Gjashtë muaj me Leonin XIV: një Kishë e bashkuar dhe e hapur, shenjë paqeje për botën e plagosur nga urrejtja
R.SH. / Vatikan Andrea Tornielli
Kanë kaluar gjashtë muaj që nga ajo pasdite e 8 majit kur Ipeshkvi i ri i Romës, Papa i parë amerikan dhe augustinian, Papa Leoni XIV u shfaq nga Loza qendrore e Bazilikës së Shën Pjetrit. Ekziston një fije e kuqe që përshkon magjisterin e tij dhe është ajo e një Kishe shenjë uniteti dhe bashkimi, që të bëhet tharmi për një botë të pajtuar përballë luftërave, urrejtjes dhe dhunës. Përtej analizave mbi thekset e vazhdimësisë dhe shkëputjes me paraardhësin (natyrale në çdo papëni), ia vlen të riperkurohen disa etapa të këtij magjisteri, të cilat theksojnë se shpallja e thelbit të fesë nuk është kurrë e shkëputur nga dëshmia e dashurisë, nga angazhimi konkret në favor të më të fundmëve dhe për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë. Që nga fjalët e tij të para, të shqiptuara në përshëndetjen menjëherë pas zgjedhjes:
"Paqja qoftë me të gjithë ju! (...) Kjo është paqja e Krishtit të Ngjallur, një paqe e çarmatosur dhe një paqe çarmatosëse, e përulur dhe këmbëngulëse. Ajo vjen nga Zoti, e Zoti që na do të gjithëve pa kushte. (...) Duhet të kërkojmë së bashku si të jemi një Kishë misionare, një Kishë që ndërton ura, dialog, gjithmonë e hapur për të mirëpritur". Një Kishë, tha Prevost në homelinë e Meshës për fillimin e papnisë më 18 maj 2025, "e bashkuar, shenjë uniteti dhe bashkimi, që të bëhet maja për një botë të pajtuar. Në këtë kohë tonën, shohim ende shumë mosmarrëveshje, shumë plagë të shkaktuara nga urrejtja, nga dhuna, nga paragjykimet, nga frika ndaj të ndryshmes, nga një paradigmë ekonomike që shfrytëzon burimet e Tokës dhe mënjanon më të varfrit. Dhe ne duam të jemi, brenda këtij brumi, një tharm i vogël uniteti, bashkimi, vëllazërie".
Në zemër të misionit: të zhdukesh që të mbetet Krishti
Një ditë pas zgjedhjes, në kremtimin e parë me kardinajët në Kapelën Sistine, Leoni XIV ka theksuar një "angazhim të pazëvendësueshëm për këdo në Kishë që ushtron një shërbesë autoriteti: të zhdukesh që të mbetet Krishti, të bëhesh i vogël që Ai të njihet dhe të lavdërohet, të shpenzohesh deri në fund që askujt të mos i mungojë mundësia për ta njohur dhe dashur Atë".
Në homelinë e 18 majit, Papa Prevost foli për "dashurinë dhe unitetin" si dy dimensionet që Jezusi i besoi Pjetrit dhe shpjegoi se kjo detyrë është e mundur vetëm sepse Pjetri e "ka përjetuar në jetën e tij dashurinë e pafundme dhe të pakushtëzuar të Zotit, edhe në orën e dështimit dhe të mohimit". Sepse, siç u tha të rinjve të mbledhur në Tor Vergata, në Romë, mbrëmjen e 2 gushtit, "në origjinën e vetes sonë nuk ka qenë një vendim i yni, por një dashuri që na ka dashur". Kjo dashuri na paraprin, siç shpjegoi Papa në katekezën e audiencës së mërkurës, 20 gusht, duke folur për Judën që merr copën e bukës nga Jezusi në Darkën e Mbrame: "Jezusi e çon përpara dhe thellon dashurinë e tij (...) Sepse e di se falja e vërtetë nuk pret pendimin, por ofrohet e para, si dhuratë falas, madje edhe para se të pranohet".
Misioni i Kishës është të dëshmojë këtë dashuri. Për ta bërë këtë, shpjegoi Leoni më 7 qershor 2025 gjatë vigjiljes së Rrëshajëve, "nuk nevojiten mbështetës të fuqishëm, kompromise botërore, strategji emocionale. Ungjillëzimi është vepër e Zotit dhe, nëse ndonjëherë kalon përmes personave tanë, është për lidhjet që bën të mundshme". Kishës nuk i duhen shkëmbime favorësh me botën, por as strategji marketingu që luajnë me emocionet ose me protagonizmin e tepërt. Ungjillëzimi në fakt është Zoti që vepron. Thelbësore për misionin është uniteti në diversitet, pra bashkësia e jetuar. Është një fe, siç theksoi të dielën më 5 tetor 2025 duke kremtuar Jubileun e botës misionare, që "nuk imponohet me mjete fuqie dhe në mënyra të jashtëzakonshme; mjafton sa një kokërr sinapi për të bërë gjëra të paimagjinueshme, sepse mbart në vetvete forcën e dashurisë së Zotit që hap rrugë shpëtimi. Është një shëlbim që realizohet kur angazhohemi personalisht dhe kujdesemi, me dhembshurinë e Ungjillit, për vuajtjen e të afërmit".
