««Shën Agustini dhe Krishtlindjet - Gëzim për të gjithë»
R.SH. / Vatikan
«Ai është i shtrirë në një grazhd por përmbledh në vetvete të gjithë universin. Ai thith nga një gji, por është buka e engjëjve. Ai është mbështjellë me pak pelena, por na vesh me pavdekësi. Ai pin gji, por adhurohet. Ai nuk gjen strehë në një han, por ndërton një tempull për Veten në zemrat e besimtarëve të Tij».
Kështu shkruante Shën Agustini në predikimin e tij 190. Janë disa predikime të shkruara në një prozë poetike për Krishtlindjet që na kanë mbërritur nga ipeshkvi i Hiponës. Këto perla të çmuara na çojnë në thelbin e festës që kremtohet më 25 dhjetor - Mishërimi i Zotit është tema kryesore e meditimeve të tij. Fjala, nga përjetësia ku banon Ai, hyri në kohë, në historinë e njerëzimit.
Ai u bë mish dhe vendosi të lindte në një«grazhd» të thjeshtë ku mund të përmblidhet «e tërë gjithësia». Kështu, me një përulësi të mrekullueshme, hyjnia u fsheh. Në fakt, Shën Agustini ndalet për të medituar dhe për t’u thelluar gati në mënyrë obsesive te dy vargje nga prologu i Ungjillit të Shën Gjonit: «Në fillim ishte Fjala, dhe Fjala ishte në Hyjin, dhe Fjala ishte Hyj. (...) Dhe Fjala u bë njeri e banoi ndër ne». Këto vargje duket se bëhen lajtmotivi i këtyre meditimeve të shumta letrare-eksegjetike në lidhje me Krishtlindjen.
Duke vijuar më tej, Shën Augustini shton: «Dita e sotme na shtie ndërmend se i Përjetshmi lindi nga Virgjëra, sepse i Përjetshmi i lindur nga Virgjëra e shenjtëroi ditën e sotme» (Fjalimi 188). E tashmja për të cilën flet ai nuk kufizohet vetëm në të tashmen e tij, por bëhet e tashmja e të gjithë burrave dhe grave të të gjitha kohërave, ashtu si njerëzimi i Krishtit i cili sot, ashtu si edhe nesër - është në qendër të festimit të Krishtlindjes.
Një Mishërim që kthehet në sinonim të misterit të shëlbimitpër të gjithë njerëzit. Dhe ky fakt është i rëndësishëm sipas Shën Augustinit, aq sa e thekson disa herë, sepse kjo gjë ndodhi falë «barkut të një gruaje të vetme» e cila «mbante atë që qiejt nuk mund ta përmbajnë. Maria mbajti në bark mbretin tonë, ajo mbajti atë në të cilin jetojmë ne, ajo i dha gji Atij që është buka jonë. Brishtësi e madhe dhe përulësi e mrekullueshme ku hyjnorja u fsheh plotësisht!» (Predikimi 184).
Kush tregohet i përulur është i gëzuar. Përulësia, një fjalë tjetër kyçe për të kuptuar kuptimin e Mishërimit. Në veprën e tij «Jeta e Krishterë», Shën Augustini pati shkruar: «Për të shëruar krenarinë, rrënjën e çdo të keqeje, Biri i Zotit zbriti në tokë dhe përuli veten. Zoti e përuli veten për ju. Ndoshta ti turpërohesh që imiton një njeri të përulur, të paktën imito Zotin e përulur. Biri i Zotit erdhi, ai erdhi në një trajtë njerëzore dhe e përuli veten.» Prandaj, është rruga e përulësisë ajo që e ndihmon njeriun të përulet, të adhurojë më të përulurin e të përulurve - Zotin që u mishërua «në trajtë njerëzore».
Por së bashku me përulësinë, është e nevojshme të përmendim një fjalë tjetër: gëzimin. Ata që janë të përulur janë të gëzuar dhe Krishtlindja na mëson pikërisht këtë përulësi. Është një gëzim «demokratik», siç do të përkufizohej sot, sepse është një gëzim i kapshëm për të gjithë ngaqë secili është i thirrur të jetojë dhe të shijojë ditën e festës së sotme.
Kështu, në Predikimin 184, Shën Augustini thotë: «Gëzohuni, virgjëra të shenjtëruara: Virgjëra lindi atë me të cilin mund të martoheni pa e humbur vajzërinë tuaj. Gëzohuni, ju të drejtë - është lindja e atij që ju shpaguan. Gëzohuni, ju të ligësht dhe të sëmurë - është lindja e Shpëtimtarit. Gëzohuni, të burgosur - është lindja e Shëlbuesit. Gëzohuni, skllevër - është lindja e Zotit. Gëzohuni, ju të lirë - është lindja e Çlirimtarit. Gëzohuni, të gjithë ju të krishterë - është lindja e Krishtit.»