Kard. Parolin në Mozambik për 30 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike me Vatikanin
R.SH. - Vatikan
Vizita e Sekretarit të Shtetit, Kardinalit Pietro Parolin në Mozambik filloi të premten, 5 dhjetor, me rastin e 30-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike të Selisë së Shenjtë me vendin afrikan. Sipas programit të publikuar në platformën sociale X të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, @TerzaLoggia, kardinali u takua dje me Presidentin e Republikës, Daniel Francisco Chapo. Po atë ditë, në Nunciaturën Apostolike në Maputo, u organizua një ceremoni për të përkujtuar 30-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike të Selisë së Shenjtë me Republikën e Mozambikut.
Kardinali Parolin në Mozambik
Dje u takua me Presidenten e Asamblesë së Republikës, Margarida Adamugy Talapa, Kryeministrin, Maria Benvinda Levy dhe Ministrin e Drejtësisë, Çështjeve Kushtetuese dhe Fetare, Mateus da Cecilia Feniasse Saize. Kardinali Parolin do të takohet edhe me ipeshkvijtë mozambikanë. Sot, e diel, 7 dhjetor, Sekretari i Shtetit kryesoi Meshën përfundimtare të Ditës III Kombëtare të Rinisë në stadiumin Maxaquene në Maputo, pas së cilës do të vizitojë qendrën Casa Mateus25 për të varfrit.
Më 8 dhjetor, në Solemnitetin e Zojës së Papërlyer do të vizitojë Dioqezën e Pembës, do të takohet me autoritetet civile dhe punonjësit baritorë dhe do të kremtojë Meshën. Më 9 dhjetor, Kardinali Parolin do të takohet me një grup personash të zhvendosur brenda vendit. Planifikohet gjithashtu një takim i shkurtër ndërfetar. Në ditën e fundit të udhëtimit, më 10 dhjetor, do të zhvillohet një vizitë në Qendrën DREAM të Komunitetit të Sant'Egidio në Zimpeto.