Kërko

Paolo Ruffini, prefekt i Dikasterit vatikanas për Komunikimin Paolo Ruffini, prefekt i Dikasterit vatikanas për Komunikimin

Ruffini: komunikimi nuk është rrugë njëkalimshe, vlera e tij qëndron në marrëdhëniet njerëzore

Prefekti i medias së Vatikanit flet për Jubileun e Botës së Komunikimit, në program nga 24 deri më 26 janar: Viti Shenjt është mundësi për ta pyetur veten dhe për të rizbuluar kuptimin më të thellë, fillestar, të thirrjes sonë si komunikatorë

R.SH. – Vatikan

         "Nuk duam të bëjmë tjetër, përveçse të bashkëndajmë një interpretim të botës". Kështu deklaroi Paolo Ruffini, prefekt i Dikasterit vatikanas për Komunikimin, i cili sot paradite, 21 janar, paraqiti Jubileun e Botës së Komunikimit – në program nga 24 deri më 26 janar - gjatë emisionit “Radio Vatikani me ju”. Ngjarje në këtë fundjavë, e para e shumë Jubileve të tjerë, planifikuar gjatë Vitit të Shenjtë. Jubileu i botës së medias përkon me përvjetorin e shenjtit pajtor të gazetarëve, Shën Françeskut të Sales, i cili kremtohet më 24 janar.

Marrëdhëniet, çelësi i një gazetarie të mirë

I pyetur për faktin se gazetarët janë të thirrur të jenë bartës të shpresës dhe të së vërtetës, Ruffini kujtoi se "pa marrëdhënie nuk ka shpresë, mbyllemi në vetvete. Marrëdhëniet pasqyrojnë besimin tek tjetri dhe bindjen se mund të hyjmë në marrëdhënie me tjetrin edhe kur mund të mos e mendojë si ne. Marrëdhëniet mund të përfshijnë edhe gjëra shumë të vështira si falja, pra, rifillimin nga e para. Siç ka thënë Papa Françesku, nganjëherë - theksoi Ruffini – marrëdhëniet mund të prishen, por mund të fillohen përsëri në një mënyrë tjetër, gjithmonë. Në fund të fundit, ato lindin nga besimi tek njëri-tjetri”. Në këtë kuptim, edhe “koncepti i komunikimit nuk është njëkahësh, por i bazuar në dashuri, në besim, në marrëdhënie”.

Takime të shumta

Veprimtaritë treditore kushtuar Jubileut të Botës së Komunikimit janë të shumta, siç kujtoi prefekti gjatë intervistës. “Ka shumë ngjarje dhe mund të them se ato kanë lindur në mënyrë spontane, nga dëshira për të bërë një shqyrtim të ndërgjegjes, për ta vënë veten në diskutim dhe për të gjetur kuptimin fillestar më të thellë, burimin e thirrjes sonë” si gazetarë. Komunikimi, zgjedhja e komunikimit si profesion është thirrje, në të gjitha aspektet. Ndër ngjarjet e shumta, "më e rëndësishmja është audienca me Papën Françesku dhe shtegtimi për të kaluar së bashku Portën e Shenjtë, për të medituar se ku jemi dhe ku duam të shkojmë, pra, ku gjenden rrënjët e shpresës sonë".

Mediat e Vatikanit

Si duhet ta pasqyrojnë Jubileun mediat e Vatikanit? "Duke u përpjekur të shkojnë në thellësi të Jubileut - vëren Ruffini - që nuk është eveniment, nuk është fishekzjarrë, nuk është diçka e çastit, por është një rrugëtim që vazhdon dhe që ka të bëjë me të gjithë, me ne që besojmë, por edhe me këdo, që dëshiron të gjejë një shenjë ndryshimi në të”. Ndër idetë, që duhen komunikuar, sigurisht, është fakti se Viti i Shenjtë nuk është ndonjë mrekulli e çuditshme, "nuk kalohet Porta e Shenjtë e pastaj, ndodh ndonjë magji". Ky kalim do të thotë "të besosh në atë shenjë, duke kuptuar sërish arsyet e thella të fesë, ato që na bëjnë gjymtyrë të njëri-tjetrit. Kështu, mund të ndërmarrim një rrugë të ndryshme e t’ia fillojmë nga e para”.

Roli qendror i tregimeve

Gjatë emisionit të drejtpërdrejtë, dëgjuesit kërkuan të nënvizohet rëndësia e tregimeve nga jeta e vërtetë e njerëzve. "Tregimet - theksoi Ruffini - jemi ne, ne jemi historitë që tregojmë dhe historitë që jetojmë. Inteligjenca njerëzore është një kombinim i inteligjencës së zemrës dhe i inteligjencës së mendjes. Pa zemër nuk mund ta kuptojmë vërtet gjithçka". Më pas prefekti i Vatikanit u ndal në kohët e komunikimit. "Një pikë kyçe - argumentoi ai - është shpejtësia e kohës sonë. Për t’i kuptuar gjërat duhet edhe pak ngadalësi, duhet të ndalemi herë pas here për të dëgjuar shpirtin, për të kuptuar shpirtin e tjetrit, nëse duam të jemi gazetarë të mirë. Kur Papa thotë se duhet të konsumojmë shojet e këpucëve, flet edhe për një kohë të ngadaltë, për të cilën kemi nevoje nganjëherë, që t’i kuptojmë e t’i tregojmë si duhet historitë”.

Kujtesa

"Kultivimi i kujtesës - vazhdon prefekti i mediave të Vatikanit - është aftësia për t’i lidhur gjërat që të japim një perspektivë të së mirës. Është detyrë e gazetarëve, përndryshe, do të jetonim të largët, pa kujtesë e pa kuptim. Kjo është puna e gazetarëve dhe pikërisht këtë po e humbasim disi, në shpejtësinë e një kohe, që duket se konsumohet në një çast të vetëm”. Ne, përfundon Ruffini, "nuk duam të bëjmë tjetër, përveçse, të bashkëndajmë një interpretim të botës. Është e vërteta, që na është zbuluar dhe ne përpiqemi, në kuadrin e historisë sonë, me të gjitha forcat”, në marrëdhënie, për të gjetur së bashku “rrugë e mënyra të reja” komunikimi.

21 janar 2025, 15:33