Shpella e Betlehemit mes rrënojave të Gazës Shpella e Betlehemit mes rrënojave të Gazës

Angazhimi për paqen, që lind nga kundrimi i fytyrës së Foshnjës

Ftesa e Papës Leoni: mundeni tundimin, që ju nxit të mendoni se paqja është e largët dhe e pamundur, e kapërcejeni "logjikën agresive dhe kundërshtare" sipas së cilës paqja vijon me garën e riarmatosjes.

R.SH. / Vatikan

Andrea Tornielli

"Asgjë nuk e ka fuqinë të na ndryshojë, si na ndryshon një fëmijë. E ndoshta është pikërisht mendimi për bijtë tanë, për fëmijët, e madje edhe për ata që janë aq të brishtë, sa të na shporojnë zemrat". Këto janë fjalët që përdor Papa Leoni në Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes 2026. Zoti, i Gjithpushtetshmi, duke u bërë Njeri, pranon të bëhet edhe fëmijë plotësisht i varur nga kujdesi i një nëne dhe një ati e, sipas logjikës së vogëlsisë, zgjedh të vijë në botë në varfërinë e një stalle dhe në izolimin e një periferie të Perandorisë Romake. Është "Zot i pambrojtur, me anë të të cilit njerëzimi mund ta zbulojë dashurinë e tij vetëm duke u kujdesur për të". Soditja e atij Fëmije, protagonist i skenave tona të lindjes, nuk mund të na lërë indiferentë përballë gjendjes së vështirë të shumë fëmijëve viktima të luftës, të vrarë nga bombat në Ukrainë; ata që humbën jetën në Gaza, fillimisht nga shiu i raketave dhe tani nga e ftohta, për shkak të vështirësisë së hyrjes së ndihmave humanitare; ata që u vranë në shumë konflikte, të harruar në shumë pjesë të tjera të botës.

Ftesa që Pasardhësi i Pjetrit u drejton besimtarëve dhe jobesimtarëve është ta mirëpresin dhe ta njohin paqen, duke kapërcyer tundimin për ta konsideruar të largët dhe të pamundur. Për të krishterët paqja dhe mospranimi i dhunës kanë rrënjë thellësisht ungjillore në fjalët dhe qëndrimin e Jezusit, i cili e urdhëroi Pjetrin, që donte ta mbronte, ta linte mënjanë shpatën e tij. Paqja, që Krishti i Ngjallur i shpall botës, është e çarmatosur dhe çarmatosëse; është realitet për t’u mbrojtur dhe për t’u kultivuar në zemrat tona, në marrëdhëniet tona, në familjet tona, në bashkësitë tona, në vendet tona. Historia na mëson se sa shpesh, edhe si të krishterë, e harruam këtë, duke u bërë bashkëfajtorë në luftëra e në dhunë tragjike.

Sot, na kujton Leoni XIV, edhe ne rrezikojmë ta konsiderojmë paqen ideal të paprekshëm, duke shkuar aq larg, sa të justifikojmë zhvillimin e luftës, për ta arritur. Në debatin publik dhe në media duket se mbizotëron një logjikë agresive dhe kundërshtare, sipas së cilës është krim “të mospërgatitesh mjaftueshëm për luftën". Kjo është logjikë destabilizuese, jashtëzakonisht e rrezikshme, që shkon shumë përtej parimit të mbrojtjes legjitime dhe na çon drejt humnerës së një konflikti të ri botëror, me pasoja të paparashikueshme dhe shkatërruese.

"Sot më shumë se kurrë - shkruan Papa Prevost - duhet të tregojmë se paqja nuk është  utopi, përmes krijimtarisë baritore të vëmendshme e frytdhënëse". Në vend që të vazhdojmë të ndjekim rrugën e shpenzimeve për armë të vazhdueshme, të cilat kanë arritur në 2.5% të PBB-së globale, e në vend që të investojmë triliona në instrumente vdekjeje dhe shkatërrimi të paracaktuara - siç e kemi parë – për të shkatërruar shkollat ​​dhe spitalet, në vend që t'i bëjmë njerëzit të besojnë se siguria jonë konsiston në riarmatim dhe parandalim, ne duhet të kemi guximin e paqes. Ne duhet të rigjallërojmë rrugën e diplomacisë, të bisedimeve, ndërmjetësimit dhe të drejtës ndërkombëtare, duke përfshirë edhe forcimin e institucioneve ndërkombëtare.

Nuk lejojmë që zëri i Papës Leonit të jetë zë që bërtet në shkretëtirë; e nuk duhet ta lëmë vetëm Ipeshkvin e Romës. Duhet t'i besojmë fjalët e tij dhe të shikojmë  historinë, për ta kuptuar realizmin e shëndetshëm në ndërhyrjet e tij, siç ishte në ato të paraardhësve të tij, të cilët shumë shpesh nuk u dëgjuan. Ne jemi të thirrur të "motivojmë dhe të mbështesim çdo nismë shpirtërore, kulturore dhe politike që e mban gjallë shpresën, duke kundërshtuar përhapjen e qëndrimeve fataliste, sikur dinamikat në zhvillim të ishin prodhuar nga forca dhe struktura anonime, jopersonale të pavarura nga vullneti njerëzor". Paqja është e mundur dhe një garë e çmendur armatimesh nuk është mënyra për ta mbrojtur. Për të krishterët, paqja ka fytyrën e pambrojtur të Krishtit Fëmijë, të brishtë si çdo fëmijë: t’i lëmë zemrat tona të shporohen nga ajo fytyrë dhe nga kumti i paqes, që jehoi natën e Krishtlindjes së parë.

20 dhjetor 2025, 12:27