G9 me valë të shkurtra në Vatikan, Imz. Ruiz: të koordinosh do të thotë të ndërtosh ura
R.SH. / Vatikan
"Në një epokë, në të cilën teknologjia zhvillohet vrullshëm, radioja me valë të shkurtra vazhdon të luajë rol të pazëvendësueshëm në përhapjen e informacionit, këmbimin e dialogut dhe qëndrimin pranë atyre që jetojnë në zona krize, konflikti, izolimi, varfërie". Për këtë arsye, thekson Imzot Lucio Adrián Ruiz, Sekretar i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Komunikimet, bashkëpunimi ndërkombëtar është i paçmuar lidhur me "sigurimin që zëri i popujve, i kombeve dhe i institucioneve të mund të arrijë në çdo cep të botës, edhe në më të largëtit".
Ruiz: inkurajoni dëgjimin e ndërsjellë dhe sigurohuni që çdo mesazh të pranohet
Rasti i mesazhit ishte takimi në Vatikan i "Grupit të Valëve të Shkurtra G9", anëtare e të cilit është edhe Radio Vatikani, për të dëgjuar reciprokisht dhe për të garantuar gjatë takimit në Vatikan caktimin e frekuencave të valëve të shkurtra në mbarë botën gjatë periudhës nga marsi - deri në tetor 2026. Ndryshe nga transmetimet e tjera, si FM, valët e shkurtra, sipas rregulloreve ndërkombëtare të radios, nuk kanë frekuencë të paracaktuar. Meqenëse varen nga aktiviteti diellor, kërkojnë koordinim ndërkombëtar dy herë në vit, gjë që përkon me ndryshimet e kohës së verës dhe të dimrit, për të përcaktuar frekuencën, që stacionet mund të transmetojnë. "Koordinim i frekuencave - përsëriti Imzot Ruiz - në fund të fundit do të thotë ndërtim i urave: shmangia e ndërhyrjeve, inkurajimi i dëgjimit të ndërsjellë dhe sigurimi që çdo mesazh të mund të pranohet qartë. Kjo është sigurisht detyrë teknike, por edhe thellësisht njerëzore".
Roli ndërkombëtar i Radio Vatikanit
Takimi u mbajt në "Palazzina Marconi", e dëshiruar nga shpikësi, fitues i Çmimit Nobel në Fizikë në Vatikan, e konkretisht në dhomën e përuruar në vitin 2024, kushtuar Papa Piu XI. "Nën papninë e tij, në vitin 1931, u ndërtua transmetuesi Marconi i Vatikanit, selia e parë e Radios së Vatikanit", vuri në dukje inxhinieri Francesco Masci, drejtor i Drejtorisë Teknologjike të Dikasterit për Komunikim, në fjalën e hyrjes. Qyteti i Vatikanit kishte pritur takimet e G9 në vitin 2022, por këto takime ishin mbajtur në Palazzo Leone XIII në Kopshtet e Vatikanit. "Asokohe, theksoi Masci para të pranishmëve, ëndërroja të rinovoja Pallatin Marconi dhe të krijoja një hapësirë për konferenca ndërkombëtare mbi telekomunikacionin".
Në vitin 2026 miratimi i planit, në Kuala Lumpur
Grupi "G9 me valë të shkurtra", i lindur në fillim të viteve 1960, përbëhet nga Radio Vatikani, Radio Botërore Adventiste, në pronësi të Kishës Adventiste të Ditës së Shtatë; Encompass; kompanitë gjermane Deutsche Welle dhe Media Broadcast; Komisioni Federal i Komunikimeve i SHBA-së dhe Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Median Globale (AGM); kompanitë franceze Tèlèdiffusion de France; dhe Mglob S.A., e cila transmeton nga Antananarivo në Madagaskar. Detyra e tij është të para-koordinojë planin e ndarjes së frekuencave në valë të shkurtra, i formalizuar në nivel institucional në fillim të vitit 2026 në Kuala Lumpur, Malajzi, nga HFCC (Konferenca e Koordinimit të Frekuencave të Larta), e formuar nga vendet e Bashkimit Ndërkombëtar të Komunikimeve (ITU) të interesuara në valë të shkurtra.