Mbyllet Porta Shenjte në Lateran. Kardinali Reina: trashëgimia e Jubileut
R.SH. / Vatikan
"Sot, duke mbyllur Portën Shenjte, i lartojmë Hyjit Atë një himn falënderimi për të gjitha shenjat e dashurisë së tij ndaj nesh, ndërsa ruajmë në zemrat tona vetëdijen dhe shpresën se përqafimi i tij i mëshirës e i paqes mbetet i hapur për të gjithë popujt". Lutja e Kardinalit Kryeprift Baldassare Reina jehoi në hyrjen e Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran. Sot paradite, 27 dhjetor, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, "Nënën e të gjitha Kishave" u kremtua solemnisht riti i mbylljes së Portës Shenjte. Kardinali Reina ngjiti shkallët në heshtje, pastaj u gjunjëzua në prag, në lutje. Më pas u ngrit dhe e mbylli derën e madhe, duke përkulur kokën në shenjë nderimi. Pas tij, shumë besimtarë iu afruan pragut dhe vendosën mbi të duart, në një gjest lutjeje dhe përkujtimi.
Duke e çuar Zotin në rrugët e Romës
Ishte 29 dhjetori 2024, kur u hap e njëjta Portë. Atëherë, ishte festa e Familjes Shenjte; sot është përkujtimi liturgjik i shën Gjonit Apostull e Ungjilltar, "dishepullit që u bë miku më i dashur i Jezusit", theksoi kardinali Reina gjatë homelisë së Meshës. Gjoni kishte "ecur me Jezusin, kishte dëgjuar zërin e tij, madje edhe atë pa fjalë, të zemrës së tij, duke i vënë veshin në kraharor të Jezusit", vazhdoi Vikari i Papës për dioqezën e Romës. Duke ndjekur shembullin e shën Gjonit Apostull, besimtarët e pranishëm - përfshirë kryetarin e bashkisë së Romës Roberto Gualtieri dhe prefektin Lamberto Giannini - ftohen të jenë "shërbyes të mëshirës së Zotit", duke e lejuar Zotin "të gjejë përmbushjen e tij në një qytet, ku shumëkush e ka humbur shpresën".
Pesha e mungesës
Nuk është e mundur - theksoi Kryeprifti Kardinal – ta shpallësh fenë e krishterë, pa u shqetësuar për ata, për peshat që duhet të mbartin, dhimbjen që vuajnë, padrejtësitë që durojnë": nuk janë në gjendje të perceptojnë asgjë tjetër, përveç mungesës. Kjo mungesë, të cilën Reina e përshkruan në të gjitha aspektet e saj dramatike, është mungesë "solidariteti në hendekun ndërmjet periferisë dhe qendrës; vëmendjeje ndaj vështirësive ekonomike dhe ekzistenciale; vëllazëri në të cilën ne dorëzohemi, madje edhe në presbiter, për të qenë vetëm ose për të na lënë vetëm". E akoma: "Mungesa, në të cilën familjet shkapërndahen, lidhjet dobësohen, brezat kundërshtojnë njëri-tjetrin, varësitë bëhen zinxhirë"; mungesa e "drejtësisë nuk arrin t'i përgjigjet thirrjes së lartë të politikës për t’i lëvizur pengesat, në mënyrë që të gjithë të kenë mundësi të barabarta për të realizuar veten, për t’i dhënë formë ëndrrave të tyre, për ta ushqyer dinjitetin me punë dhe paga të drejta, për të pasur një shtëpi, për të qenë i mbrojtur e i kujdesur në brishtësinë e vet".
Ta mundësh pasigurinë, për të shndërruar qytetin
Zemrat e shumë njerëzve - vazhdon kardinali - janë të rënduara nga mungesa "e vizionit dhe e mendimit, në një kohë kur pasionet trishtohen, gjykimet përmblidhen, informacioni humbet kontaktin në kërkimin e së vërtetës e kultura nuk ka më mësues të besueshëm". Pa përmendur "mungesën e paqes në një botë ku mbizotëron logjika e më të fortit". E gjithë kjo mungesë profecie "e lë Zotin të heshtur", theksoi kryeprifti, duke i nxitur besimtarët të kundërshtojnë "çdo inerci, në mënyrë që ta takojnë Zotin" dhe ta transformojnë "qytetin tonë", në të gjitha skutat e tij "sociale dhe ekzistenciale".
