Pema e Krishtlindjes u dogj në Jenin Pema e Krishtlindjes u dogj në Jenin

Imzot Yllana: shpresa është jetë, të krishterët e Tokës së Shenjtë nuk dorëzohen

Nunci apostolik në Izrael dhe Delegati Apostolik për Jerusalemin dhe Palestinën komenton zjarrvënien e qëllimshme të pemës së Krishtlindjes në Jenin, në Bregun Perëndimor. Sot pasdite do të inaugurohet një e re. “Është një akt për t’u dënuar dhe që nuk ndihmon bashkëjetesën. Pema e Krishtlindjes kumton se kjo është festa jonë dhe se duam ta festojmë”.

R.SH. – Vatikan

Drita është gjithmonë më e fortë se çdo errësirë dhe të krishterët do të mbeten kripa e tokës dhe drita e botës, pavarësisht “armiqve të paqes, dashurisë dhe gëzimit”. Nga famullia e Shëlbuesit në Jenin, në Bregun Perëndimor, ngrihet zëri i besimtarëve pas aktit të rëndë të vandalizmit të një dite më parë, kur të rinj islamikë të radikalizuar i vunë qëllimisht flakën pemës së Krishtlindjes. “Mjafton të mos digjet shpirti; jemi kthyer dhe jemi ngritur sërish”, përsërisin të krishterët, gati ta rindezin sot pasdite, kur në qytet do të mbërrijë imzot William Shomali, Vikari i Përgjithshëm i Patriarkanës, për të inauguruar, së bashku me autoritetet, një pemë të re të Krishtlindjes “që simbolizon jetën e re dhe dritën që ndriçon zemrat tona”. “Edhe nëse digjet njëqind herë, do ta rindërtojmë një mijë herë, sepse Zoti është me ne dhe nuk kemi frikë nga askush”, pohojnë të gjithë, të gatshëm “të ngrihen sërish”.

Pema e Krishtlindjes u dogj në Jenin
Pema e Krishtlindjes u dogj në Jenin

Kryeipeshkvi Yllana: një akt për t’u dënuar

“Ky është një akt që duhet dënuar, sepse nuk ndihmon dhe nuk është hera e parë”, thekson për mediat e Vatikanit nunci apostolik në Izrael dhe Delegati Apostolik për Jerusalemin dhe Palestinën, imzot Adolfo Tito Yllana. Një akt për t’u dënuar “sepse nuk ndihmon bashkëjetesën”, shpjegon diplomati i Selisë së Shenjtë, duke nënvizuar praninë e tij për inaugurimin e pemës së Krishtlindjes dhe të skenës së lindjes së Krishtit, shpellës së Betlehemit në fshatin Aboud dhe në Ramallah. Një ceremoni që pa të krishterë, ortodoksë dhe katolikë, si dhe komunitete të tjera, edhe myslimane, për të jetuar së bashku momentin e festës së Krishtlindjen: “Kështu besimtarët, pas dy vitesh, megjithëse të lodhur e të sprovuar, shprehin frymën e tyre të gëzimit. Për këtë them se ato persona – dhe nuk flas për komunitete, por për persona – që kryejnë këto akte, nuk ndihmojnë. E dimë si trajtohen të krishterët, shihet çdo ditë; e dimë si u kufizohen aktivitetet. Por nuk e humbasim shpresën. Pema e Krishtlindjes dëshiron të shpallë se kjo është festa jonë dhe se duam ta festojmë. Nuk mund të ndalemi, nuk mund të harrojmë se më në fund mund të shprehim fenë tonë që i mirëpret të gjithë. Në këta dy vjet nuk e kemi humbur shpresën. Dhe shpresa nuk është një fjalë: këtu është jetë dhe frymëmarrje, çdo ditë. Sepse nuk jemi dorëzuar”.

Shpresa nuk është vetëm një fjalë

Në këtë kohë të rilindjes së Zotit, thekson më tej nunci apostolik, të krishterët duhet ta pranojnë Atë për t’u “transformuar”, dhe duhet ta pranojnë në mënyrë që “të gjithë, ata që janë afër dhe edhe ata që janë më larg, të mund të shohin se si ne të krishterët jemi të mbushur me lavdinë dhe gëzimin që na sjell dhurata e dashurisë së Atit”. Nunci apostolik në Izrael dhe Delegati Apostolik për Jerusalemin dhe Palestinën imzot Yllana kujton më pas fjalët e Papës Leoni XIV dhe thirrjen e tij për një paqe të çarmatosur dhe çarmatosëse, të cilën komunitetet e krishtera e çojnë përpara me “këmbëngulje”, duke e jetuar dhe duke ndjekur fjalët e Papës, “duke i dhënë hapësirë pajtimit, edhe me ata që nuk na trajtojnë mirë, sepse janë vëllezërit tanë, bij të të njëjtit Atë”. Shpresa nuk është vetëm një fjalë, përfundon kryeipeshkvi Yllana, sepse “pas dy vitesh jemi këtu, plot gëzim”.

23 dhjetor 2025, 13:01