Kërko

Një moment nga dreka e Krishtlindjes për të varfrit në Palazzo Migliori, në Romë Një moment nga dreka e Krishtlindjes për të varfrit në Palazzo Migliori, në Romë

Drekë për të varfrit në Pallatin Migliori, Kard. Krajewski: "Të lutemi për paqen"

Qendra e pritjes, e drejtuar nga Bashkësia e Shën Egjidit, në Romë, organizoi sot drekën e Krishtlindjes për të varfrit. Kardinali lëmoshtar i ftoi të pranishmit të luten për Gazën, Ukrainën dhe të gjitha vendet e botës, ku pajtimi është ende i largët.

R.SH. / Vatikan

Shija e mikpritjes, aroma e shpresës, mirësia e bamirësisë: këto ishin "gjellët" e drekës së Krishtlindjes shtruar sot, 25 dhjetor, në Palazzo Migliori, në Romë, qendër e pritjes, drejtuar nga Bashkësia e Shën Egjidit me kontributin e Lëmoshtarisë Apostolike.

Të rrish me Zotin

Në Solemnitetin e Krishtlindjes dhe të Vitit Shenjt të Shpresës, afërsisht njëqind nevojtarë, disa nga të cilët të pastrehë, morën një gjellë të ngrohtë, një fjalë të mirë, një vështrim të kujdeshëm, një vëmendje të panjohur deri në atë çast... Kardinali Krajewski, Lëmoshtar i Papës, i përshëndeti të gjithë, ashtu si edhe të gjithë vullnetarët e ndryshëm të pranishëm: "Ta falënderojmë Zotin, që dëshiron të jetë me ne. Detyra jonë është të jemi me Të, jo të distancohemi"- tha ai - "Por mbi të gjitha, të lutemi për paqen, që me të vërtetë mungon shumë në botën e sotme".

Paqja nis nga zemra

Kardinali Krajewski kujtoi gjithashtu se "paqja fillon me ne, me zemrat tona, me jetën tonë, me dëshminë tonë". Prej këndej - duke ndjekur gjurmët e Leonit XIV gjatë mesazhit Urbi et Orbi - buron ftesa e lutjes "veçanërisht për ata që jetojnë në Gaza, në Ukrainë, në shumë vende, veçanërisht në Afrikë dhe për të gjithë ata që sot janë krejt të vetëm". "Të lutemi së bashku, duke kërkuar ndërmjetësimin e Zojës. Ajo e di se çfarë do të thotë të gëzohesh, por edhe të vuash", shtoi kardinali. Së fundi, falënderoi shumë vullnetarë që - kujtoi - sot nuk janë me familjet e tyre, por janë me ne e, në këtë mënyrë, na shoqërojnë si të ishim familja e tyre".

Shpresë e bamirësi

Pas lutjes së Kardinalit Lëmoshtar, mbi tryezat e shtruara me mbulesa të kuqe e pjata Krishtlindjesh, të ftuarit shijuan gjellë të ndryshme, sipas menysë: lazanje, qofte me pure patatesh, fruta të stinës, pandorë e panettone.... Burra dhe gra, të rinj dhe të moshuar, ardhur nga vende të afërta e të largëta, u bashkuan të gjithë, të lidhur nga fija e shpresës dhe e bamirësisë.

25 dhjetor 2025, 20:45