Koncili Dytë kishtar i Vatikanit Koncili Dytë kishtar i Vatikanit

Filli i Koncilit të Dytë të Vatikanit, gjashtëdhjetë vjet më pas

Shpallja e fesë dhe vetëdija e një Kishe që e di se nuk shkëlqen me dritën e saj, por me dritën e Krishtit Zot

R.SH. / Vatikan

nga Andrea Tornielli

Në një predikim të paharrueshëm, mbajtur më 11 maj 2010 në Lisbonë, Benedikti XVI vuri re: “Shpesh shqetësohemi me ankth për pasojat shoqërore, kulturore dhe politike të fesë, duke e marrë si të mirëqenë që kjo fe ekziston, por fatkeqësisht kjo është gjithnjë e më pak realiste”. Pikërisht ky konstatim, i cili përballet me realitetin e sekularizimit dhe të shkristianizimit, qëndron në origjinë të Koncilit Ekumenik të Vatikanit II, të cilit sapo i kemi kremtuar gjashtëdhjetëvjetorin e përfundimit. Që në fillim të shekullit XX, shumë vetë brenda Kishës kishin vërejtur vështirësinë në rritje për transmetimin e fesë në shoqëritë e ungjillëzimit të parë, vendet e ashtuquajtura të “krishtera”. Një vështirësi që nuk ndeshte domosdoshmërisht në armiqësi të hapur ndaj krishterimit, por më tepër në një indiferencë. Ky është perceptimi i mprehtë i kryeipeshkvit Giovanni Battista Montini, kur në mesin e viteve ’50 mbërrin në Milano dhe përballet me ambiente gjithnjë e më të papërshkueshme e të distancuara nga shpallja e Ungjillit: ai i punëtorëve, ai i financave, ai i modës së lartë.

Pyetja e madhe, që qëndron në origjinë të vendimit guximtar të Gjonit XXIII për të thirrur Koncilin, dhe në drejtimin e mençur të Palit VI, i cili bën mrekullinë duke e çuar atë deri në fund pothuajse me unanimitet, pra është një e vetme pyetja: si t’u shpallet sërish Ungjilli njerëzve të sotëm? Ishte e qartë që atëherë se “kristianiteti”, i karakterizuar nga shoqëri të përshkruara plotësisht nga kultura e krishterë, ishte drejt perëndimit, dhe se transmetimi i fesë kishte nevojë për gjuhë të reja për të rizbuluar atë që vërtet është thelbësore dhe për ta dëshmuar atë para botës.

Në dekadat që pasuan përfundimin e Koncilit të II të Vatikanit, efektet e tij janë vënë në qendër të debateve dhe polemikave ideologjike – shumë prej të cilave ende nuk janë shuar – mes atyre që i atribuojnë Koncilit krizën e Kishës dhe vetë shkristianizimin, dhe atyre që mendojnë se zgjidhja është t’i përshtatesh botës. Të parët nuk e kuptojnë se kriza kishte filluar shumë përpara vitit 1962 dhe vazhdojnë të ndjekin ëndrrën e një restaurimi të pamundur, duke ofruar imazhin e një Kishe të rrethuar, e cila si mbrojtje të vetme ka mbylljen në një fortesë. Të dytët ëndërrojnë reforma të konceptuara në tavolinë nga ekspertët për t’iu përshtatur ndryshimeve të shoqërisë, por që nuk lindin nga përvoja e përditshme e popullit të shenjtë të Zotit.

Ajo që Koncili i fundit ka mësuar, dhe që gjendet në magjisterin e Pasardhësve të Pjetrit nga viti 1965 deri më sot, sintetizohet mirë në rreshtat e parë të Kushtetutës dogmatike Lumen gentium (Drita e popujve): “Krishti është drita e popujve: ky Koncil i shenjtë, i mbledhur në Shpirtin Shenjt, dëshiron prandaj me zjarr, duke shpallur Ungjillin çdo krijese, t’i ndriçojë të gjithë njerëzit me dritën e Krishtit që shkëlqen në fytyrën e Kishës”. Këtu gjejmë një bërthamë qendrore që nuk mund të merret kurrë si e mirëqenë në veprimin kishtar – as në atë pas-konciliar, as në atë të ditëve tona. Kisha nuk shkëlqen me dritën e saj, nuk rrezaton një dritë të vetën, nuk është burimi i kumtit të Lajmit të Mirë. Kisha mund vetëm të përpiqet të jetë transparente, pra të lërë të duket, të shfaqet, drita e Krishtit. Është drita e Krishtit që shkëlqen mbi fytyrën e Kishës.

