Sekretari i Shtetit Kardinal Piero Parolin viziton Mozambikun Sekretari i Shtetit Kardinal Piero Parolin viziton Mozambikun

Kardinali Parolin:le të mos i harrojmë viktimat e konfliktit të Cabo Delgado-s

Intervistë me Sekretarin e Shtetit të Selisës së Shenjtë , kardinalin Pietro Parolin mbi vizitën e tij të fundit në Mozambik, ku u takua me persona të shpërngulur që iknin nga milicitë islamike.

R.SH. / Vatikan

Andrea Tornielli

Cabo Delgado rrezikon të zbresë në kategorinë e «konflikteve të harruara». Kështu u shpreh me mediat e Vatikanit Sekretari i Shtetit, kardinali Pietro Parolin, i cili u kthye së fundmi nga një vizitë në Mozambik.

Shkëlqesia Juaj, a mund të na tregoni se çfarë realiteti patë, me çfarë vështirësish përballet ai vend dhe çfarë shpresash vutë re?

Vizita ime në Mozambik, nga 5 deri më 10 dhjetor, më bëri të jetoj rishtas ndjenjat e gëzimit dhe emocionit të vizitës apostolike me Papa Françeskun në shtator të 2019. Sigurisht, tashti që kanë kaluar gjashtë vjet, shumë gjëra kanë ndryshuar. Ajo që nuk ka ndryshuar është mirëpritja e njerëzve. Është atmosfera e Afrikës, e cila është menjëherë mbresëlënëse! Udhëtimi përmbushi tre qëllime: festimin e 30-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike midis Selisë së Shenjtë dhe Mozambikut; mbylljen e Ditës Kombëtare të Rinisë; dhe vizitën në Cabo Delgado.

Pritja përkujtimore për 30 vjet marrëdhënie diplomatike u zhvillua më 5 dhjetor në Nunciaturën Apostolike në Maputo. Prania e Presidentit të Republikës, Shkëlqesisë së Tij z. Daniel Francisco Chapo, ish-Presidentit Joaquim Chissano dhe përfaqësuesve të qeverisë dhe opozitës më dha mundësinë të përsëris se Mozambiku ka nevojë për paqe. Pas një periudhe trazirash të rënda sociale dhe dhune pas zgjedhjeve të fundit të përgjithshme, vendi ka gjetur prap qetësinë. Megjithatë, për të forcuar bashkëjetesën paqësore dhe për të nxitur reformën institucionale, ka nisur një proces i dialogut kombëtar gjithëpërfshirës, i cili shpresoj të jetë i suksesshëm; gjithashtu për t'u dhënë shpresë të rinjve që përbëjnë shumicën e vendit dhe entuziazmin e të cilëve e përjetova gjatë Meshës së Shenjtë që mbylli Ditën Kombëtare të Rinisë.

A keni pasur mundësi të vizitoni komunitetet e personave të shpërngulur në provincën Cabo Delgado, viktima të kryengritjes xhihadiste që ka kapluar Mozambikun verior që nga viti 2017. Çfarë situate gjetët dhe në çfarë kushtesh jetojnë njerëzit atje?

Kalova dy ditë në Cabo Delgado për të shprehur afërsinë dhe solidaritetin e Kishës universale dhe të Atit të Shenjtë me popullsinë që vuan nga dhuna terroriste xhihadiste. Sulmet nga grupet e armatosura, të cilat që nga gjysma e dytë e vitit 2023 janë përhapur në të gjithë provincën e Cabo Delgado-s, janë shtrirë deri në provincat e Nampula-s dhe Niassa-s. Më 6 shtator 2022, misionarja italiane Comboni, Motra Maria De Coppi u vra në misionin Chipene, në dioqezën e Nacala-s, në provincën e Nampula-s. Ky konflikt ka shpërngulur shumë njerëz, rreth 765,000 vetë, deri në fund të vitit 2023. Ka disa kampe për persona të shpërngulur në të gjithë provincën. Disa prej tyre janë strehuar nga familje vendase.

Më 9 dhjetor, shkova në kampin Naminawe, i cili strehon afërsisht 9.200 vetë, përfshirë gati 3.700 fëmijë. Ndërkaq, të tjerë vazhdojnë të vijnë. Ata jetojnë në kushte vërtet të mjerueshme. Pavarësisht mbështetjes së disa organizatave bamirëse, vuajnë nga mungesa e ushqimit, ilaçeve dhe madje edhe e ujit të pijshëm. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, cikloni Chido, i cili goditi zonën në dhjetor të vitit të kaluar, dëmtoi rëndë shtëpitë e ndërtuara me materiale të dobëta. Fëmijët në atë kamp, ​​si qindra mijëra në kampe të tjera të shpërndara në të gjithë rajonin, rrezikojnë të humbasin të ardhmen e tyre sepse u mungojnë mundësitë e duhura për arsim. Të rinjtë ndihen sikur janë bllokuar në një burg në ajër të hapur, sepse, duke mos pasur transport, nuk mund të largohen për të gjetur punë të vogla në qytetet aty pranë. Ishte një përvojë thellësisht e dhimbshme. Kaq shumë vuajtje, kaq shumë trishtim, kaq shumë pyetje pa përgjigje dolën nga ato fytyra! Nga provinca Cabo Delgado, në kufi me Tanzaninë, konflikti është zhvendosur në jug, duke prekur edhe provincën Nampula. Sipas Zyrës së OKB-së për Bashkërendimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), mbi 100,000 njerëz kanë braktisur shtëpitë e tyre javët e fundit, duke e çuar numrin e personave të shpërngulur në katër muajt e fundit në mbi 330,000.

Ka raportime për vrasje të atyre që nuk konvertohen në fenë islame. Cilat janë shkaqet e kësaj tragjedie?

Shenjat e radikalizimit filluan të shfaqen në disa zona të provincës Cabo Delgado para vitit 2017, për shkak të veprimeve të islamistëve me origjinë nga Tanzania ose që përshkoheshin nëpër të. Dhuna, e cila filloi atë vit, është përkeqësuar që nga viti 2020. Grupet e armatosura, kryesisht të përbëra nga adoleshentë dhe të rinj, të mbledhur në Ahlu Sunna Wa Jama (ASWJ), e të lidhur me Shtetin Islamik, janë të frymëzuara nga ideologjia e xhihadit dhe ëndërrojnë krijimin e Kalifatit.

24 dhjetor 2025, 10:42