Kërko

Jubileu i Personave me Aftësi të Kufizuara - Imzot Rino Fisichella, 2025.04.29 Jubileu i Personave me Aftësi të Kufizuara - Imzot Rino Fisichella, 2025.04.29

Imzot Fisichella: Jubileu, la farë shprese për botën

Flet Pro-Prefekti i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Ungjillëzimin, Imzot Kryeipeshkvi Fisichella: mbi 32 milionë shtegtarë në Romë dëshmojnë etjen e përshpirtërisë së një njerëzimi të frikësuar e të plagosur.

R.SH. / Vatikan

Është sinqerisht "i kënaqur" nga suksesi i Jubileut 2025, edhe pse ishte  vit "shumë i rëndësishëm". Pro-Prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzimin, Kryeipeshkvi Imzot Rino Fisichella, delegat i Papës për organizimin e ngjarjeve të Jubileut, e quajti "pozitiv" Vitin Shenjt 2025. Vetëm pak ditë nga mbyllja e katër Portave Shenjte, numrohen mbi 32 milionë shtegtarët që tashmë kanë ardhur në Romë nga çdo vend i botës dhe nga pothuajse të gjitha dioqezat italiane. Papa Leoni XIV, siç dihet, do të kryesojë ritin e mbylljes së Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit më 6 janar 2026. E ky rit do të shënojë përfundimin e Jubileut të Shpresës.

Shkëlqesia Juaj, çfarë trashëgimie u la të krishterëve dhe historisë ky Vit i Shenjtë?

Jubileu i foli botës për një Kishë në udhëtim. Unë besoj se figura më e përshtatshme për t’i përshkruar këto dymbëdhjetë muaj, është ajo e shtegtarëve të panumërt, që e bënë udhëtimin drejt Portës së Shenjtë. Ishte përvojë e bukur, sepse përshkruante një Kishë të gjallë duke u lutur dhe duke kërkuar Zotin e vet. Përgjegjësia që na lë ky vit kaq intensiv është, para së gjithash, vetëdija se shpresa e mbështet udhëtimin tonë. Ne, si të krishterë, duhet të jemi "shtegtarë të shpresës", njerëz të vërtetë, në një botë që, le ta kujtojmë gjithnjë, është e ndezur nga 56 luftëra. Si besimtarë, morëm guximin për të qenë dëshmitarë të "shpresës që nuk zhgënjen", jo vetëm aty ku konfliktet e armatosura janë të zjarrta, por edhe kudo që mbretërojnë iluzioni, pasiguria dhe dëshpërimi. Trashëgimia tjetër është vetëdija e etjes së madhe për përshpirtërinë, që banon në kaq shumë burra dhe gra. Çdo Jubile, pastaj, ka karakterin e vet të veçantë, e kjo varej nga prania masive e mjeteve dixhitale.

Shumë shtegtarë mbërritën në Romë nga vende në luftë. Si mendoni se u kthyen në shtëpi nga kjo përvojë?

"Kthimi" është qëllimi i Jubileut, i cili nuk përfundon kur kalohet nëpër Portën Shenjte, por kur dikush kthehet në bashkësinë e tij. Përgjatë Via della Conciliazione, në Romë pranë Vatikanit, pamë duke ecur të krishterë nga Ukraina, Palestina, Nigeria dhe shumë vende të tjera në konflikt. Jubileu e pa mbarë botën në Romë. Shumë i shkruan Dikasterit të Vatikanit  për Ungjillëzimin, pasi u kthyen në dioqezat e tyre, për të thënë se kishin pasur pikërisht përvojën që u nevojitej dhe e ndjenin urgjencën për ta ndarë me të tjerët. Le të mos harrojmë se Jubileu është përvojë ungjillizimi. Nuk është rastësi, që iu besua këtij seksioni të Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Ungjillëzimin.

Gjatë Jubileut të të Burgosurve, Papa u kërkoi përsëri vendeve "forma amnistie ose faljeje të dënimeve" për të burgosurit, siç është shkruar në Bulën e njoftimit. A do të jetë në gjendje kjo farë të mbijë?

