Kërko

Editorial

Papa Leoni dhe dëshmia e martirëve të Algjerisë

Fjalët e Papës drejtuar Mitingut për Miqësinë ndërmjet Popujve, në Rimini, tregojnë cila është rruga e vërtetë e misionit, udha e pranisë dhe e thjeshtësisë.

R.SH. / Vatikan

Andrea Tornielli

Në mesazhin drejtuar Mitingut për Miqësinë ndërmjet Popujve, që vijon në në Rimini, Leoni XIV kujtoi ekspozitën mbi martirët e Algjerisë, në të cilët "shkëlqen thirrja e Kishës për të banuar në shkretëtirë, në bashkim të thellë me të gjithë njerëzimin, duke kapërcyer muret e mosbesimit që kundërshtojnë fetë dhe kulturat, në imitimin të plotë të lëvizjes së mishërimit dhe të vetë-dhurimit të Birit të Perëndisë".

Papa nënvizoi se  "kjo rrugë e pranisë dhe e thjeshtësisë" është "rruga e vërtetë e misionit". Ky është tregues i çmuar dhe veçanërisht domethënës, jo vetëm për njerëzit e mbledhur në Rimini, por për mbarë Kishën. Misioni, vazhdon mesazhi, nuk është kurrë "vetë-ekspozim, në bashkëvendosjen e identiteteve, por dhuratë e vetvetes deri në martirizimin e atyre, që adhurojnë ditë e natë, në gaz e në vaj, vetëm Jezusin si Zot".

Është prekëse, duke ndjekur ekspozitën kushtuar martirëve të Algjerisë, të shikosh se si ata ia kushtuan veten atij populli, thjesht duke ndarë jetën e  vet me ata në të gjitha mënyrat, duke ofruar dëshmi vëllazërie, miqësie, afërsie dhe ndihme konkrete. Pa vetëdashje, pa u shqetësuar për numrat, pa u mbështetur në strategji të paracaktuara. Këtë e mësojmë nga një predikim i Ipeshkvit martir Pierre Claverie i cili, në vitin 1996, pak para se të vritej nga fundamentalistët islamikë, iu përgjigj pyetjes pse vazhdonte të jetonte në Algjeri, duke e ditur se po rrezikonte jetën e tij çdo ditë:

"Ku është shtëpia për ne? Jemi atje për shkak të këtij Mesie të kryqëzuar. Për asnjë arsye tjetër, për asnjë njeri tjetër! Nuk kemi interesa për të mbrojtur, as ndikime për të ruajtur... Nuk kemi pushtet, por jemi atje si në shtratin e një miku, një vëllai të sëmurë, në heshtje, duke i mbajtur dorën, duke i fshirë djersën e ballit. Për shkak të Jezusit, sepse është ai që vuan, në atë dhunë që nuk kursen askënd, i kryqëzuar përsëri në mishin e mijëra të pafajshmëve".

E vazhdonte: “Ku duhet të jetë Kisha e Jezusit, e cila është vetë Korpi i Krishtit, nëse jo para së gjithash atje? Unë besoj se ajo vdes pikërisht sepse nuk është mjaftueshëm pranë kryqit të Krishtit… Gabon Kisha dhe e mashtron botën, kur paraqitet si një fuqi ndërmjet të tjerave, si një organizatë, madje edhe humanitare, ose si lëvizje ungjillore spektakolare. Mund të shkëlqejë, por nuk digjet me zjarrin e dashurisë së Zotit”.

Një gjykim i qartë dhe dramatik: Kisha vdes, kur nuk është mjaftueshëm pranë kryqit të Jezusit, kur i përket botës, duke u shndërruar në një OJQ, kur ndjek pushtetin politik dhe ekonomik, kur beson te numrat, kur mendon se ungjillizimi është i mjaftueshëm për të përsëritur emrin e Jezu Krishtit në çdo rast, në vend që të pranosh sfidën e ndjekjes së Tij në konkretësinë e jetës, në radikalitetin e zgjedhjeve dhe në angazhimin ndaj më të voglës. Kisha vdes, kur e shndërron shpalljen e fesë në shfaqje, kur mendon se mund të shkëlqejë me dritën e vet, duke harruar se mund të pasqyrojë vetëm dritën e një Tjetri!

Dëshmia e martirëve të Algjerisë, kaq larg protagonizmit të sotëm egoist, përfaqëson një provokim dhe një kujtesë për thelbin e Ungjillit, shenjë kontradikte.

Është domethënëse që, duke mbyllur mesazhin e tij drejtuar Takimit, Leoni XIV kujtoi Papën Françesku dhe mësimin e tij: "Zgjedhja e të varfërve është kategori teologjike, përpara se të jetë kulturore, sociologjike, politike ose filozofike". Sepse Zoti "zgjodhi të përvuajturit, të vegjlit, të pafuqishmit e, që nga barku i Virgjërës Mari, u bë një prej tyre, për të shkruar historinë e vet - në historinë tonë. Realizëm i mirëfilltë është, pra, ai që i përfshin ata, të cilët kanë këndvështrim të ndryshëm, shohin aspekte të realitetit që nuk njihen nga qendrat e pushtetit, ku merren vendimet më jetike".

Siç e dëshmuan, deri në fund të fundit, duke përzier gjakun e krishterë me atë të shumë viktimave myslimane të fundamentalizmit, martirët e Algjerisë.

23 gusht 2025, 15:18