Kërko

Kard. Parolin: përvujtëria dhe vogëlsia, antidot ndaj “fjalëve kërcënuese” të të pushtetshmëve

Duke kryesuar Meshën në Kishën e Institutit Dermopatik të Zojës së Papërlyer (IDI) në Romë, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Parolin fton të përgatitemi për Krishtlindje me një “zemër të çarmatosur”, duke refuzuar “arrogancën e armëve” dhe krenarinë e atyre që mendojnë se mjaftojnë vetë. Në përfundim, ai viziton repartin e onkologjisë, duke u përcjellë urimet e tij të sëmurëve.

R.SH. – Vatikan

Nuk janë të pushtetshmit, me “fjalët e tyre kërcënuese”, as zhurma e shkaktuar nga “arroganca e armëve”, ata që ndjekin “udhët e shpëtimit” që çojnë drejt një rritjeje të plotë, “deri në masën e plotësisë”. Aq më pak krenarët, “që mendojnë se mjaftojnë vetë”, pa pasur nevojë “as për Zotin, as për të tjerët”. Rrugët që duhen ndjekur janë të tjera: ato të “vogëlsisë dhe të përvujtërisë”, të atij që paraqitet me “zemër të çarmatosur” dhe me buzë që nuk shqiptojnë gënjeshtra. Kjo është porosia e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, Kardinalit Pietro Parolin, duke kryesuar sot paradite, më 16 dhjetor, Meshën në kapelën e Institutit Dermopatik të Zojës së Papërlyer (IDI), në Romë.

Tri ardhjet e Zotit

Ditët që i paraprijnë Krishtlindjes, “të mbushura me shpresë dhe dëshirë”, mbështeten nga liturgjia, e cila e merr për dore mbarë bashkësinë kishtare dhe e çon gradualisht “drejt misterit të lindjes së Shpëtimtarit Jezus”, si një zjarr “që ndriçon dhe ngroh zemrën”. Një kohë pritjeje, pra, e orientuar edhe drejt ardhjes së dytë të Zotit. Në këtë drejtim, kardinali Parolin kujtoi se ardhjet e Krishtit janë tri: e para, e ndodhur në Betlehem më shumë se dy mijë vjet më parë; ajo e ardhshme, në fund të kohërave; dhe një e tretë, që Etërit e Kishës e quajnë të “ndërmjetme”, e cila ngulitet çdo ditë në zemrën e besimtarëve dhe të bashkësisë së krishterë “përmes Fjalës dhe sakramenteve”.

Përvujtëri dhe shpresë

Koha e Ardhjes – theksoi Kardinali Sekretar i Shtetit të Vatikanit – është pikërisht një udhëtim përgatitor për ardhjen e dytë të Zotit, që kalon përmes një qëndrimi përvujtërie dhe shprese. Kard. Parolin iu rikthye më pas pjesës së leximit të parë të Meshës së 16 dhjetorit, marrë nga libri i profetit Sofonia (Sof 3,1-2.9-13), në të cilin Zoti paralajmëron: “Vaj për ty, qytet kryengritës, i papastër e mujshar! Nuk e dëgjoi thirrjen, nuk e pranoi qortimin! Në Zotin nuk pati besim, Hyjit të vet nuk iu afrua”. Një qortim që nuk ka të bëjë aq me “gurët” e qytetit, sa me klasën e tij drejtuese, e paaftë për të njohur ardhjen e ditës së Zotit dhe gjykimin e Tij, i cili – kujtoi kardinali Parolin – është “dënim për krenarët dhe gëzim për të përvuajturit”.

“Të shikojmë brenda vetes”

Fjala e Zotit bëhet kështu një ftesë drejtuar secilit, në këto ditë që i paraprijnë Krishtlindjes, për “të shikuar brenda vetes”, edhe përmes lutjes, duke pranuar se, në botën bashkëkohore të vrullshme dhe mes shumë angazhimeve të përditshme, nuk është e lehtë të krijohet një hapësirë për jetën e brendshme. Në këtë drejtim, kardinali Parolin kujtoi fillimin, pikërisht sot, të Nëntëditëshit të Krishtlindjes.

Ndjenja e “pafuqisë” përballë sëmundjes

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Parolin u ndal më pas në homelinë e tij te fragmenti ungjillor të Meshës së sotme nga Mateu (Mt 21,28-32), në të cilin Jezusi tregon shëmbëlltyrën e dy bijve: i pari, që fillimisht refuzon të shkojë të punojë në vresht, por më pas pendohet dhe shkon; i dyti, që premton se do ta bëjë, por nuk e mban fjalën. Vullnetin e atit e përmbush i pari. Zoti – shpjegoi kard. Parolin – kërkon “zemra të sinqerta” për misionin e Tij, një mision që shpaloset edhe brenda mureve të Institutit Dermopatik të Zojës së Papërlyer (IDI), një vend “familjar”, por i shënuar edhe nga përballja e përditshme me ndjenjën e “pafuqisë” përballë sëmundjes.

Vizita te të sëmurët

“Çdo ditë, në këtë vend, mund të lindë një prani e re e Shpëtimtarit Jezus për t’u pranuar”, pohoi kardinali Parolin, duke cituar sërish Etërit e Kishës, sipas të cilëve Krishti mund të lindë në një mijë mënyra: “por nëse nuk lind çdo ditë në zemrën tënde, lindja e Tij në Betlehem nuk ka asnjë vlerë”. Prej këtu buron ftesa për ta bërë Institutin Dermopatik të Zojës së Papërlyer (IDI) një “djep” të vërtetë. Në përfundim të Meshës, kardinali Parolin vendosi një shtatore të Jezusit Fëmijë nën Pemën e Krishtlindjes të ngritur në hyrje të Instituti shëndetësor. Më pas, ai shkoi në repartin e onkologjisë për t’u përcjellë urimet e Krishtlindjes të sëmurëve.

16 dhjetor 2025, 14:39