Selia e Shenjtë: armët bërthamore, kërcënim i jashtëzakonshëm për paqen
R.SH. – Vatikan
Armët bërthamore dhe zgjerimi i arsenaleve të tyre janë "një nga kërcënimet më të mëdha për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare". Kështu deklaroi Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB, imzot Gabriele Caccia, më 21 tetor, para komitetit të parë të sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, kushtuar armëve bërthamore.
Duke kujtuar 80-vjetorin e provës së parë bërthamore në Nju Meksiko dhe shkatërrimin e shkaktuar nga bombat atomike kundër Hiroshimës dhe Nagasakit, kryeipeshkvi ngriti edhe një herë zërin "për potencialin katastrofik të këtyre armëve" dhe kujtoi përgjegjësinë e përbashkët për t’u siguruar që tragjedi të tilla të mos ndodhin më kurrë.
Paqja nuk arrihet me kërcënime
"Paqja", deklaroi imzot Caccia, "nuk mund të ndërtohet mbi kërcënimin e shkatërrimit të plotë, ose mbi iluzionin se qëndrueshmëria mund të lindë nga mundësia për asgjësimin e njëri-tjetrit, sepse, moralisht, nuk mund ta mbrojmë këtë opcion dhe strategjikisht, ai është i paqëndrueshëm". Kryeipeshkvi denoncoi kërcënimin në rritje nga përdorimi i armëve bërthamore dhe nga zgjerimi i arsenaleve. "Zhvillime të tilla, shpesh të justifikuara nga logjika e gabuar e parandalimit", vazhdoi prelati, "ka rrezik të përforcojnë frikën dhe të destabilizojnë më tej sigurinë ndërkombëtare".
Kujdes nga përdorimi i IA-së
Në këtë kontekst, përdorimi i Inteligjencës Artificiale në sistemet e komandës, kontrollit dhe disllokimit bërthamor është shqetësues: këto inovacione "zvogëlojnë kohën e vendimmarrjes, pakësojnë mbikëqyrjen njerëzore dhe rrisin rrezikun e gabimeve në llogaritje". Gjithashtu, ato sjellin "një nivel të paparë pasigurie".
Armët bërthamore mund të eliminohen
"Selia e Shenjtë", shtoi kryeipeshkvi Caccia, "përsërit bindjen e saj se përpjekjet për të kontrolluar, kufizuar, zvogëluar dhe, së fundi, për të eliminuar armët bërthamore nuk janë perspektivë jorealiste, por mundësi dhe detyrë morale urgjente". Prandaj, Selia e Shenjtë u bën thirrje shteteve të respektojnë detyrimet e tyre sipas Nenit VI të Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT) dhe të negociojnë eliminimin e rezervave. Gjithashtu, Selia e Shenjtë i nxit shtetet të hyjnë në këtë Traktat dhe në atë për Ndalimin e Armëve Bërthamore (TPNË) dhe të promovojnë ndalimin e testeve bërthamore, miratimin e një traktati mbi materien radioaktive dhe forcimin e mekanizmave të verifikimit dhe ndihmës.
Gjithmonë, të mbrohet jeta
Duke denoncuar përdorimin e fondeve për armatime, Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë nënvizoi se kjo është "një disfatë e thellë morale", sepse "siguria e vërtetë qëndron në mbrojtjen e jetës, promovimin e drejtësisë dhe përparimin e paqes, jo në armë apo arsenale". Ai e ftoi bashkësinë ndërkombëtare të angazhohet për "një siguri, që ka në qendër njeriun, siguri e bazuar në dialog, vëllazërim dhe respekt për dinjitetin e brendshëm, dhënë nga Zoti, çdo personi".