Kërko

2025.12.27 aiuti per Ucraina da parte dell'Elemosineria Apostolica in occasione della festività della Santa Famiglia di Nazareth

Ukrainë, Papa dërgon ndihma për të Dielën e Familjes Shenjte

Kardinali i lëmoshtarisë papnore, Konrad Krajewski, kujton "ledhatimin e ëmbël" të Leonit XIV: ndihmën financiare, e cila shkon në vise të ndryshme të botës për të mbështetur familjet që, ashtu si ajo e Jezusit, "ndjekin rrugën e dhimbshme të mërgimit, në kërkim të strehimit". Në zonat më të goditura të vendit evropian nën bombardime, ku mungon energjia elektrike, uji dhe ngrohja, arritën tre kamionë me ndihma humanitare.

R.SH. / Vatikan

Dhurata e Papës Leoni XIV, siç i tregoi mediave të Vatikanit Kardinali Lëmoshtar Konrad Krajewski, është një mendim për familjet që, ashtu si familja shenjte e Nazaretit, "ndjekin rrugën e dhimbshme të mërgimit, në kërkim të strehimit", duke jetuar "gjendjen dramatike të refugjatëve, që strehohen me frikë, me vështirësi, me pasiguri". Një gjest që - vazhdon Kardinali - tregon se si Zoti "duke lindur në një familje të tillë, dëshiron gjithmonë të jetë aty ku njerëzimi është në rrezik, ku njerëzimi vuan, ku ikën, ku jeton refuzimin e braktisjen".

Afërsia me familjet që vuajnë

Kardinali thekson se, edhe para Krishtlindjes, Papa dërgoi ndihma financiare në disa vende, përmes Lëmoshtarisë Apostolike dhe Nunciaturave. Për Ukrainën, para pragut të Krishtlindjes, mbërritën në Vatikan tre kamionë të ngarkuar me ndihma humanitare nga kompania koreane Samyang Foods. Ndihmat, më pas, u nisën drejt zonave të luftës më të goditura nga bombardimet, "ku nuk ka energji elektrike, ujë as ngrohje". Kështu kamionët mbërritën në cakun e tyre. E kështu - përfundon Kardinali Krajewski - Leoni XIV "jo vetëm që lutet për paqe, por edhe dëshiron të jetë i pranishëm në familjet që vuajnë".

28 dhjetor 2025, 15:38