Kard. De Donatis: në Sakramentin e pajtimit është shpresa për shëlbim të plotë!
R.SH. / Vatikan
Mbi 900 meshtarë dhe kandidatë për meshtari u regjistruan në Kursin XXXV tradicional të Forumit të Brendshëm, organizuar nga Pendestaria Apostolike që, tashmë në edicionin e tij të tridhjetë e pestë, do të zhvillohet nga 24 deri më 28 mars, në Romë, në Bazilikën e San Lorenzo in Damaso. Duke hapur punimet sot pasdite, në orën 15:30, me Lectio magistralis "Jubileu: udhë mëshire, shprese dhe kthese për të gjithë", kardinali Angelo De Donatis, kryependestar apostolik, nënvizoi për mediat e Vatikanit "bukurinë" e sakramentit të pajtimit që "shëron", "jep gëzim, të bën ta ndjesh në thellësi të shpirtit faljen e mëkateve!”.
Mbi nëntëqind priftërinj dhe kandidatë për Urdhrat e Shenjtë janë regjistruar për Kursin XXXV në Forumin e Brendshëm të organizuar nga Pendestaria Apostolike, i cili do të zhvillohet nga 24 deri më 28 mars, në Romë, në Bazilikën e Shën Lorencin në Damaso.
Çfarë roli luan Kursi i organizuar nga Pendetraia Apostolike në atmosferën e Jubileut?
Kursi është traditë, mund të themi, sepse jemi në Kursin XXXV të Forumit të Brendshëm. E sivjet, në atmosferën e Jubileut, ka një shije edhe më të thellë, më të ëmbël, do të thosha, sepse u drejtohet meshtarve, kandidatëve për urdhrat e shenjtë si dhe njerëzve të tjerë që përjetojnë shoqërim shpirtëror. Pra, në kuadrin e Jubileut të shpresës, ajo ka këtë mundësi të çmuar për të ofruar mjete edhe më efektive për ata që duhet ta jetojnë këtë shërbim brenda Kishës. Kështu, mbi të gjitha, ne mund t'i ndihmojmë rrëfyesit. Sigurisht, siç thotë Papa, është gjithashtu koha për të mos hequr dorë nga sakramenti i rrëfimit, për të rizbuluar gjithë bukurinë e tij. Bukurinë e këtij sakramenti që shëron, që jep gëzim, që na bën të përjetojmë thellësinë e faljes. Kjo, arsyeja pse është me të vërtetë sakrament i fuqishëm.
Si mund të na ndihmojë shtegtimi jubilar i mëshirës, shpresës dhe pendesës t’i afrohemi sakramentit të pajtimit?
Jubileu është gjithmonë i lidhur me këto tema. Këtë vit veçanërisht me temën e shpresës. Por tema e kthesës është zemra e Jubileut. E, më pas, rizbulimi i mëshirës së Zotit në jetën e dikujt, i dashurisë, që e bën njeriun të çmuar para syve të Tij, e bën të përsërisë: "Nuk ishe ti që më doje mua, por unë, që të desha ty" dhe e mbush zemrën plot me pendim të thellë e me dëshirën të kthehet tek sakramenti, i cili i jep shpresën për të shpëtuar plotësisht.
Në këtë vit jubilar, si mund ta rizbulojmë përvojën e rrëfyestores?
Kisha kërkon, për të marrë faljen, shkëputjen nga mëkati. Është një nga kërkesat më të domosdoshme. Pra, shkëputjen nga e keqja, afrimin në rrëfyestore, gjunjëzimin, kërkimin e faljes për mëkatet – me zemër të sigurt se Zoti fal, fal gjithmonë – përshpejton, në njëfarë mënyre, edhe rizbulimin e bukurisë së këtij Sakramenti të Pajtimit a Rrëfimit, në këtë vit jubilar.
Rrëfimi kërkon përgatitjen përkatëse si nga ana e të penduarit, ashtu edhe e pendestarit…
Besoj se mbi të gjitha duhen ofruar disa mjete të lidhura me Fjalën e Zotit që ndihmojnë në rrëmimin e ndërgjegjes, në mënyrë që i penduari të mund të thellohet dhe të mos bëjë thjesht një akuzë për mëkate, duke ditur prej nga mbijnë mëkatet, cilat janë ato rrënjë - mund të themi helmuese - që janë zhvilluar e që duhen shkulur. Kjo është ndihmë e madhe. Përndryshe, do të ketë pak përparim.
Sa të rëndësishme janë drejtimi dhe rrëfimi shpirtëror?
Këto janë dy përmasa që sigurisht përjetohen më mirë veçmas, por ndonjëherë është e qartë se të dy rrugët kryqëzohen në atë të rrëfimit. Megjithatë, është gjithmonë mirë që të penduarit t'i jepet një takim në mënyrë që ai të mund të thellohet në ato përmasa, të cilat janë të rëndësishme për të. Natyrisht, nga përvoja e shoh se shumë herë drejtimi shpirtëror mund të lindë edhe nga një rrëfim i bërë mirë, në të cilin ndoshta mëkatari ishte i mirëpritur, ishte në gjendje të lexonte gjithçka kishte në zemër. Dhe nga kjo vjen dëshira për të qenë në gjendje të zgjasë dialogun shpirtëror për të përparuar në rrugën e dishepujve të Krishtit. Ndonjëherë të dy rrugët mund të kryqëzohen, por në shumicën e rasteve është më mirë të ndahen.
Kursi i Forumit të Brendshëm sivjet është i 35-ti. Ç’të re sjell në formimin e rrëfyesve?
Përgatitja është shumë e rëndësishme: rrugë që nuk duhet të braktiset kurrë. Gjithmonë ka diçka për të reflektuar dhe për të zbuluar më tej. Vetë pjesëmarrja që kemi parë dhe që e shohim çdo vit, vërteton se sa është pritur ky kurs. Besoj se ka më shumë se nëntëqind anëtarë këtë vit; jo të gjithë do të mund të jenë të pranishëm, një pjesë, rreth treqind, do ta ndjekin përmes mediave. Të gjitha reflektimet synojnë të thellojnë se si duhet ta jetojmë sakramentin e pajtimit dhe si ta bëjmë atë të gjallë, për ata që i afrohen. Por është e qartë se rolin kryesor e kanë rrëfyesit. Unë ngul këmbë se për këtë temë duhet bërë formim i vazhdueshëm.