Ka përfunduar ekspozita "Jordania: agimi i krishterimit" në Vatikan
R.SH. / Vatikan
Ekspozita "Jordania: agimi i krishterimit", promovuar në Vatikan nën patronazhin e lartë të Madhërisë së Tij Mbretit Abdullah II Ibn Al Husein, përfundoi më 23 mars 2025. E inauguruar më 31 janar të kaluar, ekspozita ka qenë një sukses i jashtëzakonshëm, duke tërhequr mijëra vizitorë nga e gjithë bota, duke konfirmuar interesin ndërkombëtar në rritje për trashëgiminë e madhe fetare dhe historike të Jordanisë.
Fillimisht e planifikuar të zgjasë deri më 28 shkurt, ekspozita është zgjatur deri në fund të marsit për të mundësuar numrin e lartë të vizitorëve e për t'u dhënë edhe më shumë njerëzve mundësinë për të zbuluar thesaret shpirtërore dhe kulturore të Jodanisë.
Ekspozita "Jordania: agimi i krishterimit" prezantoi një koleksion artefaktesh të rralla që dokumentojnë fazat kryesore të historisë së krishterimit në Jordani. Shumë prej këtyre objekteve u ekspozuan për herë të parë jashtë Jordanisë, duke u ofruar vizitorëve një mundësi unike për t'u lidhur me rrënjët e krishterimit dhe rolin e Jordanisë si djep i fesë së krishterë.
Ekspozita shpalosi thellësinë shpirtërore që kanë vendet e shenjta në Jordani, para së gjithash vendi i pagëzimit të Jezu Krishtit - Betania përtej Jordanit - i konsideruar si djepi i Krishterimit, ku Gjon Pagëzuesi e pagëzoi Jezusin dhe sot njihet si një destinacion shtegtimi edhe nga Selia e Shenjtë. Ekspozita "Jordania: agimi i krishterimit" ofroi një përvojë intensive vizuale dhe tematike, duke rrëfyer një udhëtim shpirtëror dhe historik që e pozicionon Jordaninë si një vend profetësh dhe një udhëkryq qytetërimesh.