T’i njohim të gjithë si vëllezër
Kjo, shtoi kardinali, është "shpresa që i shtyu shtegtarët e panumërt t’i lënë gjurmët e hapave të tyre në rrugët tona, të rënduar nga barrët në zemrat e tyre" dhe ngulitën "përkëdheljet e tyre" në Portën Shenjte, duke kërkuar Zotin dhe mëshirën e Tij. E ky është mësimi, që Jubileu i jep çdo besimtari: "Një sakrament i përhapur i afërsisë së Zotit të surprizave". Ngaqë, edhe nëse Porta Shenjte tani është e mbyllur, "i Ngjalluri kalon nëpër të dhe nuk lodhet kurrë së trokituri, për të ofruar e për të gjetur mëshirë". Për më tepër, kujtoi Kard. Reina, në fund të kohës "ne do të gjykohemi nga Dashuria", duke qenë në gjendje t'i njohim të gjithë si vëllezër, përfshirë "edhe ata që i konsiderojmë armiq".
Kisha e Romës të jetë laborator i sinodaliteti
Në "epokën e re" që tani po fillon për Dioqezën e Romës, Kardinali Vikar na fton të bashkojmë "lutjet dhe përpjekjet tona për të qenë vend që zbulon praninë e Zotit, që dëshmon afërsinë e tij duke u bërë fqinj me njëri-tjetrin, pa harruar askënd". Vetëm në këtë mënyrë - theksoi Kard. Reina, duke cituar Leonin XIV dhe fjalimin e tij të mbajtur më 19 shtator në Dioqezën e Romës - Kisha mund të bëhet "laborator sinodaliteti, e aftë për të realizuar Ungjillin".
Të mbetet e ndezur flaka e shpresës.
Lutja për një Kishë "gjithnjë e më të shenjtë e më të frytshme" u lartua edhe gjatë uratës universale. Në Vitin Jubilar, u lartua lutja që "flaka e shpresës" e rindezur në zemrat e besimtarëve "të vazhdojë të digjet në bashkësi, të mbështesë hapat e pasigurta dhe të dyshimta, të ngushëllojë ata që janë në sprova dhe ta bëjnë secilin dëshmitar të gëzueshëm të Ungjillit".
Së fundi, u ofrua një qëllim i veçantë, duke i kërkuar Zotit të zhdukë "errësirën e së keqes që ende mbështjell botën dhe t’u prijë hapave të popujve në rrugën e paqes".
Para se të japë bekimin fundmë solemn, Kardinali Reina u shprehu falënderimet të gjithë atyre që punuan në vitin 2025. Kujtoi edhe afërsinë e Papës, përshëndeti Kryeipeshkvin Rino Fisichella, Pro-Prefekt i Dikasterit për Ungjillëzim dhe përgjegjës për organizimin e Jubileut, i cili ishte i pranishëm në Meshë; shprehu mirënjohje për autoritetet civile e ushtarake, që garantuan sigurinë gjatë këtij Viti Shenjt; falënderoi edhe vullnetarët e besimtarët e shumtë të dioqezës, që u treguan "bamirësi dhe mikpritje" shtegtarëve të shumtë. E, siç u njoftua ditët e fundit, i ftoi të rinjtë në takimin me Leonin XIV, në program për datën 10 janar, në Sallën Pali VI. Së fundi, uroi që viti i ri të jetë "i pasur me paqen e Zotit e të popujve". Kremtimi përfundoi me këngën tradicionale të Krishtlindjes, "Tu scendi dalle stelle" – “Ti zbret nga yjet”, kënduar nga kori i dioqezës së Romës, drejtuar nga Imzot Marco Frisina.
Porta Shenjte
Në historinë e Jubileve, Porta Shenjte e Bazilikës së Lateranit - e vendosur në anën e djathtë të portikut - ishte e para që u hap gjatë Vitit Shenjt 1423. Ishte Papa Martini V, i varrosur para altarit të lartë, i pari që e kaloi Portën e cila, që atëherë, u bë simboli kryesor shtegtimit të Jubileut: kalim nëpër pragun e vërtetë, që është Krishti, për të marrë dhuratën e hirit të Tij. Porta Shenjte aktuale u krijua nga skulptori Floriano Bodini, me rastin e Jubileut në vitin 2000. Vepra paraqet Zojën me Foshnjën, me Krishtin e Kryqëzuar dhe me stemën e Shën Gjon Palit II. Nëna mbron Foshnjën që shtrihet drejt Kryqit, për të pohuar me flijim, Hyjninë e tij të amshuar.
