Zoja e Papërlyer, në zemrat e në fjalët e Papëve
R.SH. / Vatikan
Gjatë udhës të Kohës së Ardhjes, Solemniteti i Zojës së Papërlyer e fton Kishën çdo vit t’i kthejë sytë nga Maria. Sfondi historik i kësaj feste daton që nga shekulli i 19-të. Këtë dogmë të fesë katolike e shpalli Papa Piu IX, më 8 dhjetor 1854. "Doktrina që pohon se Virgjëra e Bekuar Mari, në çastin e parë të zënies së saj, me anë të një hiri dhe privilegji të vetëm dhënë nga Zoti i Gjithpushtetshëm, e falë meritave të Jezu Krishtit, Shëlbuesit të racës njerëzore, u ruajt e lirë nga çdo njollë e mëkatit origjinal", lexohet në Kushtetutën Apostolike Ineffabilis Deus, u zbulua nga Zoti dhe për këtë arsye duhet të besohet në mënyrë të vendosur dhe të paprekshme nga të gjithë besimtarët". Tre vjet më vonë, në vitin 1857, Papa e bekoi dhe e përuroi monumentin e Zënies së Papërlyer në Sheshin e Spanjës.
Maria, e paprekshme nga mëkati origjinal
Pesëdhjetë vjet pas botimit të Bulës Ineffabilis Deus, Papa Piu X kujtoi në letrën enciklike "Ad diem illum laetissimum" se Piu IX "deklaroi dhe shpalli si zbulesë hyjnore nga autoriteti i magjisterit apostolik se Maria ishte, që nga çasti i parë i zënies së saj, plotësisht e paprekshme nga mëkati fillestar". "Nëse njerëzit besojnë dhe rrëfejnë se Virgjëra Mari u ruajt nga çdo ndotje", vazhdon dokumenti, "atëherë është e nevojshme që ata ta pranojnë mëkatin fillestar, rehabilitimin e njerëzimit sjellë nga Jezu Krishti, Ungjillin, Kishën dhe, së fundmi, vetë ligjin e vuajtjes".
Zënia e Papërlyer dhe Ngjitja në Qiell
Piu XII, në Kushtetutën Apostolike Munificentissimus Deus (1950), përcaktoi se "Nëna e Papërlyer e Zotit, gjithmonë Virgjëra Mari, pasi përfundoi jetën e saj tokësore, u ngjit me korp e shpirt në lavdinë qiellore". Kjo dogmë e Ngjitjes në Qiell - solemniteti i së cilës kremtohet më 15 gusht - është e lidhur ngushtë me atë të Ngjitjes së Papërlyer. "Ajo, me një privilegj krejtësisht të vetëm", thotë Kushtetuta Apostolike e vitit 1950, "e mposhti mëkatin me Ngjitjen e saj të Papërlyer; nuk iu nënshtrua ligjit të qëndrimit në prishjen e varrit, as nuk iu desh të priste kalbjen e trupit deri në fundin e botës".
Gjoni XXIII dhe trëndafilat për Virgjërën
Në vitin 1958, Papa Gjoni XXIII shkoi në Sheshin e Spanjës dhe vendosi një shportë me trëndafila të bardhë tek këmbët e monumentit të Virgjërës. Zakoni u ripërtëri nga pasardhësit e tij. Papa Gjon Pali II, në festën e së Papërlyerës, më 8 dhjetor 1960, theksoi se Maria e Papërlyer është ylli i mëngjesit i cili shpërndan "errësirën e natës së errët".
Doktrina katolike që lidhet me zënien e papërlyer të Marisë dhe lartësimin e shkëlqimit të saj, është e njohur nga çdo i krishterë i mirë: kënaqësi dhe magji për shpirtrat më fisnikë. Është në liturgji, është në zërat e Etërve të Kishës, është në psherëtimat e shqetësuara të kaq shumë zemrave që dëshirojnë ta nderojnë...
Premtimi i Palit VI
Gjatë përvjetorit të parë të përfundimit të Koncilit II Ekumenik të Vatikanit, Papa Pali VI gjatë predikimit të Meshës në solemnitetin e 8 dhjetorit 1966, theksoi se Zënia e Papërlyer është "misteri i privilegjit, misteri i veçantisë, misteri i përsosmërisë të së Shenjtnueshmes Mari ". "Maria, e vetmja krijesë njerëzore e cila, me qëllim hyjnor (sa mençuri, sa dashuri përmban!), në sajë të meritave të Krishtit, burimi i vetëm i shpëtimit tonë, u ruajt nga çdo papërsosmëri".
