Kërko

2026.01.06 Chiusura giubileo volontari

Mbi 33 milionë shtegtarë në Romë për Jubileun 2025, shpresë për të gjithë botën

Në fund të Vitit të Shenjtë, Pro-Prefekti i Dikasterit për Ungjillëzim dha vlerësimin e tij në një konferencë në zyrën e shtypit të Selisë së Shenjtë: «Horizonti po zgjerohet drejt një të ardhmeje plot paqe dhe qetësi.» Kryetari i bashkisë së Romës Roberto Gualtieri: «Takimi rinor në Tor Vergata do të mbetet në historinë e qytetit dhe të Kishës.». Pati shtegtarë nga 185 vende, 62% nga Evropa. Italia zuri vendin kryesor përsa i përket besimtarëve.

R.Sh. Vatikan

Gjatë Vitit të Shenjtë 2025, «e gjithë bota» u dynd në Romë. 33,475,369 shtegtarë nga 185 vende erdhën për Jubileun e Shpresës, të cilin Papa Leoni XIV do ta mbyllë zyrtarisht edhe pak orë, kur të kyç Portën e Shenjtë të Bazilikës së Shën Pjetrit. U tejkaluan bindshëm kështu përllogaritjet e universitetit «Roma Tre», që parashikonin vetëm 31 milionë besimtarë në Qytetin e Përjetshëm në këtë vit hiri të veçantë për Kishën.

Imzot Rino Fisichella, Pro-Prefekt i Dikasterit për Ungjillëzim dhe organizator i jubileut, bëri një vlerësim të Vitit të Shenjtë gjatë konferencës së mbajtur këtë mëngjes, më 5 janar, në prag të mbylljes së Jubileut, në Zyrën e Shtypit të Selisë së Shenjtë. Ishin të pranishme edhe autoritetet civile të cilat bashkëpunuan në organizimin e Jubileut dhe të gjithë infrastrukturës së nevojshme, me bashkërendimin që tani quhet njëzëri «metoda e Jubileut». E gjithë bota u dynd në Romë, por veçanërisht Evropa. Kështu nga kontinenti ynë erdhën 62% e shtegtarëve, ku kryesojnë italianët.

Një jubile përshpirtërie dhe i së ardhmes

As numri i shtegtarëve dhe as numri i të ashtuquajturave «ngjarje të mëdha» (më se 35) nuk e pasqyrojnë plotësisht një vit jubilar që synonte, mbi të gjitha, të hynte në jetën e njerëzve, duke i përtërirë këta thellësisht. «Përmasa shpirtërore, si tipar themelor i jubileut, na bëri të shohim një popull në lëvizje, me një dëshirë të madhe për lutje dhe kthim te feja» – u shpreh imzot Fisichella. Jeta shpirtërore e shtegtarëve shndriti kudo, ndërsa ata vetë mbushën kishat dhe bazilikat kryesore të shtegtimit në Romë. «Bazilikat papnore dhe qendrat e tjera të lutjes», shtoi ai, si përshembull «Shkalla e Shenjtë» shënuan një pjesëmarrje të paparë. Numri i rrëfimeve u rrit, ndjesa e plotë e jubileut i përfshiu të gjithë.» Gjatë këtij viti, i cili sapo mbaroi, iu përcoll shpresa njerëzve të veçantë dhe mbarë botës.

«Jubileu po mbyllet» – vijoi Pro-Prefekti Fisichella, «por shenjat e shumta të shpresës që u dhanë mbeten të tilla dhe po zgjerohet horizonti i një së ardhmeje të mbushur me paqe dhe qetësi, siç e dëshirojnë të gjithë. Me një fjalë, ky Vit i Shenjtë e arriti qëllimin e shprehur te bula e shpalljes së Jubileut, “Spes non confundit” – Shpresa nuk zhgënjen, si mundësi për të gjithë për të ngjallur shpresën.»

Bujaria e 7,000 vullnetarëve

Prapseprap, disa shifra si kjo e shtatëmijë vullnetarëve kanë rëndësi –përfundoi prelati – sepse «në një kohë individualizmi të përhapur, këto shifra shprehin bujarinë e kaq shumë njerëzve. Prej tyre 5,000 qëndruan në detyrë gjatë gjithë vitit dhe dymijë të tjerë, nga «Urdhri i Maltës», shërbyen si ndihmë e shpejtë në katër bazilikat papnore.

Dialogu dhe Bashkëpunimi: «Metoda e Jubileut»

Nga autoritetet civile foli pastaj edhe Alfredo Mantovano, nënsekretar i Shtetit në Kryesinë e Këshillit të Ministrave të Italisë, i cili shpjegoi se çfarë ishte «Metoda e Jubileut»:

«Një administratë shtetërore që duhet të bashkërendojë, jo të drejtojë administratat e tjera. Takime bashkërenduese që i zgjidhin problemet, nuk i krijojnë ato. Asnjëra nga palët e përfshira nuk i përvetëson rezultatet që janë fryt i punës të të gjithëve. Ky qëndrim bëri të mundur ndryshimin e ritmit.». Pati një makineri administrative që e vuri veten në shërbim të përshpirtërisë.

«Institucionet nuk duhet të vihen përballë pyetjeve thelbësore, si ato që i bëjmë të gjithë vetes në rastin e tragjedisë së Crans-Montanës në Zvicër, por përkundrazi të bëjnë gjithçka që njerëzit t'i përjetojnë ato, ashtu siç bënë shtegtarët.»

Këtë vit, ngjarja tjetër e madhe do të jetë tetëqindvjetori i kalimit në amëshim i Shën Françeskut të Asizit. «Jeta e Shën Françeskut është pikërisht përgjigja më e plotë ndaj pyetjeve kuptimplote dhe tronditëse që ngritën ngjarjet e këtij fillim viti. Edhe për këtë ja vlen të vazhdojmë punën.»

05 janar 2026, 16:55