Refugjatët nga Sudani kërkojnë strehim në Çad Refugjatët nga Sudani kërkojnë strehim në Çad

Selia e Shenjtë: t'u përgjigjemi krizave humanitare përtej ideologjive e interesave politike

Duke folur në Komitetin Ekzekutiv të 76-të të Programit të Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), imzot Daniel Pacho, nënsekretar i Vatikanit për sektorin multilateral të Seksionit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, tërheq vëmendjen mbi "krizën e financimeve" të destinuara për operacionet e shpëtimit. Ati i Shenjtë thekson gjithashtu katër parimet që duhet të udhëheqin këtë veprim: "Mirëpritja, mbrojtja, promovimi, integrimi".

R.SH. – Vatikan

Të kapërcejmë kufijtë, ideologjitë politike dhe "interesat gjeopolitike afatshkurtra". Dhe, duke vepruar kështu, të përballemi me "krizën e rëndë të financimeve" që po godet sektorin humanitar, duke rrezikuar operacionet e shpëtimit "dhe vetë qëndrueshmërinë e institucioneve multilaterale". Ky është apeli i bërë nga imzot Daniel Pacho, nënsekretar pranë Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit për sektorin multilateral të Seksionit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, i cili foli dje, më 6 tetor, në Gjenevë, me rastin e Komitetit Ekzekutiv të 76-të të Programit të Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR).

Mbi 123 milionë njerëz të detyruar të largohen

Gjendja e refugjatëve, shpjegoi prelati, prek "komunitete të tëra" në rajone të ndryshme të botës, duke paraqitur një "sfidë të vazhdueshme" për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut. Të dhënat flasin për 123.2 milionë njerëz janë detyruar me forcë të largohen nga vendi i tyre i origjinës: shifra këto në rritje të vazhdueshme gjatë dekadës së fundit, të cilat theksojnë urgjencën e një përgjigjeje kolektive "të aftë për të apeluar në ndërgjegjen dhe përgjegjësinë e përbashkët të komunitetit ndërkombëtar".

"Krizat e harruara"

Në këtë kontekst "dramatik", Selia e Shenjtë ka shprehur afërsinë e saj me të gjitha viktimat e konflikteve në vazhdim, veçanërisht në Ukrainë dhe Gaza, por edhe në shumë "kriza të tjera të harruara", si Sudani, Sudani i Jugut, Republika Demokratike e Kongos dhe Mianmari. Vatikani ka theksuar gjithashtu edhe kontributin e çmuar të vendeve dhe komuniteteve që vazhdojnë të mirëpresin refugjatët, pavarësisht vështirësive me të cilat përballen vetë.

Mbrojtja është një e drejtë, jo një privilegj

Imzot Daniel Pacho ka ripohuar vëzhgimin e Komisionerit të Lartë, duke kujtuar rënien e financimeve të destinuara për sektorin humanitar. Institucionet përgjegjëse për këtë detyrë, paralajmëroi ai, po kalojnë një moment kritik, pavarësisht se qëllimi i tyre është pikërisht nxitja e dialogut dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Përgjigja ndaj krizave që përfshijnë të gjithë njerëzimin nuk mund të bazohet në avantazhe politike apo gjeopolitike afatshkurtra, tha prelati. "Mbrojtja ndërkombëtare është një detyrë dhe një e drejtë, jo një privilegj. Një krizë, pra, që nuk është vetëm një provë për efikasitetin e multilateralizmit, por për vetë njerëzimin tonë".

Përgjigje kolektive

Selia e Shenjtë ka shpresuar për një përgjigje kolektive ndaj krizës së refugjatëve, bazuar në parimin e "përgjegjësisë së përbashkët". Asnjë shtet — "në veçanti ato që kufizohen me zona konflikti" — nuk duhet të lihet vetëm për të përballuar "zhvendosjet masive". Ky angazhim duhet të shtrihet përtej ndihmës së parë, duke përfshirë investime për një paqe të qëndrueshme, pajtimin dhe rindërtimin pas luftës.

Mirëpritja, mbrojtja, promovimi dhe integrimi

Vatikani ka dashur të riafirmojë edhe katër parimet kyçe që duhet të udhëheqin këto përpjekje: mirëpritjen, mbrojtjen, promovimin dhe integrimin. Konkretisht, kjo do të thotë krijimi i korridoreve humanitare, favorizimi i ribashkimit familjar dhe garantimi i respektimit të të drejtave të refugjatëve, në përputhje me Konventën e Gjenevës të vitit 1951. Po aq i rëndësishëm është edhe promovimi i zhvillimit të plotë njerëzor të personave të zhvendosur, duke u siguruar atyre qasje në arsim, shëndetësi dhe punë, dhe duke adresuar shkaqet rrënjësore të zhvendosjes: konfliktet e armatosura, persekutimet fetare ose etnike, shtypjen politike dhe ndryshimet klimatike.

Angazhimi i Selisë së Shenjtë

Imzot Daniel Pacho më pas kujtoi angazhimin e vazhdueshëm të Selisë së Shenjtë në mbështetjen e migrantëve, të realizuar përmes organizatave të shumta katolike dhe programeve dioqezane të dedikuara për ndihmën e tyre. Së fundi, ai citoi Papën Leoni XIV, i cili na kujton se "të njohësh se tjetri është një vëlla, një motër, do të thotë të çlirohesh nga shtirja e të besuarit se jemi fëmijë të vetëm e gjithashtu edhe nga logjika e ortakëve, të cilët qëndrojnë së bashku vetëm për interes". Në këtë perspektivë, vëmendja e komunitetit ndërkombëtar për refugjatët duhet të bëhet "katalizator" për riafirmin dhe forcimin e të drejtave të njeriut të njohura universalisht.

07 tetor 2025, 17:28