Pesë vjet më parë, Papa Françesku nënshkroi enciklikën "Fratelli tutti"

Pesë vjet më parë, mё 3 tetor 2020, Papa Françesku nënshkroi, mbi varrin e Shën Françesku në bazilikën e ulët të Asizit, nё Itali, enciklikën e tij të tretë, "Fratelli tutti", mbi vëllazërimin dhe miqësinë sociale.

R.SH. - Vatikan

Si sot, mё 3 tetor 2020 n Papa  Françesku nënshkroi, mbi varrin e Shën Françesku në Bazilikën e ulët të Asizit, nё Itali, enciklikën e tij të tretë, "Fratelli tutti", kushtuar vëllazërimit dhe miqësisë sociale, vlera qё sot kurrë mё shumё se janё thelbësore për t’i dhёnё  shpresë dhe forcë njerëzimit të plagosur nga luftërat e varfëria.

Me enciklikën shoqërore “Fratelli tutti”, Papa Françesku tregonte e tregon ende sot rrugën konkrete për ta arritur ta shohim njëri-tjetrin si vëllezër e motra, vëllezër sepse bij të Zotit, kujdestarë të njëri-tjetrit, të gjithë në të njëjtën barkë, siç e bëri edhe më të dukshme asokohe pandemia, sot luftërat. Është udha për të mos iu dorëzuar tundimit “homo homini lupus” (njeriu për njeriun është ujk), mureve të reja, izolimit, është udha për t’ia ngulur sytë ikonës ungjillore të Samaritanit të Mirë, aq aktuale e jashtë të gjitha skemave.

Rruga e treguar nga Papa Françesku bazohet në mesazhin e Jezusit, në të cilin askush nuk është i huaj. I krishteri, në të vërtetë, është i thirrur të “shohë Krishtin në çdo qenie njerëzore, ta shohë atë të kryqëzuar në ankthin e të braktisurve dhe të të harruarve nga kjo botë dhe të ringjallur në çdo vëlla që ngrihet sërish në këmbë”. Por vëllazërimi është një mesazh që mund të pranohet, kuptohet, ndahet edhe nga burra dhe gra besimtare të feve të tjera, si dhe nga shumë gra dhe burra jo-besimtarë.

03 tetor 2025, 14:22