Përgatitja e pemës së Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan Përgatitja e pemës së Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan

Më 15 dhjetor inaugurimi i bredhit dhe i shpellës së Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit

Të hënën e ardhshme, në orën 17:00, do të ndizet bredhi i Krishtlindjes ardhur nga dioqeza italiane e Bolzano-Bressanone dhe do të inaugurohet Shpella e Krishtlindjes që vjen nga dioqeza italiane e Nocera Inferiore-Sarno.

R.SH. - VAtikan

Kanë mbetur vetëm pak ditë deri në inaugurimin e shpellës së Belehemit dhe ndezjes së pemës së Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit. Të hënën, më 15 dhjetor, në orën 17:00, është parashikuar ceremonia që do të kryesohet nga motra Raffaella Petrini, presidente e Guvernatoratit të Shtet Qytetit të Vatikanit, së bashku me kryeipeshkvin imzot Emilio Nappa dhe avokatin Giuseppe Puglisi-Alibrandi, sekretarë të përgjithshëm të së njëjtës strukturë. Shpellat dhe pema e Krishtlindjes do të qëndrojnë të ekspozuara deri në përfundim të kohës së Krishtlindjes, që përkon me festën e Pagëzimit të Zotit, të dielën më 11 janar 2026.

Audienca me Papën

Në mëngjesin e së hënës, më 15 dhjetor, sipas një komunikate të Guvernatorit të Vatikanit, Papa Leone XIV do të presë në audiencë delegacionet e dioqezave italiane të Bolzano-Bressanone dhe Nocera Inferiore-Sarno, të kryesuara nga ipeshkvijtë përkatës, së bashku me përfaqësuesit e komunave Lagundo e Ultimo dhe të komunave të territorit Agro Nocerino-Sarnese. Pikërisht nga këto zona vijnë bredhi dhe Shpella e Krishtlindjes së vendosur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Pranë Papës do të jetë edhe delegacioni i Kostarikës që ka realizuar, në Sallën Pali VI, në Vatikan, veprën Nacimiento Gaudium, të artistes kostarikane Paula Sáenz Soto, e cila ka dashur të theksojë jo vetëm mesazhin e paqes së Krishtlindjes, por edhe të bëjë një apel botëror për mbrojtjen e jetës që nga ngjizja.

Një skenë e Lindjes e frymëzuar nga Shën Alfons Maria de Liguori

Skena e Lindjes së Jezusit (Shpella Betlehemit) në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan është projektuar dhe zhvilluar në dioqezën e Nocera Inferiore-Sarno, Itali. Në një njoftim të kësaj dioqeze thuhet se “skena e lindjes së Jezusit është vendosur mbi një drejtkëndësh 17 x 12 metra, me një lartësi maksimale prej 7.70 metrash. Ajo paraqet elemente karakteristike të territorit, si Pagëzimorja e Santa Maria Maggiore në Nocera Superiore, shatërvani Helvius i Sant’Egidio del Monte Albino dhe oborret tipike të Agro Nocerino-Sarnese; elemente arkitekturore ku kanë jetuar Shën Alfonsi Maria de Liguori, Shërbëtorët e Zotit Don Enrico Smaldone dhe Alfonso Russo, të gjitha të pasuruara me simbole dhe elemente që theksojnë trashëgiminë jomateriale, enologjike dhe gastronomike të tokës së kësaj zone. Dyshemeja paraqet rrugët e lashta romake me pllaka guri. Mbi të janë ankoruar barinjtë në lartësi natyrore së bashku me disa figura kafshësh. Ideja ka qenë të bashkojë artin dhe spiritualitetin në një skenografi që kujton fenë dhe traditën”.

Druri do të ricklohet

Nga Val d’Ultimo, në provincën e Bolzanos, Itali, vjen bredhi madhështor i kuq, i lartë 25 metra dhe me peshë 80 kuintalë. Është një dhuratë nga bashkitë e Lagundo dhe Ultimo. Përveç bredhit të krishtlindjes, në Vatikan do të sillen edhe 40 pemë të tjera të përmasave më të vogla, të blera dhe që vijnë nga kultivime të dedikuara, për t'u shpërndarë në zyrat, vendet publike dhe pallatet e Selisë së Shenjtë. Në fund, nga degët e gjelbra të bredhit të Krishtlindjes do të nxirren vajra esencialë të prodhuar nga firma austriake Wilder Naturprodukte, ndërsa pjesa tjetër e drurit do t'i dhurohet një shoqate bamirëse për riciklimin me qëllim respektimin e krijimit.

Një shpellë Betlehemi në mbrojtje të jetës

Përfaqësimi i Lindjes së Krishtit në Sallën Pali VI, në Vatikan, Nacimiento Gaudium, paraqet figurën e Virgjërës Mari në gjendje shtatzënie dhe një bashkësi prej 28.000 shiritesh shumëngjyrëshe, secili prej të cilëve përfaqëson një jetë të ruajtur nga aborti falë lutjes dhe mbështetjes së ofruar nga organizata katolike për shumë nëna në vështirësi.
Shpella e Krishtlindjes ka përmasa pesë metra në gjatësi, tre në lartësi dhe dy metra e gjysmë në thellësi. Duke respektuar traditën — me praninë e Jozefit, të Tre Mbretërve, të barinjve dhe të kafshëve — vepra sjell një element origjinal: dy paraqitje të ndryshme dhe të ndërkëmbyeshme të Zojës Mari. Gjatë kohës së Ardhjes do të ekspozohet një statujë e Marisë shtatzënë, simbol i pritjes dhe i shpresës; natën e Krishtlindjes, kjo do të zëvendësohet me një figurë të Virgjërës të gjunjëzuar në adhurim të Fëmijës së porsalindur.
Në djepin e Jezusit do të vendosen gjithashtu 400 shirita me lutje dhe dëshira të shkruara nga pacientët e vegjël të Spitalit Kombëtar të Fëmijëve të San Jose-s, në Kosta Rika.

09 dhjetor 2025, 13:35