Kërko

Mesha e kremtuar nga Kardinali Müller në Bazilikën e Vatikanit për të përkujtuar Benediktin XVI tre vjet pas vdekjes së tij Mesha e kremtuar nga Kardinali Müller në Bazilikën e Vatikanit për të përkujtuar Benediktin XVI tre vjet pas vdekjes së tij

Kardinali Müller: Ratzinger, bashkëpunëtor i së vërtetës, teologjia e tij, dhuratë për Kishën

Në përvjetorin e tretë të vdekjes së Benediktit XVI, kardinali Müller kryesoi një Meshë në Bazilikën e Vatikanit. Gjatë predikimit theksoi se Papa i ndjerë "la pas një trashëgimi të madhe teologjike, me cilësi të jashtëzakonshme". Prandaj konsiderohet ndër intelektualët më të mëdhenj katolikë të ditëve të sotme. Më pas duke kujtuar se Leoni XIV mbështetet gjithashtu në trashëgiminë shpirtërore dhe teologjike të Shën Agustinit, theksoi se “për të dy Jezu Krishti është në qendër të fesë së Kishës"

R.SH. - Vatikan

Cooperator veritatis -"Bashkëpunëtor i së vërtetës": kështu e quante veten Joseph Ratzinger, pasardhësi i 264-të i Pjetrit: "bashkëpunëtor i së vërtetës", që e përfundoi jetën e tij tokësore më 31 dhjetor 2022, në moshën 95 vjeçare. Kardinali Gerhard Ludwig Müller, Prefekt Nderi i Kongregatës së Vatikanit për Doktrinën e Fesë, e kujtoi pasditen e 30 dhjetorit, në Altarin e Katedrës të Bazilikës së Vatikanit, ku kryesoi Meshën për kujtim të Benediktit XVI, në përvjetorin e tretë të vdekjes. Duke nisur liturgjinë eukaristike, i shoqëruar nga disa priftërinj si dhe Atë Federico Lombardi, President i Fondacionit të Vatikanit Joseph Ratzinger-Benedikti XVI, Kardinali pohoi se Papa Ratzinger "nuk është personalitet i së kaluarës, por anëtar i Korpit të gjallë të Krishtit, që është një në qiell dhe në tokë". Më pas kujtoi Leonin XIV:

"Ashtu si Papa Benedikti, edhe ai mbështetet në trashëgiminë shpirtërore e teologjike të Doktorit të madh të Kishës, Shën Augustinit – nënvizoi kard. Müller - prandaj të dy e vendosin Jezu Krishtin në qendër të fesë së Kishës, korpin e Krishtit, in illo uno unum sumus" –“Në atë një,  jemi një”.     

 Gjithmonë në shërbim të Fjalës së Zotit

Në predikimin e mbajtur në anglisht, Kardinali Müller përshkoi gjithë jetën e Papës gjerman i cili, si profesor i teologjisë dhe si predikatar, " e vuri veten vazhdimisht në shërbim të Fjalës". Si Prefekt i Kongregacionit për Doktrinën e Fesë, punoi me "zellin më të lartë" dhe me "saktësi intelektuale" e, si Papë, "ishte një nga teologët më të mëdhenj" në Katedrën e Pjetrit. "Na la, kështu, një trashëgimi të madhe teologjike me cilësi të jashtëzakonshme. Ndaj me të drejtë njihet si një nga intelektualët e mëdhenj katolikë të kohës sonë" - kujtoi Kardinali Müller, duke shtuar se "edhe Jürgen Habermas, përfaqësuesi më i rëndësishëm i Shkollës neomarksiste të Frankfurtit, i cili mishëron botën intelektuale të një moderniteti pa Zot", kërkoi dialog me të, i bindur se "besimtarët dhe jobesimtarët mund të bashkëpunonin për të shpëtuar botën moderne nga vdekja e ftohtë e antihumanizmit dhe trans-humanizmit".

Opera omnia

Për Prefektin e nderit të Kongregatës për Doktrinën e Fesë, teologjia e Ratzingerit "është dhuratë për mbarë Kishën" si dhe për "brezat e ardhshëm". Veprat e tij të plota, në projekt me gjashtëmbëdhjetë vëllime e me rreth 25,000 faqe, mund të studiohen nga kushdo që ka "interesa shpirtërore, teologjike, filozofike ose teorike-kulturore, si të lashta ashtu edhe të reja", ose që dëshiron të thellohet më shumë në vitin liturgjik ose në Koncilin II të Vatikanit. "Nëse një i krishterë në kërkim të frymëzimit do të trazohej në fe e do të më pyeste se çka duhet të lexojë, mbi të gjitha do t’i rekomandoja tre vëllimet mbi Jezusin e Nazaretit", vazhdoi kard. Müller, duke saktësuar se të tre librat u botuan me emrin e tij personal "për të dalluar autoritetin e tij teologjik - nga ai i Papës".

Gjatë reflektimit, kardinali Müller preku edhe "konfliktin e fesë me arsyen" që nisi nga Iluminizmi. "Shpesh u duk se përfundimet e kërkimit biblik historiko-kritik, të epistemologjisë filozofike, e madje - veçanërisht, të çështjeve që kanë të bëjnë me origjinën e universit dhe të jetës - besimi në Zotin Krijues dhe në Jezu Krishtin, Shëlbuesin e vetëm, ishin kontradiktorë", vërejti ai, duke sqaruar, megjithatë, se "nuk ka asnjë kontradiktë me të Vërtetën e zbuluar për botën e për njerëzimin" dhe se "feja nuk ka nevojë të vërtetohet nga përfundimet gjithmonë të gabueshme të shkencës empirike", pasi "bazohet në Fjalën e Zotit, nëpërmjet së cilës gjithçka që ekziston erdhi në ekzistencë". Për më tepër, "Jezusi, Zot i vërtetë dhe njeri i vërtetë, është vetë e vërteta në Vetjen e tij Hyjnore, prandaj - theksoi Kardinali Müller - njohuria jonë për Zotin në Shpirtin Shenjt është e pagabueshme dhe nuk mund të vihet në dyshim nga njohuria thjesht botërore". Kjo tregon qartë se detyra e teologëve është të demonstrojnë unitetin "ndërmjet fesë së zbuluar dhe njohurisë më të fundit laike të shprehur në teori".

Krishterimi: takim me një Vetje: Jezusin

Së fundi, kard. Müller theksoi atë që Papa Ratzinger e ka përsëritur shpesh: se "Krishterimi, me të gjitha arritjet e tij të mëdha kulturore në mësimdhënien shoqërore, muzikën dhe artin, letërsinë dhe filozofinë, nuk është teori apo botëkuptim, por takim me një vetje", Jezusin, i cili "është e Vërteta", "drita që ndriçon çdo qenie njerëzore". Ndërkohë, Kisha "nuk është organizata e krijuar nga njeriu me program madhështor etik dhe shoqëror", por bashkësia e dishepujve të Krishtit, të cilët i rrëfejnë botës se e kanë kundruar lavdinë e Tij, "si Biri i njëlindur nga Ati, plot hir e vërtetësi". Ndërmjet tyre është edhe Joseph Ratzinger, teolog, ipeshkëv, kardinal e Papë.

31 dhjetor 2025, 11:15