Heshtja e mrekullisë dhe e adhurimit
R.SH. / Vatikan
Duket si skenë e pikturuar nga jeta, gati-gati si skicë. Nxitimi dhe intensiteti i lartë poetik, i ndihmuar nga drita e një llambë të ndezur, zbulojnë "Adhurimin e Barinjve" të Rembrandtit. Gravura dhe gdhendja, e krijuar rreth vitit 1564, ruhet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit. Në plan të parë është familja Shenjte, ndërsa nga e majta, një grup barinjsh nderojnë Krishtin Fëmijë. Përdorimi i dritë-hijes u jep dritë e vëllim figurave, nga vizimI i shpejtë, që krijon ekuilibër ndërmjet të zezës dhe bardhës, realizuar nga një dorë e mësuar artisti.
Nga Leyden - në Amsterdam
Piktor i afirmuar e gravurist i njohur holandez, Rembrandt Harmenszoon van Rijn u formua fillimisht në qytetin e tij të lindjes, Leyden, pastaj në Amsterdam, ku kaloi gjashtë muaj në dyqanin e Pieter Lastman. Kjo kohë i krijoi mundësinë të njihej me pikturën italiane dhe evropiane dhe të ndikohej nga Caravaggio, falë Adam Elsheimer. Atëhere vendosi të krijonte një studio të mrekullueshme pikërisht në Amsterdam, ku u rrethua nga një numër i madh nxënësish, për t’iu kushtuar më pas prodhimit të pikturave e subjekteve historike e fetare.
Mjeshtër i Dritës
Si në pikturë, ashtu edhe në gdhendje - njihen pothuajse një mijë vepra – të cilat e bënë të famshëm në skenën e artit – sepse arriti të krijonte një gjuhë të re shprehëse dhe t’i tejkalonte ndjeshëm paraardhësit e tij. Pikëmbështetja e eksperimenteve të tij ishte drita, të cilën e shfrytëzoi me guxim dhe intensitet dramatik të paparë ndonjëherë.
"Para çdo betlehemi, madje edhe të vendosur në shtëpitë tona, ne e rijetojmë atë Ngjarje dhe rizbulojmë nevojën për të kërkuar çaste heshtjeje dhe lutjeje në jetën tonë, për të rizbuluar veten dhe për të hyrë në bashkim me Zotin. Virgjëra Mari është modeli i heshtjes adhuruese. Ndryshe nga barinjtë që, duke u kthyer nga Betlehemi, e lavdëruan Zotin dhe treguan çka kishin parë e dëgjuar, Nëna e Jezusit e ruajti gjithçka në zemër (krh Luka 2:19). Heshtja e saj nuk është heshtje e thjeshtë: është mrekulli e adhurim".