Kërko

Shtegtarët gjatë Jubileut të Shpresës 2025 Shtegtarët gjatë Jubileut të Shpresës 2025

Sot përfundon Viti Jubilar në Kishat e veçanta

Viti Jubilar përfundon sot, e diel, 28 dhjetor 2025, në Kishat e veçanta, sipas Bulës së Jubileut të Papës Françesku. Në këtë ditë, "duhet kujdes që Populli i Zotit të jetë në gjendje t’i mirëpresë plotësisht në hirin e Zotit si mesazhin e shpresës, ashtu edhe shenjat që dëshmojnë për efikasitetin e tij", thuhet në Bulë (Spes non confundit, 6).

R.SH. / Vatikan

Hapja solemne e Vitit Jubilar në Kishat e veçanta u zhvillua të dielën, më 29 dhjetor 2024. Ipeshkvijtë caktuan Kisha ose Kapela ku besimtarët të mund të merrnin ndjesën e plotë të Jubileut brenda territorit të dioqezave të tyre, njësoj si ata që bënin shtegtime në Romë.

Shtegtarë të Shpresës

Motoja e Jubileut të vitit 2025 ishte "Peregrinantes in Spem" - “Shtegtarët e Shpresës”. Në Bulën e Shpalljes së Vitit Jubilar, Papa Françesku shprehu bindjen se të gjithë do të shpresojnë. Shpresa është e pranishme në zemrën e çdo njeriu si  dëshirë dhe pritje për të mirën, ndonëse nuk dihet se çka do të sjellë e nesërmja. Papa pati theksuar se shpesh hasim njerëz të dëshpëruar, që e shohin të ardhmen me skepticizëm dhe pesimizëm, të bindur se asgjë nuk mund t'u sjellë lumturi. Në këtë situatë, Papa Françesku shprehu besimin se Jubileu do të ishte mundësi për t’u ringjallur të gjithëve shpresën.

Mbyllja e Portës Shenjte në bazilikat papnore

Mbyllja e Portës Shenjte në bazilikat papnore të Romës, është shenjë e dukshme e ditëve të fundit të Vitit Shenjt. Ditën e Krishtlindjes, u kremtua riti i mbylljes së Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Marisë së Madhe, kryesuar nga Kardinali Rolandas Makrickas.

"Zemra e Zotit mbetet e hapur", theksoi kryeprifti i Bazilikës Liberiane, që i nxiti të pranishmit të dëgjonin me vëmendje Fjalën e Zotit, për ta mirëpritur tjerin e për faljen. Shpresa është dritë për t’u shndërruar në lutje e  kujdes për të varfrit, në mënyrë që të jetë Kishë "me Ungjillin në duar e me vëllezërit në zemër", theksoi Kardinali Makrickas.

Të shtunën, 27 dhjetor, u mbyll Porta Shenjte në Lateran. "Sot, duke mbyllur Portën Shenjte, lartojmë himnin e falënderimit për Atin e për të gjitha shenjat e dashurisë së tij për ne, ndërsa ruajmë në zemrat tona vetëdijen dhe shpresën që mbetet e hapur për të gjithë popujt: përqafimin e tij të mëshirës dhe të paqes", deklaroi Kardinali Vikar Baldassare Reina, Kryeprift i Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran,  që kryesoi ritin e mbylljes.

Sot, e diel, 28 dhjetor, Kardinali James Harvey, Kryeprift i Bazilikës së Shën Palit Jashtë Mureve, në Romë, do të kryesojë Bashkëkremtimin Eukaristik me ritin e mbylljes së Portës Shenjte.

6 janar: përfundimi i Jubileut

Papa Leoni XIV do ta përfundojë Jubileun e zakonshëm duke mbyllur Portën Shenjte në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan më 6 janar 2026, Solemnitetin e Ujit të Bekuar.

Duke njoftuar mbylljen e Portës Shenjte, Papa Françesku pati uruar: "Arriftë tek çdo njeri Drita e shpresës së krishterë si lajm i dashurisë së Zotit, drejtuar të gjithëve! E Kisha qoftë dëshmitare besnike e këtij mesazhi në çdo skaj të botës!" (Spes non confundit, 6).

28 dhjetor 2025, 15:33