“100 Shpella Betlehemi në Vatikan": hapet më 8 dhjetor edicioni VIII, që kremton Jubileun
R.SH. / Vatikan
Mbi njëqind mënyra të ndryshme për ta parë dhe për ta jetuar ngjarjen e lindjes së Krishtit, sipas perspektivës dhe ndjeshmërisë së artistëve nga 23 vende. Ky do të jetë edicioni i tetë i ekspozitës ndërkombëtare "100 Betleheme në Vatikan", e cila do të hapet të hënën, 8 dhjetor, ora 16:00, në kolonadën e majtë të Berninit, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Ekspozita, e organizuar si pjesë e ngjarjes kulturore "Jubileu është Kulturë", do të jetë edhe mënyrë e shprehjes së mirënjohjen për Vitin e Shenjtë, që po vijojmë ta jetojmë!
Përurimi me pro-prefektin Fisichella
Ekspozita "100 Betleheme në Vatikan" do të inaugurohet nga Imzot Rino Fisichella, Pro-Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzim dhe përgjegjës për organizimin e Jubileut, së bashku me disa anëtarë të Dikasterit. Ceremonia - siç thuhet në një deklaratë lëshuar nga vetë Dikasteri - do të gjallërohet nga një shfaqje tradicionale folklorike e përgatitur nga Ambasada Meksikane, pranë Selisë së Shenjtë.
Konkretisht, do të shfaqen 132 skena të lindjes së Krishtit, krijime të artistëve nga 23 vende, ndërmjet të cilave, shumë vende evropiane, si Italia, Franca, Kroacia, Polonia, Hungaria, Sllovakia, Sllovenia, Rumania dhe Zvicra, e edhe nga e gjithë bota, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Peruja, Eritrea, Koreja, Venezuela, Tajvani, Brazili, Japonia, Filipinet, Indonezia, Paraguai dhe India. Shumë nga këto kombe përfaqësohen nga ambasadat e tyre përkatëse pranë Selisë së Shenjtë, të cilat janë përgjegjëse për njohjen e ngjarjes në vendet e veta. Ndërmjet tyre, ambasadat e Meksikës, Francës, Kroacisë, Indonezisë, Hungarisë, Sllovakisë, Sllovenisë, Tajvanit dhe Paraguait.
Mijëra forma dhe materiale të ndryshme
Skenat e lindjes së Jezu Krishtit sintetizojnë frymëzimin dhe imagjinatën e artistëve që i krijojnë me larmi të gjerë materialesh, duke përfshirë letër japoneze, mëndafsh, rrëshirë, polisteren, lesh, kokos, fibra banane dhe qelq. Ndërmjet artefakteve, me origjinë nga e gjithë bota, ka edhe një daulle lëkure, riprodhuar nga pjesa e përparme e një autobusi ATAC. Ekziston madje një skenë e madhe lindjeje, që përshkruan Romën "e zhdukur", disa skena mekanike lindjeje dhe një skenë tradicionale meksikane lindjeje, me përmasa të mëdha.
Ekspozita do të jetë e hapur deri më 8 janar.
Ekspozita "100 Betleheme në Vatikan" do të jetë e hapur nga ora 16:00 të hënën, më 8 dhjetor 2025 - deri në orën 19:00 të së enjtes, më 8 janar 2026. Hyrja është falas gjatë gjithë ekspozitës, pa nevojën e prenotimit. Ekspozita do të jetë e hapur çdo ditë nga ora 10:00 deri në orën 19:00, përveç 24 dhe 31 dhjetorit, kur do të mbyllet në orën 17:00. Hyrja e fundit është gjithmonë jo më vonë se 15 minuta para orarit të mbylljes. Vullnetarë nga Dikasteri të Vatikanit për Ungjillëzim do të jenë të pranishëm gjatë gjithë ngjarjes, për të ofruar shërbimin e mirëseardhjes.