Kërko

2025.10.20 Messa di ringraziamento per la canonizzazione Santo Josè Gregorio Hernàndez

Venezuelë, Parolin: "Të ndërtohet paqja mbi themelet e drejtësisë dhe lirisë"

Sekretari i Shtetit të Vatikanit kremtoi sot paradite (20 tetor), një meshë falënderimi për kanonizimin e dy shenjtorëve të parë venezuelianë, José Gregorio Hernández Cisneros dhe María Carmen Rendiles Martínez. Në homelinë e tij, ai i kërkoi vendit të dëgjojë Fjalën e Zotit për “t’iu përgjigjur thirrjes për paqen" e bazuar në parimet e së vërtetës, dashurisë dhe respektit për të drejtat e njeriut, "duke krijuar hapësira për takim dhe bashkëjetesë demokratike"

R.SH. – Vatikan

"Zemrat tona janë të mbushura me të njëjtin gëzim, që ndjemë dje në Sheshin e Shën Pjetrit, sepse Venezuela ka shenjtorët e saj të parë. Jo një, por dy: shenjtorë për të gjithë". Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, kremtoi sot paradite (20 tetor), në Bazilikën e Shën Pjetrit, një meshë falënderimi për shenjtorët e parë venezuelianë, kanonizuar të dielën nga Papa Leoni XIV: shenjtorët José Gregorio Hernández Cisneros dhe Maria Carmen Rendiles Martínez. Kardinali Parolin ndau kështu personalisht gëzimin e Kishës së Venezuelës, ku ka shërbyer si nunc apostolik për pesë vjet. Në kremtimin, në Altarin e Katedrës, shoqëruar nga kori Simón Bolívar i Sistemit Orkestral Venezuelian, morën pjesë ipeshkvij dhe meshtarë venezuelianë, autoritete dhe grupe shtegtarësh, që kishin ardhur në Romë për kanonizimin.

Prania shëruese dhe gjenialiteti femëror

Në homelinë e tij, duke u përqendruar në leximin e parë (Isaia 58,6-11), kardinali pohoi se dy shenjtorët, "me një zë", i përgjigjen ftesës së tekstit biblik: "Ndaje bukën tënde me të uriturin; shtieri në shtëpinë tënde skamnorët e të pastrehët; kur ta shohësh të zhveshurin, vishe dhe mos e përbuz farefisin tënd; domethënë, mos u përqendroni te vetja, duke kërkuar vetëm dhe në mënyrë egoiste mirëqenien tuaj, duke injoruar ata që vuajnë në trup dhe shpirt". Shën José Gregorio Hernández-in, vuri në dukje kardinali, "e shohim duke ecur me padurim rrugëve të qytetit, duke sjellë dritën e mjekësisë, por edhe balsamin e ngushëllimit. Shumë thoshin se edhe vetëm prania e tij shëronte”. Ndërkohë, me Shën María Carmen, "Kisha dëshiron t'i bëjë homazh një gruaje të fortë, që punon dhe ndërton, si edhe siguron transmetimin e fesë te brezat, që i janë besuar. Në të, Kisha kremton forcën e gjenialitetit femëror të Venezuelës". Duke kujtuar Leximin e dytë, Letrën e parë të Shën Gjonit Apostull (3,14-18): “Vetëm duke i dashur vëllezërit mund të kalojmë nga vdekja në jetë. ‘Ai që nuk do, mbetet në vdekje’”, kardinali Parolin theksoi se ky është pikërisht “mesazhi që Shën José Gregorio dhe Nëna Carmen e vunë në jetë heroikisht, në kohën e tyre. Ata na bëjnë thirrje ta jetojmë atë, nga ana jonë, duke ndjekur shembullin e Mësuesit e Zotit dhe shembullin, që na dhanë ata”.

  (@Vatican Media)

Thirrja për Venezuelën

"Vetëm kështu, Venezuelë e dashur", pra, vetëm duke dëgjuar Fjalën e Zotit që na bën thirrje t’i "zhdukim presionet e padrejta, t’i thyejmë zinxhirët, të çlirojmë të shtypurit, të shkatërrojmë të gjitha kurthet", mund të kalojmë "nga vdekja në jetë", tha Sekretari i Shtetit të Vatikanit. "Vetëm në këtë mënyrë, Venezuelë e dashur, drita juaj do të shkëlqejë në errësirë, errësira juaj do të bëhet mesditë"; "vetëm në këtë mënyrë, Venezuelë e dashur, do të jesh në gjendje t'i përgjigjesh thirrjes për paqe, nëse e ndërton atë mbi themelet e drejtësisë, të së vërtetës, lirisë dhe dashurisë, duke respektuar të drejtat e njeriut, duke krijuar hapësira për takim dhe bashkëjetesë demokratike, duke i dhënë përparësi asaj që bashkon në vend të asaj që ndan, duke kërkuar mjetet dhe mundësitë për të gjetur zgjidhje të përbashkëta për problemet e mëdha që të shqetësojnë, duke e vendosur të mirën e përbashkët si qëllim të çdo veprimtarie publike".

Lutje për dy shenjtorët e rinj

Në fund të homelisë, kardinali theksoi se "kanonizimi i José Gregorio Hernández dhe i Nënës Carmen është një jairos, një moment i përshtatshëm për ta nisur këtë udhëtim. Mos e lini të kalojë kot! Shenjtorët e rinj ndërmjetësofshin që të ecni përpara me shpresë dhe vendosmëri". Pastaj, lutja: "Shën José Gregorio dhe Nënë e Shenjtë Carmen, lutuni për ne!"

  (@Vatican Media)
20 tetor 2025, 11:38