Kërko

Të lum, 50 martirë të vrarë nga nazistët. Hollerich: në ferrin e kampeve, oaza parrizi

Kardinali i Luksemburgut kryesoi Meshën në Notre-Dame të Parisit dhe vlerësoi lart shërbimin e dëshmitarëve të Apostullimit Katolik në Gjermani. Me shikimin drejt së tashmes, paralajmëroi: në Evropë, ne nuk jemi të strehuar as nga lufta e as nga dhuna. Të rriturit i nxit të punojnë së bashku për paqen, ndërsa të rinjtë, të mësojnë nga Krishti, "Princi i Paqes, i dashurisë, jo i urrejtjes". Feja, përfundon, gjetët shprehje konkrete në vëllazëri.

R.SH. / Vatikan

“Pika drite" në "epokën e errët të masakrave". Kështu i përshkroi Kardinali Jean-Claude Hollerich, SJ, i cili, si delegat i Papës, kryesoi të shtunën Meshën e Lumnimit në Katedralen Notre-Dame në Paris të pesëdhjetë martirëve të Apostullimit Katolik në Gjermani, që u lartuan në nderimet e elterit. Janë rregulltarë, seminaristë dhe besimtarë laikë të cilët kryenin shërbim të detyrueshëm pune (STO) në territoret gjermane, të vrarë nga urrejtja për fenë e tyre gjatë sundimit nazist ndërmjet viteve 1944 dhe 1945.

Ishte dashuria e tyre për Krishtin, që i shtyu të ofroheshin vullnetarisht për t'u shërbyer vëllezërve të tyre të dëbuar. Të rinj ndërmjet moshës 20 dhe 35 vjeç, pranuan pa ngurrim, së bashku me shumë apostuj të tjerë anonimë, mundësinë për të qenë të pranishëm në vuajtjet shpirtërore dhe morale që jetuan 1.5 milion punëtorë francezë, të privuar nga pikat e referimit fetar sepse, siç shpjegoi kardinali jezuit në predikimin e tij, priftërinjve gjermanë u ndalohej të ushtronin shërbesën në emër të tyre. Lista e gjatë e emrave të martirëve u lexua në fillim të liturgjisë: "Në ferrin e kampeve, ata arritën të krijonin oaze parajse".

Në ferrin e kampeve naziste, krijuan "oaze parajse".

Raymond Cayré, prift dioqezan; Gérard-Martin Cendrier, frat i Urdhrit të Fretërve të Vegjël; Roger Vallé, seminarist; Jean Mestre, laik e edhe 46 shokë. Një grusht forcash paqeje e ndihme, me besim në Krishtin! Këta ishin martirët që u lumnuan dje! Duke ardhur nga rreth tridhjetë dioqeza, nga institute të ndryshme të jetës së kushtuar, nga Veprimi Katolik dhe Skautizmi, ndanë së bashku entuziazëm e frikë, shpërthime bujarie e vuajtjeje, kujtoi Kryeipeshkvi i Luksemburgut, i cili citoi disa shembuj të dobishëm emblematikë, për të kuptuar stilin e të tjerëve. Ata jetuan së bashku një jetë shërbimi: "Të gjithë, pa përjashtim, e bënë shërbim jetën e tyre, punën e tyre, burgosjen e tyre dhe martirizimin e tyre: dhe çfarë shërbimi! E ndoqën Jezusin, si dishepuj të vërtetë, duke ndjekur gjurmët e Mjeshtrit të tyre". Shembuj që na bëjnë të reflektojmë edhe sot:

"Në mes të vorbullës së luftës dhe mizorive çnjerëzore për të cilat sot kemi njëfarë njohurie, kujtoi Kardinali Hollerich, këta martirë dhe të gjithë ata që ndanin idealin, bujarinë dhe fatin e tyre, u treguan vëllezërve të tyre praninë e palëkundur të dashurisë dhe mëshirës së Zotit. Kështu, në ferrin e kampeve, arritën të krijonin oaze parajse, ku dashuria mund të rikthente guximin, të qetësonte plagët e zemrës, të shkundte frikën dhe të ngjallte shpresën. Këta njihen si martirët e STO-së".

As sot nuk jemi të mbrojtur nga lufta ose dhuna.

Dëshira për shenjtëri i gjallëroi, bindja e tyre ndaj veprimit të Shpirtit, besnikëria e tyre deri në vdekje, dashuria e tyre për Jezusin, i forcoi. Ata ishin bartës të një mesazhi, kujton Hollerich, që nuk mund të plaket: "Dashuria nuk do të kalojë kurrë!". Jeta e tyre na çon drejt rizbulimit të vlerës së Pagëzimit, vazhdon Kardinali Hollerich, i cili "na fton t’i ushqejmë ekzistencën tonë dhe aktivitetet tona të shumta me këtë besim: bashkimin me Krishtin". Prej këndej, edhe kujtimi i dëshmitarëve të paqes e të pajtimit si Schuman, De Gasperi dhe Adenauer, të cilët "i kushtuan jetën e tyre shërbimit të së mirës së përbashkët".

Pastaj, një shënim shumë i hidhur për kohën e tashme: "Për tetëdhjetë vjet, përjetuam periudhën më të gjatë të paqes që Evropa Perëndimore njohu ndonjëherë në historinë e saj të gjatë, megjithatë nuk jemi imunë nga lufta a nga dhuna".

Kardinali Hollerich bën thirrje për të punuar në Evropë së bashku, për paqen. Besimi duhet të gjejë shprehje konkrete në vëllazëri, theksoi, ndërsa nazistët e përçmonin lirinë fetare. "Të detyruar ta respektonin  në Gjermani, zbuluan identitetin e tyre të vërtetë në territoret e pushtuara". Prandaj, këta martirë thirren "martirë të lirisë fetare".

Thirrje për të rinjtë, që të bëhen Apostuj Misionarë

Homelia e Kardinalit Hollerich përfundon me një thirrje drejtuar të rinjve katolikë që ta ndjekin plotësisht Krishtin: në këtë mënyrë, jeta është e bukur. Dëshmia e martirëve është "e rëndësishme për të ardhmen e Kishës në Evropë". E njëjta dashuri për Jezusin, që i frymëzoi të bëhen "apostuj misionarë", shpreson Kryeipeshkvi i Luksemburgut, duke kujtuar fjalët e Papës Françesku, që i pëlqente t'i përsëriste: “Kthesa fillon në kokë, por duhet të kalojë përmes zemrës”.

"E ju të gjithë, të rinj të Francës e të Evropës, ju që nuk shihni më kuptim në jetën tuaj, ju që kërkoni një identiteti cili  do t'ju mbajë gjallë, shikoni Krishtin, Princin e Paqes, mësoni prej Tij, si prej vëllezërve tuaj më të mëdhenj, martirëve, të bekuarve, për të mirën e vëllezërve dhe motrave tuaja!".

15 dhjetor 2025, 12:17