Bazilika Shën Palit, mbyllet Porta Shenjte. Kard. Harvey: shpresa nuk i shmang krizat e botës
R.SH. / Vatikan
Shpresa e krishterë nuk i shmang luftërat, krizat, padrejtësitë e as konfuzionin që e jeton bota sot. Këtë theksoi Kardinali James Michael Harvey, Kryeprift i Bazilikës Papnore të Shën Palit Jashtë Mureve, në Romë, në homelinë e tij gjatë bashkëkremtimit eukaristik, që e kryesoi sot, 28 dhjetor, me ritin e mbylljes së Portës Shenjte. Të shpëtosh, të ikësh nga realiteti i kufizimeve dhe papërsosmërive tuaja - kjo është historia kolektive e plagosur e sotme. Ose të mbetesh, i lidhur me zinxhirë në burgjet e tua të brendshme, duke lejuar që dorëzimi të bëhet zakon dhe pastaj plagë. Dy lëvizje të kundërta, por plotësuese, si hapja dhe mbyllja e një Porte Shenjte. Megjithatë, në këto dy të fundit, ne ruajmë kujtimin e një mëshire që nuk konsumohet, të një "shpëtimi të dhënë tashmë" që, pasi përfshihet në histori, bëhet farë e aftë të mbijë pa u vyshkur. Ky është horizonti i kuptimit i theksuar nga kardinali.
Paqja dhe shpresa e vetme
Dielli, mbi shtatoren e Shën Palit, në qendër të portikut të Bazilikës, i ngroh besimtarët që janë mbledhur, duke zbutur temperaturat e ftohta të dimrit. Dera e Shenjtë ndodhet në të djathtë të fasadës. Poshtë kryqit të saj është mbishkrimi "Spes unica". E "shpresa e vetme", siç do të kujtojë kardinali amerikan në Meshë, qëndron në "Kryqin e Krishtit": shpresë "Pashkësh" që buron nga dhurata e pakushtëzuar e vetes dhe "lulëzon në jetën e re të ringjalljes". Në vend të kësaj, fraza e gdhendur në Portën Shenjte, që i ka shoqëruar shtegtarët gjatë gjithë vitit - "Ad sacram Pauli cunctis venientibus aedem - sit pacis donum perpetuumque salus" - bëhet shpresë më e vazhdueshme se "dhurata e paqes" e mund të përhapet vërtet në një botë të prekur nga "luftërat, krizat, padrejtësitë dhe konfuzioni".
Mbyllja e Portës Shenjte
Riti i mbylljes shoqërohet nga një heshtje kundruese, që e shoqëron Kardinalin Harvey drejt Portës Shenjte, tre panelet e së cilës të kujtojnë tre vitet përgatitore për Vitin Shenjt 2000, porositur nga Shën Gjon Pali II dhe kushtuar Atit, të pasur në mëshirë, Shpirtit Shenjt, në krye të ungjillëzimit dhe Birit Shëlbues. Kardinali Harvey gjunjëzohet para saj dhe, pas disa çastesh kujtimi lutës, i mbyll dyert.
Shpresat në "vështirësitë e jetës"
Gjithmonë duhet kohë për të arritur në një përfundim, theksoi Kardinali Harvey në homelinë e tij, "ndërsa mëshira e Zotit mbetet gjithmonë e hapur". Ftesa synon pikërisht vazhdimin e udhëtimit të "kthesës e të shpresës" të frymëzuara nga Viti Shenjt. Në vendin besuar kujtimit të Shën Palit, fjalët nga Letra drejtuar Romakëve jehojnë me forcë të veçantë: "shpresa nuk të zhgënjen", dhe e shoqërojnë të gjithë Jubileun. Një "moto" që është shumë më tepër: "deklaratë" e vërtetë besimi. Apostulli i popujve, ia beson këto fjalë historisë me vetëdijen e "vështirësisë së jetës", pasi ka jetuar burgun, persekutimin dhe "dështimin e dukshëm". Megjithatë, shpresa nuk dështon, sepse nuk bazohet në aftësi të brishta njerëzore, por "në dashurinë besnike të Zotit".
Hyrja në Hapësirën e Mëshirës
Dera e Shenjtë nuk është thjesht prag material, por portë për t'u kaluar, duke lënë pas "atë që e rëndon zemrën" për të hyrë në "hapësirën e mëshirës". Kalimi i saj do të thotë, shton Kryeprifti Kardinal, të heqësh dorë nga çdo "pretendim i vetëkënaqjes" dhe t'ia besosh veten përvujtërisht "Atij të vetmit që mund t'i japë kuptim të plotë jetës sonë". Porta është e lidhur edhe me udhëtimin pendestar, si vend "rihyrjeje në bashkësi" dhe "shenjë e kthimit në shtëpinë e Atit". Një gjest që, me kalimin e viteve, nuk e ka humbur fuqinë e tij simbolike: "Zoti nuk ia mbyll kurrë derën njeriut; njeriu është i thirrur të kalojë nëpër të".