Kërko

Krishtlindja në Betlehem, kard. Pizzaballa: paqja arrihet vetëm duke takuar zemra të lira

Patriarku Latin i Jeruzalemit, Kardinali Pierbattista Pizzaballa, kryesoi Meshën e Natës së Krishtlindjes në Bazilikën e Lindjes, në Betlehem, përplot me besimtarë, shumë prej të cilëve mbetën në këmbë. Krishtlindja, tha Patriarku, na fton të rizbulojmë fuqinë e dashurisë e të solidaritetit dhe të kapërcejmë logjikën e pushtetit.

R.SH. / Vatikan

Në Kishën e mbushur plot bashkëkremtuan më shumë se njëqind meshtarë e ipeshkvij, ndërsa dhjetëra njerëz mbetën në këmbë. Betlehemi mblodhi një numër shumë të madh besimtarësh, që nuk ishin parë që nga fillimi i luftës në Gaza, në tetor 2023. Gaza ishte gjithashtu në krye të mendimeve të Kardinalit Pizzaballa. Gjatë predikimit, kujtoi shkatërrimin që pa me sytë e tij ditët e fundit gjatë një vizite në famullinë e Familjes Shenjte të Atë Gabriel Romanellit, ku strehohen 400 vetë, në pritje të rindërtimit.

Patriarku Latin i Jeruzalemit foli, gjatë homelisë, edhe për rindërtimin: "Vuajtja është ende e pranishme në Gaza - pohoi ai - familjet jetojnë ndër rrënoja. E ardhmja është ende e brishtë dhe e pasigurt. Plagët, të thella". Megjithatë, kardinali pohoi me forcë e duke theksuar qëndrueshmërinë e banorëve të Gazës, se këto situata të vështira "nuk janë fryt i fatit, por i zgjedhjeve politike, i përgjegjësisë njerëzore, i vendimeve që shpesh i vënë interesat e një pakice, para interesave të të gjithëve".

Jezusi, drita që mposht errësirën

Dy vitet e luftës ndikuan thellësisht në jetën e palestinezëve, veçanërisht të më të prekshmëve. Kushtet e shumë familjeve u keqësuan ndjeshëm gjatë konfliktit: vende pune të humbura, mungesë shtegtimesh, pasiguri e vazhdueshme, lëvizshmëri e kufizuar dhe kontrolle ushtarake të detyruara. Shumëkush ndjehet si i burgosur në tokën e vet. Megjithatë, "Krishtlindja na fton të shohim përtej logjikës së sundimit, të rizbulojmë fuqinë e dashurisë, të solidaritetit, të drejtësisë" - theksoi Patriarku Latin. Edhe Jozefi e Maria ishin të ligshtë, të përfshirë në një histori, që nuk mund ta kontrollonin, e duke i dhënë jetë një projekti, që nuk ishte i tyre. Jezusi lindi "natën e njerëzimit", "në pasiguri dhe frikë". Ai është ajo dritë që kundërshton fuqinë sunduese, dritë që mposht errësirën.

Mirëpriteni paqen në zemrën tuaj

Dëshira e Betlehemit për paqe u ndje gjatë gjithë ditës në Sheshin Manger. Njerëzit e Betlehemit ishin të gëzuar, madje të lumtur, që më në fund mundën të kremtonin Krishtlindjen duke parakaluar nëpër rrugë, duke kënduar e duke kërcyer sipas ritmit të daulleve dhe fanfarave në procesionin e gjatë që shoqëroi Kardinalin Pizzaballa nëpër rrugët e Qytetit të Vjetër. Gëzimi që Patriarku  Pizzaballa hasi gjatë rrugës, ndërsa përshëndeste njerëzit e mbledhur rreth tij pothuajse një nga një, në predikimin e tij u shndërrua në thirrje për përgjegjësi:

"Paqja bëhet e vërtetë vetëm nëse gjen zemra të gatshme ta mirëpresin e duar të gatshme ta mbrojnë”, deklaroi ai. Toka e Shenjtë është udhëkryq popujsh e besimesh - xhamia ngjitur me Bazilikën e Lindjes dëshmon për këtë - si dhe teatër tensionesh dhe konfliktesh, që vënë në pikëpyetje "përgjegjësinë e prijësve vendas e të bashkësisë ndërkombëtare, por edhe, duke filluar nga unë, të autoriteteve fetare e morale".

Këtë kujtoi Kardinali Pizzaballa, që më pas vërejti:

"Çdo gjest pajtimi, çdo fjalë që nuk ushqen urrejtjen, çdo zgjedhje që vendos dinjitetin e të tjerëve në qendër, bëhet vend ku paqja e Zotit mishërohet". Kështu, drita e Betlehemit kalon "nga zemra në zemër", "përmes gjesteve të thjeshta, fjalëve pajtuese, falë burrave dhe grave të cilët lejojnë që Ungjilli të mishërohet në jetën e tyre".

Betlemi në festë

Që nga pasditja e hershme, pas mbërritjes së Patriarkut dhe fjalëve të tij të falënderimit për turmën dhe kthimin e gëzimit të Krishtlindjeve pas dy vitesh festimesh minimale, vendi shenjt u vesh për festë: rrugët u ndriçuan ndërsa binte mbrëmja, shfaqje dritash u projektuan në muret e Bazilikës dhe pema e madhe e ngritur në Sheshin Manger u ndriçua, duke zbuluar skenën e madhe të lindjes nën degët e saj. Shitësit ambulantë u ofruan kalimtarëve specialitete lokale të kuzhinës shoqëruar me vin brulè- verë të nxehtë. Një treg i vërtetë Krishtlindjesh mori formë për të mirëpritur familjet dhe fëmijët, të krishterët dhe myslimanët.

Natën e Lindjes së Krishtit paqja sundoi në Betlehem.

25 dhjetor 2025, 14:18