Ritet e tjera të mbylljes
Porta Shenjte e Shën Gjonit në Lateran ishte e dyta nga portat e bazilikave papnore që u mbyllën. Pasditen e 25 dhjetorit, në Solemnitetin e Lindjes së Zotit, ishte radha e Shën Marisë së Madhe, me ritin e kryesuar nga Kardinali Kryeprift Rolandas Makrickas.
Nesër, të dielën, 28 dhjetor, në Festën e Familjes Shenjte, do të jetë radha e Shën Palit jashtë Mureve. Kremtimin do ta kryesojë Kardinali Kryeprift James Michael Harvey. Së fundi, më 6 janar, në Solemnitetin e Epifanisë së Zotit, Leoni XIV do të mbyllë Portën Shenjte të Bazilikës së Vatikanit.
Homelia me rastin e mbylljes së Portës së Shenjtë – Katedralja e Shën Gjonit në Lateran, 27. 12. 2025
Liturgjia e Fjalës e këtij kremtimi eukaristik me rastin e mbylljes së Portës së Shenjtë na përcjell një faqe të Ungjillit e cila përmbledh misterin e Krishtlindjes, që porsa e kremtuam, me atë të Pashkëve, duke vulosur kështu unitetin e afërsisë së dëftimit të Hyjit.
Është festa e Shën Gjonit, dishepullit që u bë miku më i dashur i Jezusit. Mik i cili eci bashkë me të, dëgjoi zërin e tij, edhe atë pa fjalë, në zemrën e tij, duke e mbështetur veshin në gjoksin e Tij. Duke ndjekur fjalët që e përshkruajnë ndërsa rendte drejt varrit ku ishte varrosur mësuesi dhe miku i tij, edhe ne na përshkon pyetja e cila bashkon vrapin e Marisë Madalenë me atë të Pjetrit.
Varri është bosh, ku ta kërkojmë? Vallë, nuk qe kjo pyetja e shumë shtegtarëve që erdhën në qytetin tonë gjatë këtij viti? Nuk është kjo pyetja e shumë prej atyre që do të donin ta takonin Jezusin në jetën e tyre? Ku ta kërkojmë Zotin? Kështu, ata që mbërritën në vendin ku kishte lindur, i braktisur, në një stallë, u befasuan kur gjetën aty Birin e Hyjit. E njëjta surprizë që patën edhe ata që ndjeheshin të padenjë për vështrimin e Hyjit, dhe gjetën sytë e Jezusit që i kërkonte si mëkatarë, të gërbulur, të vobektë.
Ç’do të thotë kjo befasi për dioqezën tonë? Unë, i pari, ndjehem rojtar i mundësisë që kjo surprizë të gjejë hapësirë pranë nesh në kumtimin e ungjillit, të banojë ndër bashkësitë tona, të mishërohet në misionin tonë si meshtarë të mëshirës së Hyjit, të përftojë vërtetësi në një qytet në të cilin shumëkush e ka humbur shpresën. A mund ta shprehim besimin tonë pa u shqetësuar për ata që për shkak të barrës që mbajnë, të dhimbjes që ndjejnë, për padrejtësitë që u bëhen, nuk arrijnë të shohin asgjë tjetër përveç se një varr bosh, shenjën më të dukshme të mungesës?
Mungesës së solidaritetit në hendekun e madh ndërmjet qendrës dhe periferisë. Mungesës së vëmendjes kundrejt varfërisë ekonomike dhe ekzistenciale. Mungesës së vëllazërimit së cilës i dorëzohemi që të mbetemi të vetmuar ose të na lërë vetëm, madje edhe në misionin meshtarak. Mungesës ku familjet shpërbëhen, lidhjet familjare ligështohen, brezat kundërshtojnë njëri-tjetrin, varësitë kthehen në vargonj. Është mungesa e drejtësisë që nuk i përgjigjet thirrjes tepër të lartë të politikës për të hequr pengesat në mënyrë që secili të gjejë mundësi të barabarta për t’u realizuar, për t’u dhënë trajtë ëndrrave të veta, thelbi i dinjitetit, me një punë dhe rrogë të drejtë, për të pasur një shtëpi, që të mbrohet e të ndjejë se dikush kujdeset për të në pikat e dobëta të veta.
Mungesa e vizionit dhe e mendimit në një kohë kur pasionet janë mbushur me trishtim, gjykimet janë përgjithësuar, informacionet e kanë humbur kontaktin me kërkimin e së vërtetës dhe as kultura nuk ka më mjeshtra të besueshëm. Mungesa e paqes në botë në të cilën mbizotëron logjika e më të fortit. Mungesa e profecisë e cila e shurdhon Hyjin.
