Kërko

Në Vatikan një tryezë e rrumbullakët mbi iniciativat ndërfetare në Kazakistan

Takimi u organizua të enjten, më 11 dhjetor, nga Dikasteri i Vatikanit për Dialogun Ndërfetar. Prefekti Koovakad: "Besimet e ndryshme janë shokë udhëtimi në rrugën e së vërtetës". Presidenti i Senatit Kazak: "Dakord me Leonin XIV: dialogu është stil jetese".

R.SH – Vatikan

Deklarata konciliare mbi marrëdhëniet e Kishës Katolike me fetë jo-kristiane, Nostra Aetate, "njeh se në kohën tonë njerëzimi i afrohet gjithnjë e më shumë njëri-tjetrit me çdo ditë që kalon dhe lidhjet mes popujve të ndryshëm forcohen". Dhe, nëse kjo ishte e vërtetë në vitin 1965, pas Koncilit të Dytë të Vatikanit, është ende e vërtetë sot: popujt janë "më të lidhur tani njëri me tjetrin" dhe lidhjet e tyre "janë bërë më të forta". "Promovimi i unitetit dhe dashurisë mes popujve, madje mes kombeve" është detyra e Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Dialogun Ndërfetar. Këtë e theksoi Kardinali George Jacob Koovakad, prefekt i të njëjtit Dikaster të Vatikanit, duke pritur dje, më 11 dhjetor në Vatikan, Maulen Ashimbayev, president i Senatit të Kazakistanit dhe kreu i Sekretariatit të Kongresit të Liderëve të Feve Botërore dhe Tradicionale.

Tryezë e rrumbullakët mbi iniciativat ndërfetare të Kazakistanit

Takimi në selinë e Dikasterit, para se Ashimbayev të pritej në audiencë nga Papa Leoni XIV, u zhvillua në kuadër të tryezës së rrumbullakët me temë: "Iniciativat ndërfetare të Kazakistanit dhe lidershipi shpirtëror i Selisë së Shenjtë", organizuar nga Sekretariati i Kongresit të Liderëve të Feve Botërore dhe Tradicionale në bashkëpunim me Dikasterin e Selisë së Shenjtë për Dialogun Ndërfetar dhe Qendrën Ndërkombëtare për dialogun ndërfetar dhe ndërbesimtar.

Kjo "nismë e mrekullueshme", siç e përkufizoi kardinali Koovakad në fjalimin e tij të përshëndetjes, "ofron një moment unik takimi, për të ripërtërirë miqësinë tonë, vëllazërinë dhe bashkëpunimin tonë afatgjatë".

Deklarata e Koncilit të Dytë të Vatikanit Nostra Aetate është pra ende ylli polar i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për dialogun ndërfetar, është "burim frymëzimi dhe shprese për ne", për të "promovuar unitetin dhe dashurinë mes popujve, madje mes kombeve, duke u nisur nga ajo që kemi të përbashkët, njerëzimi ynë i përbashkët, nevojat tona themelore të përbashkëta dhe aspiratat tona".

Kardinali Koovakad më pas theksoi se edhe Papa Leoni XIV, në 60-vjetorin e shpalljes së kësaj deklarate "e lavdëroi me entuziazëm Nostra Aetate, duke pohuar se ajo ka 'hapur një horizont të ri takimi, respekti dhe mikpritjeje shpirtërore', duke na mësuar 't'u shkojmë përballë ndjekësve të feve të tjera jo si të huaj, por si shokë udhëtimi në rrugën e së vërtetës; të nderojmë dallimet duke pohuar në të njëjtën kohë njerëzimin tonë të përbashkët; dhe të dallojmë – përfundoi prefekti Koovakad – në çdo kërkim të sinqertë fetar, një reflektim të Misterit të vetëm hyjnor që përqafon gjithë krijimin'".

Kërkimi i një "terreni të përbashkët"

"Jemi dëshmitarë të një rritjeje të dhunës dhe ksenofobisë në mbarë botën – tha presidenti i Senatit të Kazakistanit Ashimbayev pasi falënderoi për organizimin e nismës – si dhe tentativave për të shfrytëzuar tensionet për të promovuar ideologji radikale dhe për të përhapur gjuhë urrejtjeje. Kjo tendencë amplifikohet më tej nga potenciali i paprecedentë i teknologjive moderne dixhitale".

Në këtë situatë, është tejet i rëndësishëm roli i feve dhe përgjegjësitë e liderëve të tyre janë të mëdha. Ata "si ruajtës të vlerave morale dhe shpirtërore, luajnë një rol thelbësor në kërkimin e një terreni të përbashkët që bashkon njerëzit pavarësisht nga feja, përkatësia etnike apo politike e tyre", vazhdoi Ashimbayev. Presidenti i Senatit Kazak në fund "bashkëndau plotësisht urtinë e fjalëve të Papës Leoni XIV" mbi dialogun, ” i cili nuk është një "taktikë apo një mjet, por një stil jetese, një udhëtim i zemrës që transformon të gjithë ata që marrin pjesë në të".

12 dhjetor 2025, 09:18