Më 3 tetor 1951 filloi transmetimi i Radio Vatikanit në gjuhën shqipe
R.SH. - Vatikan
Si sot, më 3 tetor 1951 fillonte transmetimi i parë i Radio Vatikanit në gjuhën shqipe. Prandaj, është e natyrshme që sot ta kujtojmë këtë përvjetor që na kujton zanafillën, pikënisjen, misionin e përditshëm radiofonik, privilegjin dhe përgjegjësinë e përheshme në transmetimin e mesazheve të Papëve dhe mësimit të Kishës.
(Sigla aktuale e redaksisë shqipe të Radio Vatikanit)
Sigla radiofonike, që dëgjohet sa herë hapet stacioni i Radio Vatikanit-Vatican News, na kujton, së pari, shërbimin që eminentja e Selisë së Shenjtë u bëri katolikëve e qytetarëve të Shqipërisë të izoluar pas perdes së hekurt, që nuk kishin asnjë mundësi të komunikonin me Selinë Apostolike, me Kishën universale dhe me botën në periudhën e gjatë të diktaturës komuniste. Njëkohësisht edhe të gjithë shqiptarëve kudo që janë.
(Sigla parë e redaksisë shqipe të Radio Vatikanit)
Ndërsa kjo që po dëgjoni tani, është sigla e parë e redaksisë shqipe pranë Radio Vatikanit, që nisi të transmetonte, në kushtet e diktaturës komuniste në Shqipëri, më 3 tetor të vitit 1951, nën drejtimin e meshtarit shqiptar dom Zef Shestani. Kështu, pra, redaksia shqipe nisi programet e veta me përshkimin dhe transmetimin e Udhës së Kryqit të Shpëtimtarit të njerëzimit, Jezu Krishtit.
Redaksia shqipe e Radio Vatikanit përshkoi një rrugë të gjatë, duke shoqëruar dhe mbështetur popullin shqiptar në periudhën e errët të diktaturës komuniste, deri në rënien e diktaturës dhe më pas në rrugëtimin e demokracisë me trasnmetimin e Lajmit të Mirë, mësimeve dhe fjalëve të përzemërta dhe inkurajuese të Papëve të Romës.
Historia është e rëndësishme, e ne si Dikaster i Komunikimit dhe redaksi shqipe e Radio Vatikanit – Vatican News shikojmë përpara dhe jemi të sigurt se kemi një udhë të gjatë për të bërë në përpjekjen për të arritur tek gjithnjë e më shumë njerëz, edhe të rinj, përmes të gjitha mjeteve, që na vë në dispozicion sot komunikimi shoqëror.
Kohët ndryshuan e ndryshojnë por misioni mbetët përherë i njëjtë, ai për të transmetuar në gjuhën shqipe Lajmin e Mirë, mësimet dhe fjalët e përzemërta dhe inkurajuese të Papëve të Romës.