Zëri i Papës për këtë çështje u dëgjua kryesisht gjatë Jubileut të Qeverive, kur përsëriti nevojën për t'i bërë ballë borxhit ekologjik. Pastaj Leoni XIV e përsëriti thirrjen gjatë Jubileut të të Burgosurve, por gjithmonë duke përdorur termin "forma" në shumës, duke i ftuar qeveritë të gjenin atë që e konsideronin zgjidhjen më efektive. Gjatë ngjarjes së Jubileut kushtuar të burgosurve, disa gjykatës paraqitën në një konferencë propozime për të zgjidhur problemin e mbipopullimit të burgjeve. Pra, do të thoja se zëri i Papës Françesku dhe i Leonit XIV shkaktuan reflektime, që shpresojmë se së shpejti do të përhapën ​​në debatin publik dhe do të zgjidhen në nivel parlamentar.

Një çast, që nuk do ta harroni kurrë?

Ndërmjet ngjarjeve të tjera, që mund t’i përmend, është sigurisht Jubileu i adoleshentëve, i cili përkoi me funeralin e Papës Françesku. Ata të rinj, me entuziazmin e tyre të jashtëzakonshëm, u prekën thellësisht nga një çast trishtimi, si funerali i Papës Bergoglio. Pastaj, sigurisht, gjatë Jubileut të Rinisë, është përvoja unike e Tor Vergatës, ku 1.2 milion të rinj kombinuan kohën e festimit me një përvojë të gjatë heshtjeje dhe lutjeje. Unë besoj se kjo mbetet ikona më e bukur e Jubileut të Shpresës. Së fundmi, do të doja të theksoja edhe bukurinë e ekspozitave në serinë "Jubileu është Kulturë", falë të cilave qindra mijëra njerëz patën mundësi të vëzhgonin nga afër kryeveprat e Dali-t, Chagall-it, El Greco-s, dhe tani të Caravaggio-s dhe Rubens-it, në kishën e Shën Anjezes, në Agone.

Ky Vit Shenjt i zakonshëm mund të quhet "i jashtëzakonshëm" për shumë arsye, para së gjithash, e padyshim, vdekja e Bergoglio-s dhe zgjedhja e Prevostit, që i ndryshuan kalendarët dhe programet. Si i trajtuat këto çaste?

Organizimi i një Jubileu nuk është i thjeshtë. Logjistikisht sfidat, të mëdha dhe të vogla, u trajtuan së bashku me autoritetet civile, falë Tryezës së Rrumbullakët Institucionale, të cilën unë vetë ia propozova Kryeministrit të atëhershëm italian, Mario Draghi, dhe Komitetit të Koordinimit të Jubileut. Jam gjithashtu i kënaqur që u shpik një neologjizëm për të përshkruar këtë sinergji politike dhe institucionale: "Metoda e Jubileut". Është e bukur, sepse ilustron se si një përvojë shpirtërore krijoi bashkëpunim të mirëfilltë ndërmjet qeverisë, rajonit dhe bashkisë së Romës. Rezultat i pashoq.

Pas tetë vjetësh është koha për Jubileun e Shëlbimit...

Ky Jubile është përgatitur për një vit e gjysmë, por do të duheshin të paktën pesë të tjerë. Të mos harrojmë se Viti Shenjt 2033 është i krahasueshëm, në thellësi të kuptimit, me Jubileun e Madh të vitit 2000. Këta dymijëvjeçarë të historisë së Shëlbimit, duhet të përgatiten dhe të jetohen nga Kisha me një intensitet të pashoq, por ato do të jenë edhe provë tjetër për Romën. Për Vitin Shenjt që sapo përfundoi, u kryen afërsisht 200 vepra, ndërmjet infrastrukturave të reja dhe rinovimeve, për ta bërë qytetin e Romës më mikpritës, më të bukur e më të sigurt për të gjithë.

(nga Avvenire, 26 dicembre 2025)

28 dhjetor 2025, 09:25