Kard. Parolin: të besojmë në vullnetin për të çuar përpara marrëveshjen për Gazën
R.SH. - Vatikan
Hapat e ndërmarrë në Gaza dhe ata që duhen bërë ende për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë. I kontaktuar dje nga gazetarët para dhënies së Çmimit të VI Letrar "Ambasadorët pranë Selisë së Shenjtë" në Palazzo Borromeo, selia e Ambasadës së Italisë pranë Selisë së Shenjtë, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, iu përgjigj disa pyetjeve mbi dy argumentet kryesore të skenarit aktual ndërkombëtar.
Hapat e parë në Gaza
Kardinali Parolin theksoi se marrëveshja për armëpushimin në Gaza ishte "vetëm hapi i parë shumë i rëndësishëm". Që nga fillimi i negociatave thuhej se kishte "pika mbi të cilat mungonte marrëveshja dhe tani "nyjet po dalin në pah". "Nuk duhet të humbim shpresën. Duhet të besojmë - shtoi Kardinali Parolin - se ka vullnet të mirë, nga të gjithë, për të ecur përpara". Mendimi i Sekretarit të Shtetit të Vatikanit shkoi te Atë Gabriel Romanelli dhe te meshtarët, rregulltarët dhe motrat rregulltare tl famullisë kishtare të Familjes së Shenjtë të Gazës, të cilëve iu dha "Çmimi Silvestrini" për dialogun dhe paqen. Ata përfaqësojnë për Kishën dhe botën, vuri në dukje Kardinali Parolin "një shenjë shprese": ndërsa të gjithë, në fakt, përpiqeshin të largoheshin nga Gaza dhe të shpëtonin, priftërinjtë dhe motrat rregulltare të famullisë së Gazës "bënë zgjedhjen e kundërt", qëndruan në vend. Atë Romanelli dhe provinciali i Institutit të rregulltarëve të Fjalës së Mishëruar ishin jashtë Gazës dhe nga Betlehemi "bënë gjithçka për t'u kthyer dhe për të bashkëndarë fatin e besimtarëve të tyre". Ata dhanë një dëshmi të madhe që bëhet një mësim për të gjithë. "Edhe në situatat më tragjike ku duket se mbizotëron urrejtja - tha kardinali Parolin - ka gjithmonë një prani". Dhe është prania e krishterë, në këtë rast, "një dritë e dashurisë që i jep shpresë botës".
Kard. Parolin: krenar që në Kishë ka njerëz të tillë
“Unë ndihem krenar, pohoi kardinali Parolin në fjalën e tij, sepse në trupin që është Kisha ka njerëz si ata: atë që kanë bërë, e kanë bërë edhe për ne, edhe pse nuk e kuptojmë”. Dhe shtoi: “Më pëlqen të kujtoj emrat e secilit prej atyre që morën çmimin, sepse emrat na thonë se lufta në vetvete çnjerëzon njerëzit që janë në anën tjetër, duke i degraduar në armiq ose kafshë”. Në vend të kësaj, “ata, me praninë e tyre, na kanë kujtuar vazhdimisht emrat dhe historitë e të krishterëve dhe palestinezëve të Gazës. Dhe e kanë bërë këtë për një arsye të vetme: emrin e Jezusit”.