Ky konstatim, kaq i dukshëm në magjisterin e Etërve të Kishës, ka pasoja të mëdha. Një Kishë që e di se nuk është burimi dhe as “zonja” e fesë, shmang çdo vetë-mjaftueshmëri dhe autoreferencialitet, nuk jeton me shikimin e kthyer nga e kaluara, nuk kërkon mbështetjen e fuqive të kohës, nuk përpiqet ta imponojë fenë, nuk e redukton atë në rregulla, tradita, strategji apo projekte njerëzore; di të njohë pamjaftueshmëritë e veta duke kërkuar falje, dialogon me të gjithë me liri, kërkon Fytyrën e Zotit të saj duke u lënë të ungjillëzohet nga të largëtit, dhe e njeh Atë atje ku Ai shfaqet lirshëm. Ajo jeton mëshirën, mikpritjen, afërsinë me të varfrit dhe të përjashtuarit, angazhimin për paqen dhe drejtësinë, si një mënyrë për të qenë kripa e tokës dhe për ta bërë të ndriçojë dritën e Krishtit në botë, duke dëshmuar logjikën e një Zoti që – na kujtoi Leoni XIV në Katedralen e Stambollit më 28 nëntor të kaluar – “e zgjodhi rrugën e vogëlsisë për të zbritur midis nesh”, që “nuk imponon veten duke tërhequr vëmendjen”, dhe prandaj nuk ka nevojë për thirrjet tona, për fyerjet tona, apo për strategjitë tona që të bëhet i njohur.

Duke folur për Mbretërinë e Zotit dhe mënyrën si manifestohet ajo në Jezu Krishtin, Ipeshkvi i Romës gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit më 7 dhjetor tha: “Isaia Profet e krahason me një filiz: një imazh jo i fuqisë apo i shkatërrimit, por i lindjes dhe i risisë. Mbi filizin që del nga një trung në dukje i vdekur, fillon të fryjë Shpirti Shenjt me dhuratat e tij. Secili prej nesh mund të mendojë për një surprizë të ngjashme që i ka ndodhur në jetë. Kjo është përvoja që Kisha ka jetuar me Koncilin e Vatikanit II, i cili përfundonte pikërisht gjashtëdhjetë vjet më parë: një përvojë që përtërihet kur ecim së bashku drejt Mbretërisë së Zotit, të gjithë të përkushtuar për ta pranuar dhe për t’i shërbyer. Atëherë jo vetëm mbijnë realitete që dukeshin të dobëta ose dytësore, por realizohet ajo që njerëzisht do të ishte quajtur e pamundur.”

Kjo Kishë, që e jeton në botë misterin e Krishtit, është tashmë e pranishme në shumë njerëz dhe komunitete, siç na dëshmojnë historitë e shpresës që dolën në dritë gjatë këtij viti jubilar. Gjashtëdhjetë vjet më pas, ne jemi ende në fillimet e rrugës që Koncili II i Vatikanit na ka treguar dhe që të gjithë jemi të thirrur ta bëjmë të mbijë. 

Kujtojmë se Koncili i Dytë i Vatikanit II përfundoi në mënyrë solemne më 8 dhjetor 1965, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, gjatë papnisë së Papës Palit VI, i cili çoi në përfundim punimet e nisura nga Gjoni XXIII në vitin 1962, pas katër sesioneve dhe tre viteve diskutimesh e vendimesh që e kanë rinovuar thellësisht Kishën katolike.

09 dhjetor 2025, 16:10