i bën ata të shprehen rreth «situatave personale, martesore dhe kanonike, madje edhe rreth disave që janë shumë të dhimbshme». Në këtë mënyrë, ata që gjykatësit takojnë në «misionin e tyre unik» do të jenë në gjendje të «përjetojnë dashurinë prej nëne të Kishës, e cila nuk gjykon dështimet njerëzore, por, ndërsa është në dritën e së vërtetës dhe nxit drejtësinë, dëshiron të ripërtërijë jetën e fëmijëve të saj dhe t'i çojë ata drejt një të mire më të lartë".
Ungjilli i Lukës, ndjenja gjithëpërfshirëse dhe butësia e zemrës
Duke lexuar rishtas Ungjillin e Lukës që parashikon liturgjia e ditës, zëvendësi i Sekretariatit të Shtetit kujtoi dy sugjerime në lidhje me universalitetin dhe butësinë e shërbimit të Gjykatës të Rotës Romake. Zoti, i cili cakton «shtatëdhjetë e dy të tjerë» (simbol i të gjitha kombeve të tokës) dhe i dërgon ata «dy nga dy para tij, në çdo qytet», sipas imzot Peña Parra, thërret bashkëpunëtorët e Kuries Romake, përfshirë ata që shërbejnë në Gjykatën kishtare, «nga të gjitha kombet, në mënyrë që shërbimi ynë të përçohet në të gjithë botën».
Në shërbim të universalitetit të jetës së Kishës
Arqipeshki u kujtoi të pranishëmve se ata vijnë nga shumë pjesë të botës dhe diskutojnë çështje, shpesh të rëndësishme dhe të ndjeshme, që «përfshijnë situata të shumëfishta jetësore, secila prej të cilave e futur në një kontekst të ndryshëm njerëzor, familjar, kulturor dhe shpirtëror». Ky nuk është një «ushtrim i ftohtë legjislativ», por një detyrë që «është vënë në shërbim të universalitetit të jetës së Kishës», dhe që duhet t'u kujtojë të gjithëve «se edhe e vërteta është universale». Një e vërtetë e mishëruar në situatat e jetës së secilit person, ku mund të ketë «gabim dhe dështim», megjithatë mbetet «një themel i qëndrueshëm dhe një pikë fikse për të na kujtuar planin e dashur të Hyjit për njerëzimin dhe për krijimin».
Në luftën shpirtërore si «qengja midis ujqërve»
Tema e dytë që sugjeron Ungjilli ka të bëjë me butësinë, që Zoti kërkon prej nesh, kur na dërgon «si qengja midis ujqërve». Të bëhesh bashkëpunëtor me risinë e Ungjillit, «e cila kërkon të hyjmë në logjikën e dashurisë, drejtësisë, të vërtetës dhe mëshirës», kujtoi arqipeshkvi Peña Parra, është një «luftë shpirtërore» kundër një mendësie dhe kulture në të cilën jemi zhytur, e cila «shpesh favorizon të përkohshmen, shpejtësinë, llogaritjen dhe rrugën e lehtë e të menduarit vetëm për veten». Kësaj duhet t’i bëjmë ballë jo me forcë, por me butësinë e qengjit. Kështu ndodh edhe me shërbimin e Gjykatës së Rotës Romake. «Nëse ushtrimi i drejtësisë nxjerr në pah vlerën e thellë të së vërtetës, nga ana tjetër kërkon qëndrimin e qengjit».
Në shërbim të së vërtetës përfundimtare që është vetë Krishti
Në përfundim, zëvendësi i Sekretariatit të Shtetit Peña Parra citoi fjalët e Leoni XIV drejtuar pjesëmarrësve në Kursin e formimit juridik-baritor të Rotës Romake më 21 nëntor, në lidhje me qëllimin e shërbimit të Gjykatës: «Pushtet i shenjtë është pjesëmarrja te fuqia e Krishtit, dhe shërbimi i tij ndaj së vërtetës është një rrugë drejt njohjes dhe përqafimit të së Vërtetës Përfundimtare, e cila është Vetë Krishti.»