Mianmar, Imzot Gallagher: jo dhunës me bazë etnike, të respektohet liria fetare
R.SH. - Vatikan
Janë shifra të rëndësishme ato që imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, bëri të ditura gjatë Konferencës së nivelit të lartë mbi situatën e myslimanëve Rohingya dhe minoriteteve të tjera në Mianmar, në Kombet e Bashkuara në Nju Jork.
Duke folur dje, më 30 shtator, kryeipeshkvi theksoi se ka më shumë se 1.2 milionë refugjatë Rohingya të zhvendosur dhe pa shtetësi, nga të cilët rreth 89% kërkojnë azil në Bangladesh. Pavarësisht "përgjigjes bujare" të vendeve fqinje, theksoi prelati, gratë dhe fëmijët Rohingya vazhdojnë të jetojnë në kampe refugjatësh të mbipopulluara, si në Cox's Bazar ashtu edhe në Bhasan Char. "Për më tepër," shtoi Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, "rreth 630 mijë Rohingya në shtetin Rakhine, në pjesën perëndimore të Mianmarit, mbeten pa shtetësi, të nënshtruar ndaj rekrutimit ushtarak, diskriminimit, rrezikut të urisë dhe persekutimit nga grupet e armatosura dhe personeli ushtarak".
Shumë rreziqe shkaktuar nga mungesa e ndihmave
Prandaj është e nevojshme të jepen fonde shtesë ndaj atyre që aktualisht janë caktuar dhe që rezultojnë të jenë të pamjaftueshme. Në rrezik për muajt e ardhshëm është "qasja në shërbimet thelbësore, veçanërisht kujdesi shëndetësor bazë, ndihma ushqimore dhe arsimi". Një situatë – theksoi imzot Gallagher – që mund të prekë krimin e organizuar dhe rrjetet e trafikimit të qenieve njerëzore. Prandaj "është e nevojshme që të gjithë aktorët të garantojnë një qasje të pakufizuar dhe të padiskriminueshëm në ndihmat humanitare".
Duke menduar për zgjidhje afatgjata, sipas Sekretarit të Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, duhet të lehtësohet varësia nga ndihmat ndërkombëtare dhe "të trajtohen shkaqet rrënjësore të krizës" duke përparuar drejt "pajtimit dhe integrimit kombëtar". Selia e Shenjtë "beson fuqishëm se dallimet fetare nuk duhet të nxisin ndarjen, por të promovojnë unitetin, faljen dhe ndërtimin e kombit".
Roli i feve
Fetë në fakt mund të ndihmojnë "në çrrënjosjen e konflikteve, inkurajimin e dialogut, mbështetjen e drejtësisë dhe dhënien e zërit të gjithë atyre që vuajnë". Në këtë kuptim e drejtim, është e rëndësishme "respektimi i plotë i lirisë fetare në çdo vend" dhe dënimi i "çdo forme diskriminimi, persekutimi dhe dhune të bazuar në etni ose fe". "Selia e Shenjtë," përfundoi imzot Gallagher, "i nxit të gjitha palët të mbrojnë të drejtat ndërkombëtare të njeriut, të marrin masa konkrete për të mbrojtur minoritetet etnike dhe fetare". Një rrugë efektive për t'iu përgjigjur thirrjes së Papa Leonit XIV i cili, gjatë lutjes së Engjëllit ët Zotit të 15 qershorit të kaluar, nxiti të angazhohemi "për një dialog gjithëpërfshirës, si e vetmja rrugë që mund të çojë në një zgjidhje paqësore dhe të qëndrueshme".