Kërko

Hapja e Derës së Shenjtë në Bazilikën e Santa Maria Maggiore Hapja e Derës së Shenjtë në Bazilikën e Santa Maria Maggiore

Jubileu, datat e mbylljes së Portave Shenjte: e para, e Shën Marisë së Madhe

Riti i mbylljes së Vitit Shenjt në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe do të kremtohet mbrëmjen e 25 dhjetorit. Do të pasohet, më pas, të shtunën, më 27, nga Bazilika e Shën Gjonit në Lateran e, të dielën, më 28, nga Bazilika e Shën Palit jashtë Mureve.

R.SH. / Vatikan

Porta Shenjte e Bazilikës së Shën Marisë së Madhe do të jetë e para e Jubileut të vitit 2025 që do të mbyllet. Ceremonia do të mbahet ditën e Krishtlindjes, në orën 17:00, dhe do të kryesohet nga Kryeprifti i Bazilikës, Kardinali Rolandas Makrickas. Pas kësaj, të shtunën, më 27 dhjetor, do të bëhet mbyllja e Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran. Riti, që planifikohet për orën 11:00, do të kryesohet nga Kryeprifti, Kardinali Baldo Reina. Të nesërmen, e dielë,  28 dhjetor, Kardinali i Bazilikës së Shën Palit jashtë Mureve, Kryeprifti James Michael Harvey, do të kryesojë të njëjtin rit të mbylljes së Portës Shenjte.

Ceremonia, në Shën Marinë e Madhe

E hapur më 1 janar 2025, Porta Shenjte e Bazilikës Liberiane  e Zojës së Madhe në Romë mirëpriti  më shumë se njëzet milionë shtegtarë e besimtarë, që kaluan plot devocion nëpër dyert e saj. Data e mbylljes nuk u zgjodh rastësisht: Santa Maria Maggiore është Bazilika e Krishtlindjes  Shenjte, kujdestare e relikeve të Djepit Shenjt ku u përkund Krishti Fëmijë i porsalindur. Ceremonia do të fillojë me këngën e Mbrëmësoreve të Dyta dhe, duke vijuar në orën 18:00 pasdite, me mbylljen rituale të Portës së Shenjtë, shoqëruar nga tingulli i Sperdutës (Të humburës), kambanës së lashtë të Bazilikës, që ka një hitori tejet interesante.

Që të lejohet përgatitja e riteve, Bazilika do të mbyllet për publikun në orën 15:00 pasdite. Hyrja do të rifillojë më pas, në orën 16:00 pasdite dhe do të lejohet, deri në  varësi të mundësisë për pjesëmarrje në festimet e planifikuara. Nuk do të mungojë  as transmetimi i tyre në ekranet e mëdha vendosur në Sheshin e Shën Marisë së Madhe,    për turmën që e ndjek nga jashtë.

Ritet në Shën Gjonin e Lateranit dhe Shën Palin Jashtë Mureve

Riti i mbylljes së Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran do të pasohet nga kremtimi eukaristik, i shoqëruar nga kori i Dioqezës së Romës e i drejtuar nga Imzot Marco Frisina. Gjatë Vitit Shenjt, Porta Shenjte e Shën Gjonit në Lateran u përshkua nga besimtarët e shumë famullive romake: bashkësitë famullitare, si individualisht, ashtu edhe të organizuara në prefektura, kryesisht zgjodhën ta festonin Jubileun e tyre në Katedralen e Romës. Besimtarët do të mund të hyjnë në bazilikë me një biletë falas nga ora 8:00 - deri në orën 10:00 të mëngjesit.

Gjatë mbylljes së Portës Shenjte të Bazilikës Papnore të Shën Palit jashtë Mureve, do të jetë e mundur të merret pjesë lirisht, pa biletë.

20 dhjetor 2025, 13:07