Kërko

Cry my Beloved Country

Fides, 17 misionarë katolikë u vranë në vitin 2025, 10 prej tyre në Afrikë

Janë publikuar të dhënat e Raportit vjetor nga Fides, organ informimi i Veprave Misionare Papnore: në Nigeri skenari më i përgjakshëm me vrasjen e tre priftërinjve dhe dy seminaristëve. Nga viti 2000 deri më sot, numri i misionarëve dhe operatorëve baritorë që kanë gjetur vdekje të dhunshme është 626

R.SH. – Vatikan

Në vitin 2025, në mbarë botën, janë vrarë 17 persona mes meshtarëve, rregulltareve, seminaristëve dhe laikëve. Këto janë të dhënat e raportit të ri mbi misionarët dhe operatorët baritorë që kanë humbur jetën në kontekstin e përhapjes së fesë, i paraqitur sot paraditet nga agjencia e lajmeve Fides, organ informimi i Veprave Misionare Papnore.

Dëshmitarë të Ungjillit
Raporti zbulon se, në vitin që po përfundon, Afrika ka regjistruar numrin më të lartë të vrasjeve, gjithsej 10: 6 priftërinj, 2 seminaristë, 2 katekistë. «Në kontinentin amerikan — lexohet më tej në tekst — janë vrarë 4 misionarë (2 priftërinj, 2 rregulltare), në Azi 2 (një prift, një laik). Në Evropë është vrarë një prift».

Shifra dhe histori
Në 25 vjet, nga viti 2000 deri në 2025, numri i misionarëve dhe operatorëve baritorë të vrarë ka arritur në 626. Një listë burrash, grash dhe të rinjsh që prej kohësh, shpjegon agjencia Fides, «nuk ka të bëjë më vetëm me misionarët ad gentes në kuptimin e ngushtë, por synon të regjistrojë të gjithë të krishterët katolikë të angazhuar në një formë të veprimtarisë baritore, që kanë vdekur në mënyrë të dhunshme, edhe nëse jo shprehimisht “nga urrejtja ndaj fesë”».

Dashuri pa fund
Përhapës të besueshëm të dashurisë – siç ka thënë Leone XIV në homelinë e Meshës për martirët dhe dëshmitarët e fesë të Shekullit XXI, më 14 shtator të kaluar në Bazilikën e Shën Palit – kanë bërë të njohur Fjalën e Zotit «pa përdorur kurrë armët e forcës dhe të dhunës, por duke përqafuar forcën e dobët dhe të butë të Ungjillit». Megjithatë, raporti i agjencisë Fides nuk përmend vetëm të dhëna, shifra dhe statistika. Ai zbulon edhe emra dhe histori, që shpesh tregojnë edhe fatet e kombeve të munduara nga luftërat, revolucionet dhe varfëria. Si në Afrikë, pikërisht kontinenti më i njomur nga gjaku i derdhur nga meshtarët dhe veprimtarët baritorë.

Gjak dhe Ungjill
Vetëm për të dhënë disa shembuj, Mathias Zongo dhe Christian Tientga po udhëtonin me motorët e tyre pranë qytetit Bondokuy, në Burkina Faso, kur një grup burrash të armatosur i sulmoi dhe i vrau. Ishte 25 janari i vitit të kaluar dhe dy të rinjtë ishin katekistë të famullisë së Ouakaras. Shumë të dashur dhe të vlerësuar. Pastaj është Luka Jomo, famullitar i El Fasherit, kryeqytet i shtetit sudanez të Darfurit Verior, i shkatërruar nga një luftë civile pa mëshirë. Meshtari e gjeti vdekjen natën, gjatë përleshjeve mes ushtrisë qeveritare dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë: copëzat e një predhe të humbur e vranë ndërsa ndodhej në shoqërinë e dy të rinjve.

Nigeria, më e goditura
Mes vendeve afrikane, Nigeria është ajo ku, këtë vit, janë vrarë më shumë meshtarë dhe veprimtarë baritorë: tre priftërinj dhe dy seminaristë, viktima të dhunës, rrëmbimeve dhe grabitjeve që prej vitesh po përhapen në vend.

«E gjithë kjo është shkak për një trishtim të madh. E edhe pak turp», ka thënë kryeipeshkvi imzot Fortunatus Nwachukwu, sekretar i Dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzimin, në një intervistë të botuar sot nga agjencia Fides në shoqërim të raportit. «Nigeria — ka theksuar ai — është një nga vendet me popullsinë më fetare në botë. Një popull besimtarësh, të krishterë dhe myslimanë. Të gjithë ne themi se jemi njerëz të paqes. Edhe miqtë myslimanë përsërisin vazhdimisht se Islami është feja e paqes. Dhe përballë fakteve të caktuara dhe situatave të caktuara do të doja të shihja miqtë Myslimanë të denonconin dhe refuzonin përdorimin e fesë së tyre për të kryer akte dhune. Të gjithë duhet të hedhim poshtë çdo justifikim për përdorimin e fesë për të kryer veprime të dhunshme deri në vrasjen e njerëzve».

Ndihma nga jashtë
«Në këtë situatë — ka shtuar prelati — një ndërhyrje nga jashtë, indirekte, për të mbështetur shtetin dhe qeverinë përballë grupeve ekstremiste dhe për të ndihmuar vendin të largojë shkaqet e dhunës së përgjithësuar, mund të mos jetë diçka krejtësisht e pajustifikuar dhe jashtë vendit». «Një vend — ka shpjeguar më tej — mund të gjendet në kushte të tilla sa të mos arrijë t’i përballojë vetë krizat dhe përçarjet pa një ndihmë të jashtme. Shoh shumë miq myslimanë që as vetë nuk dinë si të reagojnë përballë asaj që po ndodh. Dhe palëvizshmëria e qeverisë është e dukshme».

Haiti dhe Evropa
Situatë e dhimbshme edhe në Haiti – ku, në kontekstin dramatik të përplasjes mes bandave të armatosura, më 21 mars të kaluar, bandat vranë dy motra rregulltare të së njëjtës kongregatë fetare – dhe në Meksikë, ku një prift u gjet i vdekur pasi ishte rrëmbyer. Por as Evropa nuk është kursyer. Në Poloni, më 13 shkurt, një meshtar 58-vjeçar u gjet i mbytur në shtëpinë famullitare të Kishës së tij.

30 dhjetor 2025, 18:20