“Raising Hope on Climate Change”, një plan i popujve për të ushqyer shpresën
R.SH. / Vatikan
"Në fund të kësaj jave do të prezantojmë një plan qëllimesh - Laudato si’ 10 - duke ftuar të pranishmit në Konferencë, dhe të gjithë ata që dëshirojnë të bashkohen me ne, të përcaktojnë qartë objektivat e tyre dhe të kontribuojnë në realizimin e vizionit dhe misionit të Laudato si’. Ky angazhim kolektiv do të prezantohet në Cop30 të ardhshëm si Laudato si’ Peoples Determined Commitment - një plan kolektiv që mund të shoqërojë Planet zyrtare të përcaktuara në nivel lokal nga vende të ndryshme dhe të kontribuojë në Global Ethical Stocktake", bilanci i masave të ndryshme të marra në nivel global për zbatimin e Marrëveshjes së Parisit për klimën. Kështu Lorna Gold, drejtoresha ekzekutive e Lëvizjes Laudato si’, ilustroi dje paradite në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë objektivin final të konferencës Raising Hope on Climate Change, e cila do të paraprihet nesër në Borgo Laudato si’ në Castel Gandolfo nga ngjarja, në të cilën do të marrë pjesë Papa Leoni XIV, kushtuar Cop30 Global Ethical Stocktake, në të cilën do të marrin pjesë 35 liderë fetarë.
Kriza ekologjike, krizë besimi
Konferenca ndërkombëtare u organizua nga Lëvizja Laudato si’ në bashkëpunim të ngushtë me Dikasterin e Vatikanit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, Caritas Internationalis, CIDSE, UISG, Lëvizjen e Fokolarëve, Aleancën e Rrjeteve Kishtare. Punimet, në të cilat do të marrin pjesë mbi një mijë persona, do të vazhdojnë për dy ditë.
"Jetojmë kohë të shënuara nga rreziku - tha kardinali Jaime Spengler, kryeipeshkëv i Porto Alegres në Brazil, i cili foli në konferencën për shtyp -, jetojmë rrezikun e thyerjes, të moskthimit. Megjithatë, siç na mëson poezia, aty ku ka rrezik, lind Shpëtimtari. Kemi nevojë që me gjithë aftësinë tonë ta nderojmë dhe dëgjojmë tokën. Kriza ekologjike është gjithashtu, siç thotë Papa Leoni XIV, një krizë besimi. Duhet, duhet, duhet të ushqejmë shpresën. Kërkesat që na vijnë nga baza na kujtojnë primatin e dinjitetit të qenies njerëzore, na thonë se etika duhet të mbizotërojë mbi interesat kontingjente. Shpresojmë që në COP30 të merren vendime të duhura nga burra shteti. Edhe pak e nuk do të jemi më në gjendje të kthehemi pas".
Një fillim i ri
Dhjetëvjetori i Laudato si', tha motra Alessandra Smerilli, sekretare e Dikasterit të Vatikanmit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor,"nuk është një pikë mbërritjeje, por një fillim i ri. Na thërret për një angazhim të ripërtërirë, sepse e dimë që sfidat janë ende të mëdha: ndryshimet klimatike, humbja e biodiversitetit, pabarazitë sociale, migrimet e detyruara, konfliktet që gjithnjë e më shumë kanë edhe rrënjë mjedisore. Megjithatë, siç kujtonte Papa Françesku, nuk mund të lejojmë që të na vidhet shpresa. E ardhmja e planetit, në fakt, nuk është një çështje që i përket vetëm qeverive: i përket secilit prej nesh, familjeve tona, komuniteteve tona, mënyrës se si prodhojmë, konsumojmë, lidhemi me të tjerët dhe me krijimin".
Nga L'Osservatore Romano