Kërko

Mesha e Lumturimit në Katedralen e Jaén-it Mesha e Lumturimit në Katedralen e Jaén-it

Lumnohen 124 martirë spanjollë, Kard. Semeraro: dëshmitarë të dashurisë, për të vërtetën dhe drejtësinë

Dje, në Jaén, u kremtua Mesha e Lumnimit të 124 priftërinjve, rregulltarëve dhe laikëve, të gjithë viktima të Luftës Civile Spanjolle. Prefekti i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve: "Ata e shndërruan vuajtjen në shpengim e gjakun në farë ungjillëzimi"

R.SH. / Vatikan

Jo heronj, as luftëtarë për ideologjinë e tyre, por dëshmitarë të guximit të vërtetë, të aftë për të vuajtur "për dashurinë, të vërtetën, drejtësinë". Kështu i përshkroi Kardinali Marcello Semeraro, Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Çështjet e Shenjtorëve, 124 martirët e dioqezës spanjolle të Jaén, shpallur të lum dje, e shtunë, 13 dhjetor, në Katedralen e qytetit, titulluar “Të ngjiturit e Marisë në Qiell”. Mesha u bashkëkremtua nga Ipeshkvi Sebastián Chico Martínez dhe dy paraardhësit e tij, Ramón del Hoyo López dhe Amadeo Rodríguez Magro, së bashku me kardinalë, prelatë dhe priftërinj të shumtë nga rajone të ndryshme të vendit.

Histori e dhimbshme dhe e ndritshme

 Duke kryesuar ritin në emër të Leonit XIV, kardinali Semeraro kujtoi "historinë e dhimbshme, e njëkohësisht të ndritshme, ndodhur gjatë ngjarjeve të luftës civile të shekullit të kaluar", të të Lumve të rinj, shpallja e të cilëve u shoqërua me tingujt e kambanave dhe duartrokitjet e fuqishme nga asambleja. Ishin 110 priftërinj, një rregulltare e Urdhrit të Shën Kjarës dhe trembëdhjetë laikë. Mund të ndahen në dy grupe kryesore: i pari, i udhëhequr nga Ati Manuel Izquierdo Izquierdo me 58 shoqërues; i dyti, i lidhur me figurën e Atë Antonio Montañés Chiquero, me 64 vetë. Të gjithë, viktima të luftës, të cilën e përballuan me një armë të vetme: dashurinë. Aq sa vdiqën duke falur torturuesit e tyre.

Shpresa nuk i dorëzohet së keqes

Falja e martirizimit është "fryt i shpresës që nuk i dorëzohet së keqes", shpjegoi Imzot Semeraro, duke kujtuar Spe Salvi, enciklikën e dytë të Benediktit XVI, përvjetori i tretë i të cilit do të festohet më 31 dhjetor. Në atë dokument, kujtoi prefekti, Papa teolog theksoi se si rrethana të caktuara në jetë kërkojnë "shpresë të madhe": janë ato çaste në të cilat "kemi nevojë për miq, vëllezër dhe motra e që, me dëshminë e tyre, na ndihmojnë të kuptojmë se është e mundur të ecim përpara, se mund ta bëjmë". Këta dëshmitarë dhe martirë që "e dhuruan plotësisht vetveten" për dashurinë, na ndihmojnë ta zgjedhim "edhe në zgjedhjet e vogla të përditshme, të mirën - mbi rehatinë, duke e ditur se kjo është vërtet mënyra se si duhet jetuar jeta", komentoi kardinali Semeraro.

Në rrezik, për diçka më të madhe

Forca shpirtërore e figurave, si ato të të lumve të rinj, theksoi kardinali, qëndron në "masën e njerëzimit", domethënë në "aftësinë e tyre për të vuajtur për dashurinë e për të vërtetën". Një vuajtje që, shtoi ai, "lind nga shpresa dhe dashuria për gjithçka që është e vërtetë, e drejtë, e shenjtë". Është "gatishmëri për ta vënë veten në rrezik për diçka më të madhe". Pikë e dobishme në kontekstin aktual kulturor në të cilin "ikja nga vetja po rritet" e, bashkë me të, mënyrat e marrjes së jetës së dikujt "po bëhen gjithnjë e më të thjeshta".

Ndërsa, siç thekson Leoni XIV, "jetesa thërret kuptimin, drejtimin, shpresën, sepse pa shpresë, jeta rrezikon të shfaqet si një parantezë ndërmjet dy netëve të përjetshme, pauzë e shkurtër ndërmjet para e pas kalimit tonë mbi Tokë".

Farët e ungjillëzimit

Megjithatë, të lumt e rinj spanjollë janë "dëshmia më e lartë e fesë së krishterë", ajo që "mishëron dashurinë e plotë për Krishtin dhe për vëllezërit tanë, duke e shndërruar vuajtjen në shpengim e gjakun, në farën e ungjillizimit". Shembulli i tyre, theksoi në vijim Kardinali Semeraro, nuk është diçka që duhet konsideruar e përfunduar në shekujt e kaluar. E kjo, sepse "sot ka më shumë martirë, sesa në ditët e para të Kishës", siç e vëren edhe Papa Françesku në disa raste.

Virtyti i krishterë i forcës

Duke ndjekur 124 martirët e Jaén-it, pra, Prefekti i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve na kujton se mund të provohet e të ruhet "dëshira për të qenë të guximshëm në dëshminë e Jezusit". Së bashku me këtë, përfundon, duhet të theksohet edhe virtyti i krishterë i forcës, që na bën "ta mposhtim frikën, madje edhe frikën e vdekjes", duke pasur parasysh fjalët e Jezusit:

"Kini besim: unë e kam mundur botën".

14 dhjetor 2025, 14:52