Dëshmia e paqes
Pasi e bëri këtë në përshëndetjen e parë në ditën e zgjedhjes, Leoni XIV ka folur shumë herë për paqen, duke i ftuar të krishterët ta dëshmojnë atë konkretisht: "Jodhuna si metodë dhe si stil duhet të karakterizojë vendimet tona, marrëdhëniet tona, veprimet tona", tha Ati i Shenjtë Prevost më 30 maj para lëvizjeve dhe shoqatave të Arenës së Paqes. Dhe ipeshkvijve italianë më 17 qershor 2025 u kërkoi "që çdo Dioqezë të promovojë rrugë edukimi për joviolencën, iniciativa ndërmjetësimi në konfliktet lokale, projekte mirëseardhjeje që transformojnë frikën e tjetrit në mundësi takimi". Në të njëjtën kohë, Pasardhësi i Pjetrit ka ngritur zërin e tij disa herë kundër riarmatimit, siç bëri në fund të audiencës më 18 qershor: "Nuk duhet të mësohemi me luftën! Përkundrazi, duhet ta refuzojmë si një tundim magjepsjen e armatimeve të fuqishme dhe të sofistikuara".
Leoni XIV ka folur për fake news (lajmet e rreme) të përdorura si pretekst për sulme parandaluese ose për të shkaktuar luftëra të reja, siç bëri më 26 qershor duke pritur pjesëmarrësit e ROACO-s, Takimit të Veprave Ndihmë për Kishat Lindore: "Jemi të thirrur të gjithë ne, njerëzimi, të vlerësojmë shkaqet e këtyre konflikteve, të verifikojmë ato të vërteta dhe të përpiqemi t'i kapërcejmë, dhe të refuzojmë ato të rreme, fryt i simulimeve emocionale dhe retorikës, duke i demaskuar me vendosmëri. Njerëzit nuk mund të vdesin për shkak të fake news.
Në të njëjtin fjalim edhe një pasazh i karakterizuar nga një realizëm dhe sens i madh i historisë, ajo kujtesë të cilën sot duket se e kanë humbur shumë: "Si mund të besohet, pas shekujsh historie, se veprimet luftarake sjellin paqe dhe nuk kthehen kundër atyre që i kanë kryer? (...) Si mund të vazhdohet të tradhtohen dëshirat e paqes së popujve me propagandat e rreme të riarmatimit, në iluzionin e kotë se supremacia zgjidh problemet në vend që të ushqejë urrejtje dhe hakmarrje? Njerëzit janë gjithnjë e më pak të pavetëdijshëm për sasinë e parave që shkojnë në xhepat e tregtarëve të vdekjes dhe me të cilat mund të ndërtoheshin spitale dhe shkolla; dhe në vend të kësaj shkatërrohen edhe ato që janë tashmë të ndërtuara!".
Çarmatimi i kërkuar nga Ipeshkvi i Romës – Papa ka të bëjë si me qeveritarët e kombeve që të mos e transformojnë pasurinë "kundër njeriut, duke e kthyer atë në armë që shkatërrojnë popujt dhe në monopole që poshtërojnë punëtorët" (homelia e së dielës 21 shtator në famullinë e Shën Anës në Vatikan), ashtu edhe me secilin prej nesh, sepse ftesa e Jezusit është të çarmatosim dorën por para së gjithash zemrën. Siç ka pohuar Leoni në fund të Vigjiljes së lutjes Mariane për paqen të shtunën 11 tetor 2025: "Hiqe shpatën është një fjalë drejtuar të fuqishmëve të botës, atyre që drejtojnë fatet e popujve: keni guximin e çarmatimit! Dhe i është drejtuar në të njëjtën kohë secilit prej nesh, për të na bërë gjithnjë e më të vetëdijshëm se për asnjë ide, apo fe, apo politikë nuk mund të vrasim. Për t'u çarmatosur para së gjithash është zemra, sepse nëse nuk ka paqe në ne, nuk do të japim paqe". Është ftesa "për të fituar një pikëpamje tjetër për të parë botën nga poshtë, me sytë e atyre që vuajnë, jo me optikën e të mëdhenjve". Leoni, më 9 tetor, në fjalimin e tij drejtuar Fondacionit "Ndihmë për Kishën që vuan", shpjegoi gjithashtu se "asnjë paqe nuk është e mundur aty ku nuk ka liri fetare ose ku nuk ka liri mendimi dhe fjale dhe respekt për opinionet e të tjerëve".
