Një darkë Krishtlindjesh për të varfrit, në zemër të Kishës
R.SH. / Vatikan
Tryeza të rrumbullakëta të pajisura me mbulesa të bardha, me pjata e gota të kuqe e me karrige të bardha, të gjitha rreth e rreth Kolonadës së Berninit, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, një ambient që pak restorante me yje Michelin mund ta përballojnë.
Në orën 6:00 të mbrëmjes së kaluar, më 7 dhjetor, gjithçka ishte përgatitur me kujdes për mysafirët më të çmuar para syve të Zotit: afërsisht 120 të varfër, që zakonisht jetojnë pranë Shën Pjetrit.
Të mblidhesh së bashku, të ndash një vakt, të shkëmbesh mendime është skenë tipike në darkat e Krishtlindjeve. Ndaj edhe "rituali" i sivjetëm u përsërit pas përvojës së vitit të kaluar.
E organizon Famullia e Shën Pjetrit së bashku me Zyrën e Bamirësisë Papnore, falë mbështetjes së Guvernatorit të Qytetit të Vatikanit, i cili siguroi lejet dhe stafin e nevojshëm për iniciativën, si dhe Dikasterit të Vatikan për Komunikim. "Përpjekje kolektive"- e quajti Vëllai Agnello Stoia, Frat i vogël konventual dhe famullitar i Bazilikës së Shën Pjetrit.