Vëzhguesi i përhershëm i Vatikanit pranë Kombeve të Bashkuara, kryeipeshkvi Imzot Caccia Vëzhguesi i përhershëm i Vatikanit pranë Kombeve të Bashkuara, kryeipeshkvi Imzot Caccia

Selia e Shenjtë në OKB: të reduktohet "borxhi ekologjik" me vendet në zhvillim

Vëzhguesi i përhershëm i Vatikanit pranë Kombeve të Bashkuara, kryeipeshkvi Imzot Caccia, ndërhyn mbi temën e zhvillimit të qëndrueshëm: "Duke promovuar edukimin ekologjik, mund të kultivojmë një mënyrë të re jetese, që respekton si dinjitetin e personit njerëzor ashtu edhe integritetin e Krijimit"

R.SH. / Vatikan

Selia e Shenjtë e konsideron thelbësore reduktimin e "borxhit ekologjik" ndaj vendeve në zhvillim. Kjo është ajo që thekson Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, kryeipeshkvi Imzot Gabriele Caccia, në fjalimin e tij në debatin e komitetit të dytë mbi zhvillimin e qëndrueshëm. Prelati, si premisë, citon fjalët e Papa Leonit XIV, me rastin e Ditës së dhjetë Botërore të Lutjes për Kujdesin e Krijimit, duke vërejtur: "Duket se jemi të paaftë të njohim se shkatërrimi i natyrës nuk prek të gjithë në të njëjtën mënyrë". "Është e qartë – vazhdon imzot Caccia – se ata që kanë kontribuar më pak në ndryshimet klimatike dhe degradimin mjedisor, duke përfshirë të varfrit dhe komunitetet indigjene, janë shpesh ata që vuajnë pasojat më të rënda dhe shkatërruese".

Përgjegjësia për të ndihmuar

Selia e Shenjtë – e përkufizuar nga imzot Caccia si "promotore e bindur e zhvillimit të plotë njerëzor", aq më tepër në këtë kohë të shënuar nga konflikte dhe sfida të panumërta dhe në koincidencë me dhjetëvjetorin e enciklikës Laudato Si' të Papa Françeskut, "një tekst profetik në theksimin e ndërlidhjes midis njerëzve dhe planetit" – beson se "kombet dhe sektorët që kanë kontribuar në mënyrë disproporcionale në degradimin mjedisor dhe ndryshimet klimatike kanë përgjegjësinë të mbështesin ata që janë më të prekur nga pasojat e tij". "Korrigjimi i borxhit ekologjik fillon me vendet e zhvilluara", deklaron kryeipeshkvi, sipas të cilit kjo mbështetje mund të marrë "shumë forma, duke përfshirë financime adekuate, reduktimin e borxhit në kohë krize, ndarjen e teknologjive të përshtatshme dhe forcimin e kapaciteteve".

Mbrojtja e biodiversitetit

Sipas Vëzhguesit të Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, është më se i nevojshëm edhe "një veprim i koordinuar për të mbrojtur biodiversitetin". "Mbrojtja e pyjeve tona, oqeaneve tona dhe ekosistemeve tona është thelbësore – thekson imzot Caccia – si shenjë e vlerës së tyre të brendshme, ashtu edhe për mbijetesën e komuniteteve të panumërta, mjetet e jetesës së të cilave varen prej tyre. Humbja e shpejtë e specieve, shkatërrimi i habitateve dhe ndotja e ajrit dhe ujit nuk janë vetëm shqetësime ekologjike; ato kanë një ndikim të thellë në jetën e njerëzve".

Edukimi për ekologjinë integrale

Për Selinë e Shenjtë, përfundon Vëzhguesi i Përhershëm i Vatikanit pranë Kombeve të Bashkuara në fjalimin e tij, është gjithashtu thelbësore promovimi i edukimit për ekologjinë integrale. "Një ndryshim i qëndrueshëm nuk mund të arrihet vetëm përmes politikave – thekson kryeipeshkvi. Kërkon gjithashtu edhe një kthim të zemrave dhe mendjeve. Ndryshimi i stilit të jetesës duhet të promovohet përmes një edukimi që orienton zgjedhjet, frymëzon solidaritetin dhe përgatit të rinjtë për të ndërtuar një kulturë të qëndrueshmërisë. Iniciativat edukative nuk duhet të kufizohen vetëm në zgjidhje teknike; ato duhet të përfshijnë gjithashtu formimin etik për të kultivuar përgjegjësinë kolektive për ruajtjen e krijimit. Duke promovuar edukimin ekologjik, mund të kultivojmë një mënyrë të re jetese, që respekton si dinjitetin e personit njerëzor ashtu edhe integritetin e Krijimit".

14 tetor 2025, 13:07