Kërko

Informacioni mbi Kishën në mbarë botën, në Vjetarin Papnor, bëhet dixhital

Platforma dixhitale zyrtare e Vjetarit Papnor, është e disponueshme për shkarkim nëpërmjet aplikacionit, që nga 8 dhjetori, dhe ofron një akses në të dhënat mbi Dikasteret e Kuries Romake, Dioqezat, Institutet Rregulltare dhe Nunciaturat. Projekti i Vjetarit Papnor dixhital, zhvilluar nga Sekretaria e Shtetit të Vatikanit dhe Dikasteri për Komunikimin, iu prezantua Papës Leonit XIV i cili bëri aksesin e parë në portal: "Do të jetë shumë i dobishëm për të gjithë ata që i shërbejnë Kishës".

R.SH. Vatikan

Për ipeshkvijtë ose meshtarët në rajonet më të largëta të botës, do të jetë një pikë kthese, për ata që punojnë në Kurien Romake ose dioqezat, një lehtësi e madhe, dhe sigurisht do të jetë një ndihmë e vlefshme për të gjithë adhuruesit e letrës, mbulesave prej pëlhure dhe vlerës historike të çdo produkti tjetër në letër. Shkurt, iniciativa e re e konceptuar, zhvilluar dhe prezantuar nga Sekretaria e Shtetit të Vatikanit dhe Dikasteri për Komunikim: Vjetari Papnor dixhital, do t'u sjellë dobi të gjithëve. Po, pikërisht "libri i madh" - trashëgimtar i Liber Pontificalis (koleksioni mesjetar i biografive papnore), i cili që nga mesi i shekullit të 20-të ka qenë një mjet themelor për këdo që ka nevojë të gjejë dhe të konsultohet me informacion zyrtar mbi strukturën e Dikastereve të Kuries Romake, Dioqezave, Instituteve Rregulltare, Nunciaturave Apostolike e kështu me radhë - është online që nga dita e djeshme, 8 dhjetor, solemniteti i Ngjizjes së Papërlyer të Zojës Mari. Kjo Iniciativë shënon një etapë të rëndësishme në procesin e përditësimit dhe inovacionit të mjeteve të informacionit që i shërbejnë Kishës universale.

 Leoni XIV hyn në portalin e ri dixhital të Vjetoarit Papnor.
Leoni XIV hyn në portalin e ri dixhital të Vjetoarit Papnor.

Inkurajimi nga Papa

Me qasje nga çdo pajisje - nëpërmjet shfletimit ose aplikacionit – platforma dixhitale e Vjetarit Papnor ofron një shërbim që kapërcen kufizimet logjistike të versionit të shtypur në letër dhe e bën trashëgiminë informative të Selisë së Shenjtë të arritshme kudo, në çdo kohë, thuhen në një deklarate të Vatikanit.

Projekti iu prezantua së fundmi Papa Leonit XIV nga Zëvendësi i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, Imzot Edgar Peña Parra, dhe Sekretari i Dikasterit të Vatikanit për Komunikim, Imzot Lucio Adrián Ruiz, së bashku me përfaqësues të tjerë të dy Dikastereve. Papa u kyç për herë të parë dhe u orientua në platformë. Më pas shprehu mirënjohjen të pranishmëve "për këtë punë, e cila", tha Ati i Shenjtë, "do të jetë me dobi të madhe për kaq shumë njerëz që i shërbejnë Kishës". "Ju inkurajoj", shtoi Leone XIV, "të vazhdoni me këtë frymë shërbimi, në mënyrë që ajo që lind me kujdes dhe vëmendje të bëhet një ndihmë edhe më e madhe me kalimin e kohës".

Qasje globale në informacionin zyrtar

Dhe është pikërisht kjo frymë shërbimi që frymëzon idenë themelore dhe krijimin e versionit dixhital të Vjetarit Papnor, përkatësisht, për të lehtësuar aksesin global në informacionin zyrtar që lidhet me Kishën Katolike për audienca të ndryshme: Dikasteret e Kuries Romake, të cilat kërkojnë informacion të përditësuar çdo ditë për të kryer funksionet e tyre; Nunciaturat Apostolike, të cilat kështu gjejnë një burim strategjik; Konferencat Episkopale të vendeve të ndryshme, të cilat mund të thellohen më thellë në realitetin kishtar të territoreve të ndryshme; institutet rregulltare, universitetet papnore, qendrat kërkimore dhe institucionet akademike, të cilat mund të konsultojnë të dhëna të përputhura me komunikimet zyrtare nga Selia e Shenjtë. Dhe gjithashtu edhe gazetarët e punonjësit e informacionit kishtar, të cilët mund të kenë akses të besueshëm me përmbajtje të çertifikuar.

Zëvendësuesi i Sekretarisë së Shtetit Imzot Peña Parra dhe Imzot Ruiz ia paraqesin iniciativën Papës
Zëvendësuesi i Sekretarisë së Shtetit Imzot Peña Parra dhe Imzot Ruiz ia paraqesin iniciativën Papës

Përditësime të vazhdueshme dhe kërkime të avancuara

Në mënyrë specifike, platforma e re dixhitale e Vjetarit Papnor mundëson përditësimin e vazhdueshëm të informacionit, siç janë emërimet, ndryshimet në role dhe modifikimet në strukturat kishtare. Ndërsa më parë ishte e nevojshme të pritej botimi i Vjetarit të ri në letër, këto ndryshime tani mund të bëhen të dukshme e publike shpejt. Një aspekt tjetër i rëndësishëm është mundësia për të kryer kërkime të avancuara, duke zgjedhur të dhëna sipas emrit, dioqezës, rolit, vendit ose kontekstit institucional.

"Në një epokë ku komunikimi është gjithnjë e më i shpejtë dhe global, ofrimi i aksesit të menjëhershëm dhe të besueshëm në informacion mbi jetën e Kishës - me të dhëna të certifikuara - do të thotë vendosja e teknologjisë në shërbim të misionit kishtar", thekson Zëvendësi i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit Peña Parra. "Është një shenjë vëmendjeje, transparence dhe përgjegjësie ndaj komunitetit katolik dhe ndaj të gjithë atyre që kërkojnë të kuptojnë realitetin e Kishës në botë".

Vjetari Papnor në versionin e letrës
Vjetari Papnor në versionin e letrës

Zhvillimi dixhital i Vjetarit Papnor u bë i mundur falë punës së përbashkët midis subjekteve të ndryshme të Selisë së Shenjtë. Sekretaria e Shtetit të Vatikanit luajti një rol të përgjithshëm koordinues, duke përcaktuar kërkesat institucionale, aspektet e identitetit dhe parimet user experience ( përvojës së përdoruesit). Dikasteri i Vatikanit për Komunikimin, dhe konkretisht Drejtoria Teknologjike, mbikëqyri zhvillimin teknik të infrastrukturës dixhitale, krijimin e bazës së të dhënave dhe proceset e standardizimit të të dhënave të përpunuara nga Zyra Qendrore e Statistikave të Kishës. annuariopontificio@sds.va.

Portali

Platforma është e disponueshme në  https://www.annuariopontificio.catholic/ dhe përmes një aplikacioni për iOS dhe Android. Për ta përdorur, duhet të regjistroheni në versionin e internetit ose të shkarkoni aplikacionin nga Apple Store ose Google Store. Një sistem abonimi me dy nivele është i disponueshëm, duke siguruar akses të vazhdueshëm dhe përditësime të përditshme të të dhënave.

09 dhjetor 2025, 10:43