Kërko

2025.01.01 Hapja e Derës së Shenjtë dhe Mesha e Shenjtë - Bazilika Santa Maria Maggiore 2025.01.01 Hapja e Derës së Shenjtë dhe Mesha e Shenjtë - Bazilika Santa Maria Maggiore

Shën Maria e Madhe: Kard. Makrickas hap Portën Shenjte: të gjithë thirren për shpresë.

Në solemnitetin e Marisë, Nënës Shenjte të Zotit, kryeprifti ndihmës i Bazilikës Papnore, kardinali Makrickas. kremtoi ritin jubilar. Gjatë homelisë kujtoi se jemi thirrur për një shpresë të gëzueshme. Më pas, foli edhe për dhuratën e kohës, "krijesë e Zotit" dhe paralajmëroi për ndikimin e teknologjive të reja, që rrezikojnë të mos e vlerësojnë si duhet. Nuk na “ngushëllojnë” ata përballë problemeve dhe shqetësimeve, por fytyra e Virgjërës, “arka e sigurt në mes të përmbytjes”

R.SH. / Vatikan

“Të gjithë jemi thirrur për këtë shpresë identike, pa dallim. Të gjithë mund të ecim në këtë rrugë të shpresës së gëzueshme. Të gjithë! E Maria është pranë të gjithëve, pa përjashtuar asnjë”.

Tingujt e parë ishin ato "të së Humburës”, kambanës historike që nisi të tingëllojë rishtas në Bazilikën e Zojës së Madhe / Santa Maria Maggiore, pas thyerjes në vitin 1884 dhe ruajtjes në Muzetë e Vatikanit nga Papa Leoni XIII. Kjo kambanë, që shikon gjithë Romën nga maja Esquiline, lajmëroi hapjen e Portës Shenjte të Bazilikës Papnore. "M’i hapni dyert e drejtësisë, do të hyj për të falënderuar Zotin". Ky,  fundi i formulës - tashmë familjare, sepse  ishte Porta e katërt Shenjte që hapej nga fillimi i Jubileut (pas asaj të Shën Pjetrit dhe kishës së burgut të Rebibbia, hapur nga Papa, si dhe asaj të Shën Gjonit në Lateran) shqiptuar dje, 1 janar, nga kardinali Rolandas Makrickas, kryeprift ndihmës.

Ëndrra, që përuroi Shën Marinë e Madhe

Në Ditën e parë të vitit, që përkon me solemnitetin e Marisë, Nënës së Shenjtë të Zotit, në Bazilikë u mblodhën besimtarë të shumtë sipas traditës, ashtu si do vetë Virgjëra. Ishte ajo që iu duk - në “ëndrën e një nate vere”– Gjonit, patricit të pasur romak, si dhe gruas së tij, në gusht të vitit 352, duke i njoftuar se një mrekulli do të tregonte vendin ku do të ndërtonin një kishë. Kështu ëndërroi edhe Papa Liberius, i cili të nesërmen e gjeti Esquilinin të mbuluar nga bora e pazakontë verore, që lëshonte flokët e bardhë mbi atë truall, ku do të ndodhte e pazakonta!

Vend i shenjtë, i shumëdashur nga Papa

Hirësia e tij Makrickas, i krijuar kardinal nga Papa Françesku në vitin që sapo përfundoi, e kapërceu i pari pragun e Portës së bronztë, ndërtuar kohëve të fundit, rezultat i një konkursi të shpallur me rastin e Vitit Shenjt 2000, me një përkushtim të veçantë deri në mijëvjeçarin e tretë. Ishte Papa Françesku i pari, që e hapi nëntë vjet më parë, me rastin e Jubileut të Mëshirës.

Kardinali Makrickas, së bashku me besimtarët, priftërinjtë dhe kanonikët e Kapitullit të Shën Marisë së Madhe përshkoi ngadalë navatën e Bazilikës, ku shkelë shpesh Françesku "si mysafir" i rregullt para dhe pas çdo Shtegtimi Apostolik. Kremtimin në këtë vend kulti e zbukuron seria e mozaikëve dhe e ikonave. E sidomos, më e lashta në të gjithë kryeqytetin: Salus Populi Romani, ikona e Zojës me Krishtin Fëmijë, e ruajtur në kapelën Pauline, tejet e nderuar dhe e dashur për Françeskun.