Dashuria për të varfrit
Në nxitjen e tij të parë apostolike, Dilexi te, botuar më 9 tetor, Papa Leoni shpjegoi se duke ndihmuar ata që vuajnë "ne nuk jemi në horizontin e bamirësisë, por të Zbulesës Hyjnore: kontakti me ata që nuk kanë pushtet dhe madhështi është një mënyrë thelbësore e takimit me Zotin e historisë". Dashuria për të varfrit nuk është një "rrugë opsionale", por përfaqëson "kriterin e adhurimit të vërtetë". "Fakti që ushtrimi i bamirësisë shpërfillet ose tallët, sikur të ishte fiksimi i disave dhe jo thelbi i ndezur i misionit kishtar, më bën të mendoj se duhet të lexojmë gjithmonë përsëri Ungjillin, për të mos rrezikuar ta zëvendësojmë atë me mentalitetin botëror". Dhe "është detyrë e të gjithë anëtarëve të Popullit të Zotit të bëjnë të dëgjohet një zë që zgjon, që denoncon, që ekspozohet". Edhe me koston e të dukurit "budallenj".
Leoni shpjegoi, në katekezën e audiencës së përgjithshme të 28 majit, se "praktika e kultit nuk të çon automatikisht të jesh i dhembshur. Në fakt, para se të jetë një çështje fetare, dhembshuria është një çështje njerëzore! Para se të jemi besimtarë, ne jemi të thirrur të jemi njerëzorë". Duke takuar nuncët apostolikë, më 10 qershor 2025, Papa u tha atyre: "Unë mbështetem tek ju që në vendet ku jetoni të gjithë të dinë se Kisha është gjithmonë gati për gjithçka për dashuri, se është gjithmonë në anën e të fundmëve, të të varfërve, dhe se gjithmonë do të mbrojë të drejtën e shenjtë për të besuar në Zot (...) Vetëm dashuria është e denjë për besim, përballë dhimbjes së të pafajshmëve, të kryqëzuarve të sotëm". Dhe më 13 korrik nga Castelgandolfo Ati i Shenjtë Prevost ftoi, duke ndjekur shembullin ungjillor të Samaritanit të Mirë, të mos "kalojmë tutje" por të lejojmë që "zemra jonë të shpohet" nga "të gjithë ata që fundosen në të keqe, në vuajtje dhe në varfëri", nga "kaq shumë popuj të zhveshur, të grabitur dhe të plaçkitur, viktima të sistemeve politike shtypëse, të një ekonomie që i detyron në varfëri, të luftës që vret ëndrrat dhe jetët e tyre". Duke i përcaktuar veprat e mëshirës, siç bëri më 10 gusht 2025 gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit, "banka më e sigurt dhe më fitimprurëse ku të besojmë thesarin e ekzistencës sonë është (...) në familje, në famulli, në shkollë dhe në vendet e punës, kudo që të jemi, le të përpiqemi të mos humbim asnjë mundësi për të dashur".
Migrantët vëllezërit tanë
Leone XIV, në homelinë për Jubileun e Botës Misionare dhe të Migrantëve, të dielën më 5 tetor foli për “historinë e shumë vëllezërve tanë migrantë, dramën e arratisjes së tyre nga dhuna, vuajtjen që i shoqëron, frikën se nuk do t’ia dalin, rrezikun e kalimeve të rrezikshme përgjatë brigjeve të detit, thirrjen e tyre të dhimbjes dhe dëshpërimit: vëllezër dhe motra, ato anije që shpresojnë të shohin një port të sigurt ku të ndalojnë dhe ata sy plot ankth e shpresë që kërkojnë një tokë të fortë ku të zbarkojnë, nuk mund dhe nuk duhet të gjejnë ftohtësinë e indiferencës apo stigmën e diskriminimit!”. Dhe në fjalimin drejtuar Lëvizjeve Popullore më 23 tetor foli për temën e sigurisë: “Shtetet kanë të drejtën dhe detyrën të mbrojnë kufijtë e tyre, por kjo duhet të balancohet nga detyrimi moral për të ofruar strehim. Me abuzimin e migrantëve të cenueshëm, ne nuk shohim ushtrimin legjitim të sovranitetit kombëtar, por më tepër krime të rënda të kryera ose të toleruara nga Shteti. Po merren masa gjithnjë e më çnjerëzore – madje të festuara politikisht – për t’i trajtuar këta ‘të padëshirueshëm’ sikur të ishin plehra dhe jo qenie njerëzore. Krishterimi, përkundrazi, i referohet Zotit dashuri, që na bën të gjithëve vëllezër dhe na kërkon të jetojmë si vëllezër e motra”. Konvertimi për të ruajtur Krijimin
Papa Leoni XIV ka folur disa herë për ruajtjen e Krijimit, në vazhdën e enciklikës “Laudato si’” të paraardhësit Françesku. Siç bëri më 9 korrik, duke prezantuar “Meshën për Krijimin”: “Në fillim të Meshës duhet të lutemi për kthimin, kthimin tonë. Do të doja të shtoja se duhet të lutemi për kthimin e shumë njerëzve, brenda dhe jashtë Kishës, të cilët ende nuk e njohin urgjencën e kujdesit për shtëpinë tonë të përbashkët. Shumë fatkeqësi natyrore që ende shohim në botë, pothuajse çdo ditë në shumë vende, në shumë shtete, janë pjesërisht të shkaktuara edhe nga teprimet e qenies njerëzore, me stilin e saj të jetesës. Prandaj duhet të pyesim veten nëse ne vetë po e jetojmë apo jo atë kthim: sa nevojë ka sot për të!”.