Kërko

Selia e Shenjtë nxit kthimin e fëmijëve ukrainas në familjet e tyre Selia e Shenjtë nxit kthimin e fëmijëve ukrainas në familjet e tyre

Selia e Shenjtë në OKB: fëmijët ukrainas duhet të kthehen në familjet e tyre

Misioni i Përhershëm Vëzhgues i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara vazhdon angazhimin e tij, edhe përmes Kardinalit Matteo Zuppi, për të siguruar kthimin e fëmijëve në Ukrainë, si dhe lirimi i të burgosurve të luftës. Një rezolutë e OKB-së miratuar në Nju Jork i bën thirrje Rusisë për kthimin e menjëhershëm, të sigurt dhe pa kushte të të gjithë të miturve ukrainas "që janë transferuar me forcë ose janë deportuar"

R.SH. /Vatikan

Selia e Shenjtë do të vazhdojë përpjekjet e saj për të siguruar kthimin e fëmijëve ukrainas në familjet e tyre, edhe "përmes përpjekjeve të të Dërguarit Veçantë të Papës për Çështjet Humanitare në Ukrainë, Kardinalit Matteo Zuppi", dhe për të siguruar lirimin e të burgosurve të luftës. Kjo është ajo që thuhet në deklaratën e Misionit të Përhershëm Vëzhgues të Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, gjatë një Seance të Jashtëzakonshme Emergjente të Asamblesë së Përgjithshme, një mundësi për të ripohuar inkurajimin e palëve të përfshira në konfliktin në Ukrainë, si dhe të komunitetit ndërkombëtar, "që të vazhdojnë të punojnë" për kthimin e fëmijëve, "që është një çështje drejtësie dhe nuk duhet të errësohet nga konsideratat politike".

Hapja e dialogut

"Lufta e zgjatur në Ukrainë", vazhdon Misioni i Përhershëm Vëzhgues i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, "me pasojat e saj të thella dhe të dhimbshme, ka çuar në shkatërrimin e qyteteve dikur të gjalla dhe në shkatërrimin e jetës së fëmijëve, të cilët duhet të rriten në një mjedis paqësor dhe pa konflikte". Prandaj, apeli i Vatikanit është për një "armëpushim të menjëhershëm, i cili do të hapte rrugën për dialog të sinqertë dhe të guximshëm", për t'i dhënë fund luftës, "jo në një kohë të papërcaktuar në të ardhmen, por tani", sepse "çdo ditë që kalon, numri i viktimave rritet, shkatërrimi përhapet dhe urrejtja thellohet. Çdo ditë pa paqe vjedh diçka nga i gjithë njerëzimi". Selia e Shenjtë fton kombet e mbledhura në OKB në Nju Jork të "hedhin poshtë pasivitetin dhe të ofrojnë mbështetje konkrete për çdo iniciativë që mund të çojë në negociata të vërteta dhe paqe të qëndrueshme".

Rezoluta e OKB-së

Asambleja e Përgjithshme i bëri thirrje Rusisë, me një rezolutë jo-detyruese të miratuar me 91 vota pro, 12 kundër dhe 57 abstenime, për "kthimin e menjëhershëm, të sigurt dhe të pakushtëzuar të të gjithë fëmijëve ukrainas që janë transferuar ose deportuar me forcë", duke i kërkuar Moskës "të ndërpresë çdo praktikë të mëtejshme të deportimit, ndarjes nga familjet, ndryshimit të shtetësisë, birësimit ose kujdesit familjar dhe indoktrinimit", dhe duke shprehur "shqetësim të thellë për fatin e fëmijëve ukrainas të ndarë nga familjet e tyre që nga viti 2014, viti kur Moska aneksoi Krimenë, duke përfshirë ata të transferuar brenda territorit të pushtuar ukrainas dhe ata të deportuar në Rusi".

05 dhjetor 2025, 10:48