Pikërisht tek kjo figure e mrekullueshme u ndalua Kardinali lituanez gjatë predikimit. Ajo - pati kujtuar Papa Françesku duke kremtuar Meshën për mbartjen e Saj në janar 2018, "ruan fenë, mbron marrëdhëniet, shpëton në  stuhi e ruan nga e keqja". Aty ku është Ajo, “nuk ka trazira, nuk fiton frika”.

Kush prej nesh nuk ka nevojë për këtë, kush prej nesh nuk është ndonjëherë i tronditur a i shqetësuar? Sa shpesh zemra njerëzore shndërrohet në det të stuhishëm, ku valët e problemeve tërbohen dhe erërat e shqetësimeve nuk pushojnë së shfryri! Maria është shpresa e sigurt në mes të përmbytjes. Nuk do të jenë idetë apo teknologjia që do të na japin ngushëllim e shpresë, por fytyra e Nënës së Zotit.

Plotësimi i kohës nuk kërkohet me kompjutera e telefona

Predikimi i kardinalit Makrickas niset pikërisht nga “Sperduta”, “e Humbura”, Këmbana, që "e shndërron në tingull" idealin e "udhëheqjes", të cilën besimtarët ia besojnë Marisë. "Kur u plotësua koha, Zoti dërgoi Birin e tij, të lindur nga një grua", u shkruan Shën Pali Galatasve në leximin e dytë të kremtimit. E Kardinali nënvizoi figurën e "plotnisë së kohës" duke e mishëruar në Marinë, "rrugën e zgjedhur nga Zoti" dhe "pikëmbërritjen" për kë "përgatiti ardhjen e Zotit në botë".

Koha e fiton plotëninë e saj kur bashkohet me amshimin, pra me kohën e pafundme të Zotit.

Koha, “krijesa e madhe e Zotit”, që njeriu shkapërdedh në përpjekjen për ta shtuar a për ta përsosur nëpërmjet teknologjive të reja. Orëve të  kaluara me kompjutera e telefona, të cilët shpesh bëhen “armiqtë më të këqij” të kohës,  Kardinali u kundërvuri çastet e kaluara “me Zotin”, në të cilat është e pamundur të ndihesh “i humbur” a “i lodhur”.

Maria, paqe e siguri për shtegtarët

Duart e Virgjërës “ledhatojnë” jetën tonë si dhe atë të Krishtit Fëmijë.  Nga kjo gurrë ngushëllimi do të nisen sërish Shtegtarët e Jubileut: nga “siguria” se i shoqëron “hiri”:

“Maria, nëna e Zotit e nëna jonë, ashtu siç ishte e vendosur në plotësinë e kohës, ashtu është e vendosur edhe për jetën e çdo të krishteri. Sepse askush më mirë se nëna, nuk i njeh kohët dhe urgjencat e bijve”.

Nga Djepi Shenjt, shtegtarët e parë të krishterimit

Një tjetër simbol i Shën Marisë së Madhe është relikja e 'Djepit Shenjt', "shtëpia e parë e përvuajtur dhe e varfër e Jezusit", dëshmitar "i heshtur" i lindjes së tij, i aftë për të përcaktuar "kohën tonë". Shtegtarët e parë të Krishterimit u shpërngulën nga grazhdi i përvuajtur i Betlehemit, duke mbyllur "esencën" e tij, domethënë "duke u nisur për të takuar Zotin në ndjekje të yllit të tij". Nënvizohet kështu se që prej njëmijë e gjashtëqind vjetëve kjo bazilikë është si ylli i Betlehemit, i cili përhapi njoftimin engjëllor drejtuar barinjve: mos kini frikë, por vihuni për udhë drejt Zotit.

Provojeni afërsinë e "më të dashurës nga nënat"

Kardinali ia kushtoi pjesën e fundit të meditimit Vitit Jubilar 2025, duke shpresuar se ai mund të rrënjosë "shqetësimin e mirëfilltë e të sinqertë" në shpirtin e shtegtarëve, e veçanërisht, të atyre që "e kanë humbur rrugën e së vërtetës, të gëzimit e të paqes".

Ftohemi, prandaj t'i kushtojmë vëmendje thirrjes së Papës në Bulën e Shpalljes së Jubileut “Spes nonconfundit” - “Shpresa nuk të zhgënjen” për të "provuar afërsinë e më të dashurës nga nënat ". Marisë i besohet lutja e fundit:

"Na përcjelltë te Jezusi: plotësia e kohës, e të gjitha kohërave, e kohës së secilit prej nesh".

02 janar 2025, 13:01