Kërko

Papa Dukës së Madh Guillaume të Luksemburgut

Papa dërgon një telegram trashëgimtarit të fronit të Dukatit të Madh: "Të promovohet - shkruan Ati i Shenjtë - jeta e bazuar në respektimin e vlerave të krishtera që kanë farkëtuar identitetin e Luksemburgut dhe kështu të favorizohet kërkimi i palodhur i së mirës së përbashkët". Ndarja e gëzimit shoqërohet "me urime të sinqerta paqeje" për të ardhmen e Luksemburgut.

R.SH. / Vatikan

Leoni XIV i dërgon urimet më të sinqerta Lartëmadhërisë së Tij Mbretërore Guillaume të Luksemburgut me anë të një telegrami, me rastin e kremtimeve në nder të tij për ngjitjen në fronin e Dukatit të Madh të Luksemburgut.

Promovimi i respektit për vlerat e krishtera dhe të mirën e përbashkët

"Kështu bashkohem me gëzimin e një vendi të tërë të pasur me tradita të lashta dhe prestigjioze, thellësisht të rrënjosura në histori", shkruan Papa. "Uroj që Lartëmadhëria e Tij Mbretërore të kontribuojë, nga ana e tij, në promovimin e një jete të bazuar në respektin e vlerave të krishtera që kanë farkëtuar identitetin e Luksemburgut dhe kështu të favorizojë kërkimin e palodhur të të mirës së përbashkët".

Papa Leoni XIV shpreh "konsideratë të përzemërt shoqëruar me urime të sinqerta paqeje" për të ardhmen e vendit. Dhe shton lutjen drejtuar "Nënës së Zotit për mbrojtjen qiellore" me bekimin apostolik, të cilin e shtrin mbi të gjithë banorët e Dukatit të Madh.

Të dielën, kardinali Hollerich kryeson Meshën në Katedrale

Guillaume i Luksemburgut, 43 vjeç, pason në krye të Dukatit të Madh babanë e tij Henri, i cili abdikoi pas 25 vjetësh mbretërimi. Guillaume do të kurorëzohet dhe do të bëjë betimin mbi Kushtetutën para 60 deputetëve të Dhomës. Në ceremoni do të marrin pjesë personalitete mbretërore nga Holanda dhe Belgjika. Gjatë fundjavës, Guillaume do të bëjë turneun tradicional të vendit në qendër të Evropës, i cili do të përfundojë me një Meshë të dielën që do të kremtohet nga kardinali Jean-Claude Hollerich, kryeipeshkëv i Luksemburgut, në Katedralen katolike Notre-Dame de Luxembourg.

Luksemburgu, me 700 mijë banorë, është një demokraci parlamentare me Dukën e Madh si kryetar shteti. Guillaume do të jetë duka i shtatë i madh që nga viti 1890, viti kur u themelua monarkia moderne në atë që aktualisht është dukati i fundit i madh ekzistues në botë.

03 tetor 2025, 11:30