Ne që shpallemi si besimtarë hyjmë në gjenealogjinë e atyre që kanë dëgjuar, kanë parë dhe e kanë prekur Fjalën e jetës, sikurse dëgjuam te Letra e Parë e Shën Gjonit. Dhe atë që kemi dëgjuar, parë dhe prekur do të duhej ta kumtonim duke shfaqur praninë në këtë mungesë, duke iu kundërvënë çdo amullie, në mënyrë që të bëhet i mundur takimi me Zotin. Një kumtim që bashkë me fjalët përcjell edhe një veprim, përfshin të gjitha shqisat, duke e shndërruar qytetin tonë.
Duhet të jemi misionarë të shndërrimit në të gjitha vendet ku jeton dhe ekziston shoqëria: duhet t’i shndërrojmë marrëdhëniet tona, ta lirojmë fytyrën e fshehur të Shëlbuesit i cili me vdekjen e vet e mundi vdekjen. Është kjo shpresë që vuri në lëvizje shtegtarët e panumërt të cilët lanë nëpër rrugët tona shenjat e hapave të rënduar nga peshat që ndrydhnin zemrat e tyre. Ata kapërcyen Portën e Shenjtë për të gjetur Atë që po kërkonin. Në portën e katedrales sonë mbetën të shënuara përkëdheljet e të gjithë atyre që u përshkuan aty për të kërkuar mëshirën e Hyjit.
Çfarë na la ky vit jubilar? Na la një sakrament të përhapur kudo, se Hyjin e befasisë e kemi pranë. Dhe nëse tashti po e mbyllim Portën, e dimë se i Ringjalluri mund të kalojë edhe kur dyert janë të mbyllura, dhe nuk lodhet kurrë së trokituri në portat tona të mbyllura, për të sjellë dhe për të gjetur mëshirë hyjnore. Po, për të gjetur, sepse edhe Ai e kërkon atë. E në fakt, na ka folur edhe për të papriturën e tij të fundit, që do të ngjasë atëherë, kur në fund, do të gjykohemi sipas dashurisë, sipas mëshirës hyjnore, sipas gotës së ujit që u kemi dhënë të eturve; sipas kafshatës së bukës që u kemi dhënë të uriturve; sipas afërsisë që kemi shfaqur me ata që janë në burg; ose të sëmurë; sipas të veshurit të atyre që ishin të zhveshur; sipas pritjes që i bëmë të huajit (krh. Mt. 25, 31-46). Duke ia bërë këto më të voglit prej vëllezërve tanë, ia kemi bërë Atij. Dhe sa shpresë ka në të kuptuarit se jemi të gjithë vëllezër, duke përfshirë edhe ata që i mbajmë si armiq.
Po fillon një kohë e re dioqezën tonë. Le t’i bashkojmë uratët tona me përpjekjet tona për t’u bërë një vend që shfaq praninë e Zotit, që dëshmon afërsinë e tij, duke u bërë të afërm të njëri-tjetrit, pa harruar askënd, siç bën edhe Bariu i mirë.
Ati i Shenjtë, në fjalimin e mbajtur këtu më 19 shtator me rastin e hapjes së vitit të ri baritor në dioqezën tonë, na bëri thirrje të fuqishme për disa përgjegjësi: «E pra, tashti na përket neve t’i përvishemi punës, në mënyrë që Kisha që gjallon në Romë të bëhet një laborator sinodal, e aftë – me ndihmën e Hyjit – të realizojë «faktet e Ungjillit», në një panoramë kishtare në të cilën nuk mungojnë punët e lodhshme, veçanërisht në përçimin e besimit, në një qytet ku ka nevojë për profeci, të prekur nga varfëria e shumfishtë ekonomike dhe ekzistenciale, me të rinj të çorientuar dhe familje të rënduara nga barra.»
Në këtë etapë të re që po hapet para nesh, na ndihmoftë Shën Gjon ungjilltari, dishepulli i dashur! Ndërhyftë për ne Virgjëra e Shenjtë, Nëna e besimit, e Dashurisë Hyjnore, dhe Shpëtimi i popullit romak, sepse me të, sikur duke ndërthurur fjalët e njerëzve me Fjalën e Hyjit, mund të hartojmë lutjen tonë «Magnificat» për të shprehur rishtas profecinë e një historie të re të mundshme, ku gjithçka është e përmbysur dhe së bashku mund të pohojmë se «gjëra të mëdha ka bërë për ne i Plotfuqishmi»