"Kurrë më luftë!": thirrja aktuale e Palit VI, që ra në vesh të shurdhër
R.SH. – Vatikan
Andrea Tornielli
“Jamais plus la guerre, jamais plus la guerre!” (Kurrë më luftë, kurrë më luftë!) Kanë kaluar gjashtëdhjetë vjet që kur Pali VI, Ipeshkvi i Romës, e ngriti zërin për paqen në Pallatin e Qelqit, seli e Kombeve të Bashkuara. Ishte e hënë, 4 tetor 1965. Bota e dalë para njëzet vitesh nga tragjedia e madhe e Luftës II Botërore, ishte e ndarë në dy blloqe dhe prej pak kohe i kishte dhënë fill një periudhe dialogu dhe afrimi, me përpjekjet e para për të arritur një marrëveshje mbi kontrollin e armëve bërthamore.
Teksti i plotë i Shën Palit VI në OKB...
"Ju prisni nga Ne këtë fjalë, e cila nuk mund të zhvishet nga serioziteti dhe solemniteti: jo njëri kundër tjetrit, jo më, kurrë më! – pati pohuar Papa Montini. - Ky është qëllimi kryesor për të cilin u themelua Organizata e Kombeve të Bashkuara: kundër luftës dhe për paqen!" E pati shtuar: "Dëgjojini fjalët e qarta të një njeriu të madh, që tani ka ndërruar jetë, John Kennedy", i cili thoshte: "Njerëzimi duhet t'i japë fund luftës, ose lufta do t'i japë fund njerëzimit". Gjykimi i Kennedy-t na zbulon gjithë realizmin e tij tragjik, pikërisht në orën e errët, që po përjeton bota aktualisht. Kriza e bashkëpunimit shumëpalësh dhe ajo e institucioneve si OKB-ja është para syve të të gjithëve. Ajo Luftë III Botërore, e filluar pjesë-pjesë, të cilën Papa Françesku filloi ta denonconte më se dhjetë vjet më parë, duket se po afrohet në mënyrë ogurzezë. Njerëzimi duket se e ka humbur kujtesën e së kaluarës së afërt. Jemi të mbytur nga miliona të ashtuquajtura informacione të epokës dixhitale, që na bëjnë të ndihemi si brezi më i vetëdijshëm, por jemi të rrethuar nga lajme të rreme, nga propaganda e luftës dhe nga interesat e pathëna të prodhuesve të armëve dhe të tregtarëve të vdekjes.
Lufta vëllavrasëse në zemër të Evropës së krishterë, shpërthyer nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës; lufta vëllavrasëse në zemër të Tokës Shenjte, shpërthyer nga sulmi terrorist çnjerëzor i Hamasit dhe tani, e vijuar me dhunë të pajustifikuar nga ushtria izraelite, janë vetëm dy nga konfliktet e shumta në mbarë botën, konflikte të harruara, jashtë radarëve. Tragjedia në Gaza, burgosja dhe vrasja e pengjeve, masakrimi i popullsisë civile - dhjetëra mijëra fëmijë, gra dhe të moshuar - si dhe shumë viktima civile të luftës në Ukrainë janë turp, një vrimë e zezë për ndërgjegjen morale të botës.
E drejta ndërkombëtare dhe e drejta humanitare thirren në lojë në këtë situatë dhe përdoren, duke iu përshtatur interesave të më të fortit. Përballë qeverive që flasin për luftë, përgatiten për luftë dhe investojnë shuma të mëdha në armatime, britma e Papës nga Brescia jehon ende sot, dramatikisht më aktuale sesa gjashtëdhjetë vjet më parë. Janë fjalë në përkim të thellë me ndjenjat e popujve, që akoma indinjohen nga masakrat e përditshme dhe shpresojnë që diplomacia, bisedimet, krijimtaria në negociata, aftësia për të dialoguar dhe për të përshkuar rrugë të reja drejt paqes, të gjejë më në fund ata, që ecin në to, në vend që të dorëzohen para propagandës më vulgare të luftës.
Për të shpallur qëllimin e Kombeve të Bashkuara, Papa shenjt Pali VI deshi të "kujtonte se gjaku i miliona njerëzve dhe vuajtjet e panumërta e të padëgjuara, masakrat e pakuptimta dhe rrënojat e tmerrshme vulosin paktin që ju bashkon, me një betim, që duhet ta ndryshojë historinë e ardhshme të botës: kurrë më luftë, kurrë më luftë! Paqja, paqja duhet ta udhëheqë fatin e popujve dhe të gjithë njerëzimit!" Të mos e harrojmë këtë, veçanërisht sot.