Kardinali You: «Letra e Leonit XIV shpreh përgjegjësinë e meshtarisë»
R.SH. / Vatikan
Leoni XIV, në Letrën Apostolike "Një besnikëri që krijon të ardhmen", kujton se meshtaria është "një shërbesë e domosdoshme në misionin e Kishës". Këtë e thekson kardinali Lazzaro You Heung-sik, prefekt i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Klerin, në një intervistë për mediat vatikane.
Hirësi, Papa Leoni XIV - disa ditë para Krishtlindjes - ka dashur të na befasojë me këtë Letër Apostolike për shërbesën meshtarake. Cilat janë përshtypjet tuaja për këtë?
Para së gjithash, dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë për zgjedhjen e Shenjtërisë së Tij për të kremtuar këtë përvjetor të gjashtëdhjetë të Dekreteve të Koncilit Dytë të Vatikanit Optatam totius dhe Presbyterorum ordinis, të cilat - ndonëse me perspektiva të ndryshme - trajtojnë jetën e priftërinjve, formimin dhe shërbesën e urdhrit meshtarak. Besoj se zgjedhja e Shenjtërisë së Tij është veçanërisht e rëndësishme, veçanërisht në një kohë kur meshtaria mund të shihet si një trashëgimi e një bote të vjetër që është e destinuar të zhduket, ose - ndoshta për shkak të skandaleve të shumta dhe të dhimbshme - si një thirrje që ka humbur tërheqjen, bukurinë dhe aktualitetin e saj. Kështu, besoj se kjo Letër Apostolike i kujton mbarë popullit të shenjtë të Zotit se meshtaria është një dhuratë e mrekullueshme, një përgjegjësi e lartë, por mbi të gjitha një shërbesë e domosdoshme në misionin e Kishës, ashtu siç e ka dashur Zoti Jezus.
"Një besnikëri që krijon të ardhmen", çfarë mendoni se janë udhëzimet kryesore të Papës për të ardhmen e meshtarisë në kuadër të misionit të Kishës?
Besoj se përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje mund të gjendet menjëherë në titullin e Letrës: nuk mund të ketë një të ardhme pa besnikëri. Besnikëria, sidomos në botën perëndimore, shpesh konsiderohet si një dis-vlerë, diçka për njerëz të palëvizur, statikë, nga kohët e kaluara. Asgjë nga kjo! E ardhmja e Kishës gjithmonë ndërtohet në një të tashme që është e lidhur me historinë, me traditën dhe që ushqehet nga këto rrënjë. Sigurisht, besnikëria nuk do të thotë mbyllje ndaj çdo lloji krijimtarie të Shpirtit Shenjt, por do të thotë - nga ana e të gjithë shërbëtorëve të shuguruar - të mbash gjithmonë një shpirt përkushtimi të brendshëm ndaj thirrjes së Zotit dhe misionit që Ai, përmes Kishës, na ka besuar. Në fakt, besnikëria është masa vetë e dashurisë. Një dashuri e vërtetë dhe autentike, jo e përqendruar te vetja, ushqehet kryesisht nga Fjala e Zotit dhe jeton nga besnikëri të vogla dhe të mëdha. Kështu, besoj se Letra e Shenjtërisë së Tij na tregon rrugën për udhëtimin që duhet të bëjmë, edhe si Dikaster i Vatikanit për Klerin, për të ruajtur, shpallur dhe rritur bukurinë e një meshtarie besnike ndaj Krishtit, Fjalës së Tij dhe Kishës.
Teksti përdor këndvështrimin e besnikërisë për të analizuar fusha të ndryshme të jetës së priftit. Cila nga këto ju duket se Papa e ka më përzemër ?
Shenjtëria e Tij thotë shprehimisht se ka veçanërisht për zemër ushtrimin efektiv të bashkimit dhe kështu të sinodalitetit në jetën e priftit. Një bashkim që realizon efektivisht atë që është tipike për natyrën e meshtarëve. Asnjë prift nuk mund të ekzistojë dhe të veprojë vetëm, por të gjithë janë të lidhur me bashkimin kishtar dhe të gjithë jetojnë të njëjtin mision me mbarështuesit e tjerë të shuguruar dhe me popullin e shenjtë të Hyjit. Pajtohem me inkurajimin e Shenjtërisë së Tij për të insistuar mbi dimensionin e bashkimit në jetën meshtarake dhe mbi marrjen e një forme sinodale që është e natyrshme për komunitetin kishtar dhe që mund të përfaqësojë konkretisht një antidot të lumtur ndaj autoreferencialitetit dhe izolimit që janë tundime të zakonshme në jetën meshtarake. Një marrëdhënie vëllazërore dhe miqësore me ipeshkvin, marrëdhënie autentike me priftërinjtë dhe diakonët dhe marrëdhënie të bashkërgjegjësisë me laikët nuk janë thjesht realitete plotësuese të jetës së meshtarit, por janë kontekste të vërteta dhe të pasura për të jetuar më mirë thirrjen dhe veçantinë e tij, që nuk shuhen në "ne", por e gjejnë aty realizimin e plotë. Një Kishë që jeton më shumë sinodalitetin nuk është një Kishë që shpërndan role ose bëhet demokratike, por që kërkon të realizojë një bashkërgjegjësi të vërtetë në bashkëndarjen e misionit kishtar sipas veçantive të secilit për rritjen e Mbretërisë së Zoti