Santa Maria Maggiore, mbyllet Porta e Shenjtë. Kard. Makrickas: zemra e Hyjit mbetet e hapur
R.SH. – Vatikan
Tingujt e “La Sperduta”, kambanës së lashtë që thërret në kuptimin e shtegtimit, shoqërojnë mbylljen e Portës së Shenjtë të Bazilikës papnore të Santa Maria Maggiore, në Romë. Në muzg të 25 dhjetorit, solemniteti i Krishtlindjes së Zotit, në një Romë të lagur nga një shi i pandërprerë, janë të shumtë shtegtarët që, brenda tempullit marian, marrin pjesë në ritin e lashtë, të kryesuar nga kardinali Rolandas Makrickas. “Ndërsa e mbyllim këtë Portë të Shenjtë, besojmë se zemra e të Krishtit të Ngjallur, burim i pashtershëm i jetës së re, mbetet gjithmonë e hapur për kë shpreson në Të”, pohon ai.
Një rit i lashtë dhe solemn
Pastaj, në heshtje, kardinali ngjitet shkallëve që të çojnë te Porta. Dhe, po në heshtje, gjunjëzohet mbi prag, duke qëndruar në lutje. Më në fund, ngrihet dhe mbyll kanatet e derës së Bazilikës së Zojës së Madhe. Ka kaluar pothuajse një vit që nga hapja e tyre, më 1 janar 2025. Zgjedhja për t’i mbyllur më 25 dhjetor nuk është rastësore: në Santa Maria Maggiore, në fakt, ruhen reliket e Djepit të Shenjtë ku u vendos Jezusi Foshnje sapo lindi.
Të bëhemi dyer të hapura për të tjerët
“Ajo që mbyllet nuk është hiri i Zotit, por një kohë e veçantë e Kishës; ajo që mbetet e hapur përgjithmonë është zemra e Hyjit mëshirplotë”, nënvizon kardinali Makrickas gjatë Meshës që pason ritin dhe që gjallërohet nga Kapela muzikore Liberiane, e cila pikërisht në këtë Vit Jubilar kremton 480-vjetorin e themelimit të saj formal. “Sot pamë të mbyllej Porta e Shenjtë – thekson sërish kardinali Makrickas –, por porta që ka vërtet rëndësi mbetet ajo e zemrës sonë: hapet kur dëgjon Fjalën e Zotit, zgjerohet kur pret vëllain, forcohet kur fal dhe kërkon falje”. Prej këtej, ftesa për të kujtuar se “kalimi i Portës së Shenjtë ka qenë një dhuratë dhe që nga sot, duhet të bëhemi dyer të hapura për të tjerët, ky është misioni ynë për të ardhmen”. Kështu, një gjest i thjeshtë dhe solemn bëhet “kujtesë mirënjohëse dhe mision guximtar”.
Një Jubile, dy Papë
Në homeli, kryeprifti i Bazilikës së Zojës së Madhe thekson veçantinë e Jubileut të shpresës që po shkon drejt përfundimit: një Vit i Shenjtë i nisur nga Papa Françesku dhe i vazhduar më pas me Papën Leoni. Një precedent i ngjashëm gjendet vetëm në Vitin e Shenjtë të vitit 1700, i hapur nga Inoçenti XII dhe i mbyllur nga Klementi XI. Por sot, ashtu si atëherë, bëhet fjalë për “një kalim dëshmie dhe udhëheqjeje që na dhuron imazhin e jetës së Kishës që nuk ndërpritet kurrë”. Sepse “Zoti kurrë nuk e braktis Kishën e Tij”.
Paqja është e mundur
Jubileu i shpresës, vijon kardinali Makrickas, ka qenë “një kohë në të cilën Kisha i ka shpallur, edhe një herë mbarë botës, se Zoti nuk është larg, se paqja është e mundur, se mëshira është më e fortë se mëkati”. Dhe, në gjurmët e Papëve Bergoglio dhe Prevost, kard. Makrickas kujton se shpresa nuk është iluzion, as shmangie, as optimizëm naiv, por “forcë konkrete që hap rrugë të reja”, “vendim në shenjë dashurie”, “pjesëmarrje në jetën e Fjalës së Zotit të bërë njeri, dritë që asnjë natë nuk mund ta shuajë”.
Shpresa lind nga mikpritja
Viti jubilar, pra, nuk është “një ngjarje për t’u arkivuar me përfundimin e saj, por një ftesë për të qëndruar në dëgjim të Birit të Zotit, sepse pa dëgjimin e Fjalës së Zotit, shpresa shuhet”. Shembulli për t’u ndjekur, shton kardinali Makrickas, është ai i Marisë Virgjër, Ajo që “u ka mësuar të gjithëve se shpresa lind nga mikpritja: të pranojmë Hyjin në jetë, të pranojmë tjetrin, të pranojmë të ardhmen pa frikë”. Vetëm kështu, pra duke e lënë Zotin të hyjë në zemër, mund të hapet Porta e vërtetë e Shenjtë, “ajo e mëshirës, e pajtimit, e vëllazërisë”.