Monsinjor Chica Arellano (Foto arkivore) Monsinjor Chica Arellano (Foto arkivore)

Mons. Arellano: të kapërcejmë idenë e një ekonomie të udhëhequr nga ligji i fitimit me çdo kusht

Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Organizatave dhe Agjencive të Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, shpreh konsideratat e tij mbi krizat dramatike që po godasin botën në fjalimin përmbyllës të një seminari studimor që u zhvillua sot në selinë e Ifad, Fondit Ndërkombëtar për Zhvillimin Bujqësor të OKB-së: "Duhet të ndryshojmë modelin tonë të zhvillimit. Tashmë i paqëndrueshëm"

R.SH. - Vatikan

"Në vitin 2024, 673 milionë njerëz vuajtën nga uria dhe 2.6 miliardë vazhdojnë të mos kenë mundësi të përballojnë një dietë të shëndetshme, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta ku komponenti ushqimor përbën më shumë se gjysmën e shpenzimeve familjare dhe inflacioni ka gërryer fuqinë blerëse duke rënduar kushtet e varfërisë". Këto janë konsiderata njëkohësisht të hidhura, të dhimbshme dhe tmerrësisht reale ato që monsinjor Fernando Chica Arellano, Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Organizatave dhe Agjencive të Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, la të kuptohen nga fjalimi i tij përmbyllës i seminarit studimor Ekonomia në shërbim të zhvillimit integral. Të veprojmë së bashku për të mos lënë askënd pas, i cili u zhvillua sot, më 30 shtator, në Romë në selinë e IFAD, Fondit Ndërkombëtar për Zhvillimin Bujqësor të OKB-së.

Kombinime vdekjeprurëse

Duke folur para një audience të përbërë nga përfaqësues të diplomacisë, OJQ-ve dhe shoqërisë civile, vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë deshi të ndizte dritat mbi krizat dramatike që po godasin botën në këto vitet e fundit: "Luftëra të pamëshirshme, fenomene klimatike ekstreme, shok ekonomikë, paqëndrueshmëri politike dhe paqëndrueshmëri e tregjeve janë bashkuar duke prodhuar një kombinim vdekjeprurës për sistemet ushqimore botërore".

Mbrojtja e Krijimit

Duke cituar Leonin XIV, Mons. Chica Arellano theksoi gjithashtu nevojën për të garantuar qëndrueshmërinë e atyre sistemeve ushqimore duke i orientuar ato drejt një mekanizmi më solidar, të aftë për të kapërcyer logjikën e shfrytëzimit të egër dhe të aftë për të krijuar kushtet më të mira për të ruajtur dhe mbrojtur burimet e Krijimit.

Zhvillim i paqëndrueshëm

"Për dekada - theksoi prelati - ka mbizotëruar ideja se për të qenë të lumtur duhej të kishim gjithmonë më shumë dhe për të rritur duhej të rritnim PBB-në që përfaqësonte një masë të mirëqenies së shoqërisë". Sot, ishte ftesa e tij urgjente, duhet "të kapërcejmë idenë se ekonomia duhet të udhëhiqet nga ligji i fitimit me çdo kusht dhe ta konceptojmë atë si një instrument në shërbim të zhvillimit integral kërkon të vëmë në diskutim modelin tonë aktual të zhvillimit që ka treguar gjithë paqëndrueshmërinë e tij".

30 shtator 2025, 18:01