Fjalët e Papës Montini lidhen, më pas, në të njëtën ditë, me një premtim në Engjëllin e Tënzot.
Këtë herë është premtim që duhet t'ia ofrojmë Zojës me Engjëllin tonë: atë të ringjalljes së kushtimit tonë ndaj Saj, si Nëna e Krishtit dhe Nëna jonë, sipas kritereve teologjike të Koncilit.
Kritere, që i japin Marisë "një vend të jashtëzakonshëm në doktrinë dhe devotshmëri, sipas planit të Shëlbimit, domethënë, kristologjik dhe ekleziologjik".
Gjon Pali II dhe Besimi i Kishës Marisë
Në vitin 1978, në fillim të shërbimit të tij ipeshkvnor në Katedrën e Shën Pjetrit, Papa Gjon Pali II ia besoi në një mënyrë të veçantë Kishën Marisë. Në Engjëllin e Tënzot, më 8 dhjetor të atij viti, fjalët e Papës Vojtila mbi Zënien e Papërlyer gërshetohen me jetën e Jezusit.
Krishti, arkitekt i jetës hyjnore, domethënë i Hirit në çdo njeri, përmes Shëlbimit që realizoi, duhet të jetë veçanërisht bujar me Nënën e tij... Kjo bujari e Birit ndaj Nënës nis që në çastin e parë të jetës së tij. Quhet Zënia e Papërlyer.
Benedikti XVI dhe të Vërtetat e Fesë në Zënien e Papërlyer.
Misteri i Ngjizjes së Papërlyer të Marisë, shpjegoi Papa Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot të 8 dhjetorit 2008, na kujton dy të vërteta themelore të fesë sonë:
Së pari, mëkati fillestar, dhe pastaj fitorja mbi të me anë të hirit të Krishtit, fitore që shkëlqen në mënyrë madhështore në Të Shenjtnueshmen Mari. Ekzistenca e atij që Kisha e quan "mëkati fillestar" është për fat të keq jashtëzakonisht e dukshme, nëse shikojmë rreth nesh e, para së gjithash, brenda vetes. (...) Të dashur, në Marinë e Papërlyer sodisim pasqyrimin e Bukurisë që shpëton botën: bukurinë e Zotit që shkëlqen në fytyrën e Krishtit. Në Marinë, kjo bukuri është plotësisht e pastër, e përvujtë, e lirë nga çdo krenari dhe hamendje.
Françesku dhe falënderimi për Virgjërën
Më 8 dhjetor 2015, Papa Françesku hapi Vitin Shenjt të Jashtëzakonshëm të Mëshirës, kremtuar me rastin e 50-vjetorit të Koncilit II të Vatikanit. Gjatë aktit të nderimit të Zojës së Papërlyer në Sheshin e Spanjës, më 8 dhjetor të atij viti, Marisë i lartohet falënderimi:
Të falënderojmë ty, Nënë e Papërlyer,
Sepse në këtë udhëtim pajtimi
Ti nuk na bën të ecim vetëm, por na shoqëron,
Je pranë nesh dhe na mbështet në çdo vështirësi.
Qofsh e bekuar, tash e përgjithmonë, o Nënë.
Luani XIV e udhëtimi i Marisë
Më 8 dhjetor, në orën 16:00, Papa Leoni XIV u ndal në lutje në fund të kolonës mbi të cilën qëndron shtatorja e Virgjërës. Në homelinë e tij gjatë Meshës më 12 tetor, për Jubileun e Përshpirtërisë Mariane, theksoi se "udhëtimi i Marisë është pas Jezusit dhe ai i Jezusit, drejt çdo qenieje njerëzore".
Dashuria për Marinë e Nazaretit na bën, me Të, dishepujt e Jezusit, na mëson të kthehemi tek Ai, të meditojmë dhe të lidhim ngjarjet e jetës në të cilat i Ngjalluri ende na viziton dhe na thërret.
Në veprën “Maria, Tota pulchra”, njeriu mund të sodisë pasqyrimin e bukurisë. Bukuri, që shpëton botën!